Nga: M.S/Dje ishin orë ankthi, pritje, një pritje e gjatë se çfarë do të rrëfente Xhisiela, vajza e cila ngriti policinë, drejtësinë e politikën në ‘këmbë’. Intervista me gazetarin Blendi Fevziu, sikundër edhe ajo e dhënë me Eni Vasilin, kyçën brenda shtëpisë shqiptarët, të cilët donin të mësonin diçka, një kleçkë që e mbante të mbërthyer atë në këtë ngjarje po kaq të bujshme, dhe mjaft sensitive.
Një sy i stërvitur mund ta nuhaste mjaft thjeshtë manovrat e saj, e ku pasi ka kryer intervistën me Fevziun në “Opinion”, ajo nuk ka dashur të përballet me pikëpyetjet e dhënies së dy versioneve.
Vërtet çudia tre ditë zgjat, por shqiptarët ende nuk i kanë harruar deklarimet e saj, se qe dhunuar dhe djegur me cigare. Kjo deklaratë nxehu gjakrat, ku me të parin rast politika u përfshi, dhe madje deri diku edhe e përdori.
Kjo ishte një anë e medaljes, për të cilën me të drejtë Xhiesela e mbrojtit veten duke përdorur këtë fakt. E gjithë loja fillon kur në intervistën në “Top Channel” ajo tha të kundërtën, se denoncimet i kishte bërë për shkaqe xhelozie, se me cigare qe vetëdjegur, dhe se shenjat e dhunës ishin nga një aksident me makinë.
Në kohë rekord, zhvillimet morën një tjetër rrjedhë, kur ajo u vu përballë këtyre fakteve në “Opinion”, për intervistën e dhënë në “Top Channel”, dhe tha se intervista me Eni Vasilin ishte e manipuluar. Po në grackë ra edhe kur e pyetën se kush e kishte shoqëruar për në emision, e mimika e tradhtoi sërish.
E rënë në “gojën e ujqërve”, në tentativë për ta “shqyer”, Xhisiela hodhi poshtë të gjitha ato fakte që kishte dhënë më herët, duke çuditur një popull të tërë.
Gazetarja Klodiana Lala i tha se versioni i saj nuk qëndronte, pasi ekspertiza mjeko-ligjore ishte bërë menjëherë pas dhunës, dhe shenjat e keqtrajtimit të dalluara nga mjeku ishin të freskëta. Por Xhisiela i dha sërish forcë vetes, për të mos u rrëzuar përballë një paneli që sytë i kishin tek ajo.
Duke mos dashur që deklarimet e saj të binin edhe një herë poshtë, e gazetarët t’ia çirrnin maskën, ajo u tregua e qartë, se drejtimin e lojës e kishte ajo, e ndërsa të tjerët ishin kukulla të saj. Sikundër edhe pritej, ajo e dha mesazhin që ia kishin përcjellë, se ajo e djeshmja do të ishte dalja e saj e fundit në media.
TIRANA TODAY