Një goditje e papritur ka tronditur themelet e pushtetit lokal të Partisë Socialiste në Fier. Prokuroria ka nisur hetimet për përdorimin e burimeve shtetërore në funksion të fushatës elektorale, një zhvillim që për herë të parë ngre zyrtarisht dyshime për një skemë kriminale të organizuar nga vetë administrata shtetërore. Në epiqendër të akuzave është ministrja e Infrastrukturës dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila sipas opozitës ka drejtuar një rrjet të strukturuar me vartësit e saj për të deformuar vullnetin e votuesve përmes presionit dhe manipulimit. Bazuar në një dokument që mban firmën e prokurores Elida Hoxhaj në shkresë urdhërohet sekuestrimi i pamjeve filmike të publikuara në media, apo nga emisionet investigative, kamerat e fshehta etj, që tregojnë se si në mënyrë të organizuar janë detyruar punonjësit e administratës të marrin pjesë në takimet elektorale apo mitingjet e fushatës së Partisë Socialiste.
Reagimi i parë ka ardhur me tone të forta nga drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Fierin, Gazment Bardhi, i cili e përshëndet hetimin, por paralajmëron se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Ai kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga SPAK dhe e cilëson Ballukun si drejtuesen e një “bande elektorale”, që ka kthyer shtetin në një makineri votash në shërbim të pushtetit. “Nisja e hetimeve për keqpërdorimin e burimeve shtetërore për fushatë elektorale është pozitive dhe meriton vlerësim, por është e pamjaftueshme! Në hetimin e krimeve zgjedhore është domosdoshmëri shpejtësia në hetime dhe vënia në kohë para përgjegjësisë e shkelësve të ligjit,” shprehet Bardhi. Sipas tij, përmasat e skandalit kërkojnë ndërhyrjen e strukturave të specializuara antikorrupsion: “Ne presim që ligji të veprojë ndaj bandës elektorale të Belinda Ballukut në qarkun Fier, dhe çështje të kësaj natyre duhet t’i kalojnë për kompetencë SPAK, për shkak se jemi përpara një grupi të strukturuar kriminal, me role të qarta dhe të mirëpërcaktuara, me në krye Belinda Ballukun”, tha ai.
“Pushtimi” i Fierit nga administrata e Ballukut
Deklarata e Bardhit nuk ndalet vetëm në përgjegjësitë penale të drejtuesve lokalë. Ai përshkruan një situatë të paprecedentë në Fier, ku sipas tij, qindra punonjës të administratës, të komanduar nga Balluku, kanë braktisur detyrat e tyre shtetërore për t’u shndërruar në militantë partiakë që ushtruan presion dhe shpërndanë favore në këmbim të votave. “Prej muajsh tashmë qindra punonjës të administratës publike nën varësinë e Belinda Ballukut kanë pushtuar si bandë qarkun e Fierit, duke braktisur detyrën shtetërore dhe duke ushtruar presion apo ofruar favore në këmbim të votave,” thekson ai.
Më tej, ai përshkruan mënyrën sesi një pjesë e këtyre individëve janë zhvendosur fiktivisht në Fier vetëm për të ndikuar zgjedhjet dhe për të komanduar strukturat vendore të PS. “Një pjesë e tyre në mënyrë fiktive janë bërë edhe ‘banorë’ të qarkut Fier, në zonat që drejtuesja e bandës i ka lënë nën përgjegjësi. Janë këta individë endacak që i japin urdhrat e paligjshëm ndaj punonjësve të administratës në Fier, janë këta që urdhërojnë strukturat e PS të angazhohen në krime elektorale, janë këta individë që terrorizojnë bizneset”, u shpreh Bardhi.
Bardhi paralajmëron ndryshim më 11 maj
Në vijim të reagimit të tij, Bardhi lëshon akuza të drejtpërdrejta dhe përçmon rolin e individëve të sjellë nga Tirana, të cilët i cilëson si “endacakë me kohë skadence”, të destinuar sipas tij të largohen nga skena politike pas 11 majit: “Fatmirësisht ata janë të gjithë të identifikuar me emër e mbiemër si shkelës të ligjit, dhe qytetarët e qarkut Fier e kanë të qartë se si çdo endacak, ato janë individë me kohë skadence në 11 Maj dhe në 12 në mëngjes kthehen në Tiranë për t’u bërë gati për të shkuar atje ku e ka vendin çdo shkelës i ligjit.” Ai shpreh besimin se qytetarët e Fierit do t’i rezistojnë çdo presioni dhe do të japin një përgjigje të qartë në kutitë e votimit. “Prandaj më 11 Maj qytetarët e qarkut Fier e kanë të qartë se çfarë do të bëjnë, nuk do t’i nënshtrohen presionit dhe do të votojnë për ndryshimin për mirë të Shqipërisë, duke mbështetur alternativën e shkëlqyer ekonomike të Partisë Demokratike”, tha ai.