Ministri i Shëndetësisë në Republikën Çeke, Adam Vojtech, tha se ka dorëzuar dorëheqjen e tij te kryeministri Andrej Babis.
Dorëheqja vjen pas kritikave në rritje për trajtimin e pandemisë së koronavirusit në Çeki, ku numri i të infektuarve është rritur ndjeshëm.
Babis e falënderoi Vojtechun për punën e tij, duke thënë se ai do të mund të mbahej mend si ministri më i mirë i Shëndetësisë sikur të mos i duhej ta shfrytëzonte gjithë energjinë e tij për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
Vojtěch tha se ai kishte bërë çmos për të menaxhuar epideminë COVID-19 në Republikën Çeke, dhe se ai ishte krenar për ndryshimet në kujdesin shëndetësor që kanë ndodhur gjatë kohës së tij si Ministër i Shëndetësisë.
Vojtěch ka shërbyer më pak se tre vjet në pozicionin e Ministrit të Shëndetësisë që kur u emërua në këtë pozitë në dhjetor 2017 nga Presidenti Çek Miloš Zeman.
Sipas të dhënave nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Republika Çeke, në 14 ditët e fundit, ka pasur 193 raste për 100,000 banorë.
Deri më tani, Çekia ka regjistruar afro 50,000 të infektuar. Prej tyre, 503 pacientë kanë humbur jetën dhe rreth 24,000 raste mbeten aktive.