Muharrem Hasanaj, babai i efektives së Forcave të Armatosuar që humbi jetën ditën e djeshme gjatë shpërthimit të një mine tregon se takimin e fundit me të e ka pasur më 22 dhjetor, ditën kur e përcolli në Rinas për në Letoni.
“Takimin e fundit me të e kam pasur në 22 dhjetor kur e përcolla në Rinas për në Letoni. Pas asaj dite flisnim vetëm në telefon. Na merrte çdo dite dhe na pyeste a jemi mirë. Edhe dje në mëngjes folëm. Me tha se ishte mirë dhe se do të shkonte në punë. Pastaj mora lajmin e asaj që ndodhi”, tha babai i 32-vjeçares.
Në një rrëfim për “News 24”, Hasanaj zbulon se nuk ishte dakord që vajza e tij të punonte në ushtri, por e kishte të pamundur ta pengonte në zgjedhjen e saj.
“Vajza punonte prej më shumë se 10 vjetësh në ushtri. Ishte dëshira e saj. I pëlqente uniforma. Ma ka shprehur këtë dëshirë para 10 vjetësh kur dorëzoi dokumentet për tu pranuar në ushtri. Unë si plak dhe malësor nuk isha dakord me këtë zgjedhje por përsëri e pranova, sepse të rinjve nuk ua pengon dot dëshirat”, rrëfen ai.
Ndër të tjera, babai i Zarife Hasanaj shton se në këto ditë të vështira përveç mbështetjes së familjarëve dhe miqve, i është gjendur pranë edhe ushtria.