Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, i shkuan në ndihmë një 19-vjeçari, që u dëmtua gjatë eksplorimit të natyrës, në Alpet e Korabit.
“Sot, rreth orës 12:40, në Alpet e malit të Korabit, duke eksploruar natyrën, dyshohet se aksidentalisht është rrëzuar dhe ka mbetur i dëmtuar shtetasi K. S., 19 vjeç, banues në Fushë-Krujë, i cili shoqërohej nga disa shtetas të tjerë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, pas marrjes së njoftimit, menjëherë kanë organizuar punën për t’i ardhur në ndihmë 19-vjeçarit. Për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur është kërkuar ndërhyrja e helikopterit, me qëllim ofrimin e ndihmës për shtetasin e dëmtuar.
Pas dhënies së ndihmës së parë, 19-vjeçari, është transportuar me helikopter, drejt Spitalit të Traumës. Policia e Dibrës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo problematikë që mund të hasin, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.”, sqaron policia.