Uragani i ashtuquajtur “Dorian” (një erë shumë e fuqishme dhe e shpejtë, që shoqërohet me reshje të shumta dhe shkakton katastrofa natyrore), siç dihet botërisht është mjaft i rrezikshëm, ndërkohë mediat e huaja kanë raportuar së fundmi se ai ka goditur ishujt Bahamas.
Dëmet e shkaktuara nga uragani në fjalë thuhet të jenë tepër të mëdha, mirëpo çka e bën edhe me të rëndë ngjarjen është fakti se ka edhe viktima. Mëngjesin e ditës së sotme është regjistruar viktima e parë, një 7-vjeçar. Ai është mbytur teksa po lëvizte me familjen e tij me nxitim për t’u larguar nga banesa.
Uragani i kategorisë së pestë ka sjellë përmbytje të mëdha dhe pritet të vijojë me dallgë të larta dhe erëra të rrezikshme përpara se t’i drejtohet territorit të SHBA-së. Së fundmi autoritetet vendase kanë ngritur alarmin e kuq dhe kanë urdhëruar turistët të largohen menjëherë nga vendi. Gjithashtu mediat e huaja shkruajnë se motra e 7-vjeçarit u mor nga uji dhe nuk është gjendur ende.