Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Durrësit këtë të martë, ku një 25-vjeçar vrau me thikë babanë e tij dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Pas një ndjekjeje që zgjati rreth dy orë, forcat e Policisë së Durrësit arritën të lokalizonin dhe të arrestonin autorin e dyshuar.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, lokalizuan të riun në lagjen nr. 13 të qytetit. Autori i dyshuar është identifikuar si Marjan Kodheli, 25 vjeç, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Gjatë kontrollit, efektivët i gjetën dhe i sekuestruan 25-vjeçarit mjetin prerës (thikën) me të cilën dyshohet se kreu krimin.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore.















