Zyrtarisht për shumë kompani, kontrata nuk është vetëm një formalitet ligjor, por situata ka evoluar në një mënyrë që është shndërruar në pjesën kryesore të negociatave ndërmjet palëve për një vend pune. Sa respektohen të drejtat e punonjësve dhe kush i mbron ato? Flet Arben Seferaj, kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
Nga: Deada Hyka
Kontrata e punës, për shumëkënd ka qenë një dokument i panjohur, për një kohë të gjatë, por gjërat kanë ndryshuar edhe në një treg pune si në Shqipëri. Tashmë rezulton se 99.4% e punëmarrësve punojnë me kontrata pune. Zyrtarisht për shumë kompani, kontrata nuk është vetëm një formalitet ligjor, por situata ka evoluar në një mënyrë që është shndërruar në pjesën kryesore të negociatave ndërmjet palëve për një vend pune.
Ekspertët pohojnë se ndryshimet që pësoi Kodi i Punës në fund të 2015-s, të cilat merrnin fuqi vepruese në qershor 2016, kanë sjellë një ndikim pozitiv në raport me respektimin e marrëdhënieve të punës punëdhënës – punëmarrës. Një dispozitë e rregulluar në këtë rast është lejimi vetëm 7 ditë nga 1 muaj që ishte, të nënshkrimit të kontratës me një të sapopunësuar. Kjo ka bërë që punëdhënësit ta marrin më ‘seriozisht’ momentin e lidhjes së kontratës së punës me punëmarrësin.
Arben Seferaj, kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, thotë se janë ndërmarrë një sërë hapash për të arritur në këtë situatë, sipas tij, të përmirësuar të dy viteve të fundit. Nga të dhënat që ISHPSHSH-ja ka publikuar në raportet e treguesve të inspektimit për këto dy vite vërehet qartë që numri i të punësuarve në kontrata pune individuale të lidhur mes palëve shënon rritje. Konkretisht, gjatë vitit 2016 u konstatuan 98.3% e të punësuarve të punojnë me kontrata pune në numër punëmarrësish 210 320, marrëdhënia e punësimit e të cilëve iu nënshtrua kontrollit.
“Në vitin 2017, kemi një rritje deri në 99.1% dhe në 6-mujorin e parë të 2018-s na rezultojnë 99.4%. Në fakt, për këto dy vite dhe vetë struktura e Inspektoratit të Punës i ka dhënë një vend të rëndësishëm, në punën e saj, fushatave informuese me përfaqësues të punëdhënësve dhe punëmarrësve, gjë që po vijon të bëhet, por tashmë jo në formën e tryezave apo takimeve në salla, por në formën e informim-këshillimit në subjekte, si vizita inspektimi këshilluese. Po vërejmë që kjo formë është shumë më efikase, për shkak se dhe informacioni shkon drejtpërdrejt te palët e interesuara”, – thotë z. Seferi.
Ai shton se, pavarësisht shifrës së lartë që reflektojnë të dhënat statistikore prej rreth 99.4% të punëmarrësve, të cilët kanë rezultuar të punojnë me kontrata pune, mbetet sfidë e inspektorëve të punës, zbatimi në praktikë i të drejtave dhe detyrimeve të përcaktuara në këtë dokument. Sa u përket ankesave ndër vite, bëhet e ditur se për vitin 2016 janë trajtuar 353 ankesa, ndërsa viti 2017 ka pasur rritje të numrit të tyre, duke arritur 385 ankesa.
“Fluksin më të madh e shohim këtë 6-mujor të 2018, me 302 ankesa të regjistruara deri tani, duke shënuar kështu një tregues të qartë për një ndërgjegjësim të punëmarrësve për të kërkuar të drejtat e tyre duke e parë ISHPSHSH-në si partner, ashtu si në fakt duhet dhe të jetë”, – thotë z. Seferi.
Sa i përket informalitetit, sipas kreut të ISHPSHSH-së, duke filluar nga tetori i 2013, tregu i punësimit është gjithnjë e më pak informal. Sipas të dhënave të këtij institucioni, në 6-mujorin e parë të këtij viti, te kategoria e vetëpunësuarve informalë, janë konstatuar vetëm 26 të tillë, me një ulje të ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme. Por, z. Seferaj thekson për “Monitor” se Informaliteti gri, ose mosdeklarimi i pagës reale, mospagesë e punës së kryer në turne, festa zyrtare, ditë të pushimit javor, orë shtesë, elemente që përllogariten mbi pagën e përcaktuar në kontratën individuale të punës është dhe ai i cili mbizotëron në tregun e punës në Shqipëri.
“Të dhënat e mëposhtme reflektojnë situatën e respektimit të pagës minimale në shkallë vendi, pasi na rezulton një ulje e numrit të të punësuarve, për të cilët përllogaritja e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhet mbi pagë minimale e konkretisht në vitin 2016 nga 210 320 punëmarrës, marrëdhëniet e punësimit të të cilëve u inspektuan, nga të cilët 81642 u siguruan mbi pagë minimale ose 38.8%. Në vitin 2017, nga 176744 u siguruan mbi pagë minimale ose 37.2%, ndërkohë që për 6-mujorin e parë të këtij viti, 38904 u siguruan mbi pagë minimale ose 27.2% e tyre. Kjo do të thotë që kemi një tendencë pozitive në këtë drejtim, por mbetet ende shumë për të bërë”, – bën të ditur z. Seferaj.
Sa u përket sektorëve më problematikë për respektimin e kontratave të punës, kreu i Inspektoratit thotë se “Ndërmarrjet Prodhuese” ku përfshihen dhe Kompanitë Fasone dominojnë. Për vitin 2016, punonjës pa kontrata pune janë 2.4%, në vitin 2017 janë 4.6% dhe në 6-mujorin e parë të 2018 konstatohen 3.3%. Më pas ndjekin Aktivitetet Tregtare sezonale dhe kryesisht Bar-Kafe, Restorante.
Z. Seferaj thotë se në vëmendjen e institucionit që drejton, në vijim do të jetë punësimi i të miturve, konform dispozitave të veçanta ligjore, minimizimi i punësimit pa kontrata pune dhe formalizimi i tyre përmes një marrëveshje ndërmjet punëmarrësit dhe punëdhënësit, që rregullon marrëdhëniet e punës konform Legjislacionit të Punës, sidomos në punën me turne (orët e vona), marrëdhënie pune korrekte specifikisht për punë sezonale.
INTERVISTA
Flet Arben Seferaj, kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore
“Fokus te puna e të miturve dhe puna jashtë orarit”
Informaliteti gri, ose mosdeklarim i pagës reale, mospagesë e punës së kryer në turne, festa zyrtare, ditë të pushimit javor, orë shtesë, elemente që përllogariten mbi pagën e përcaktuar në kontratën individuale të punës është dhe ai i cili mbizotëron në tregun e punës.
Si ka ndryshuar këto dy vite raporti i respektimit të marrëdhënieve punëdhënës-punëmarrës, që lindin nga kontrata dhe si ka ndikuar roli i Inspektoratit të Punës?
Legjislacioni shqiptar ka një numër të konsiderueshëm dispozitash ligjore që rregullojnë fushën e punës. Ajo që mund të themi është se aktivitetet ekonomike në situata, kohë apo sezone të ndryshme mund të shfaqin problematika të ndryshme.
Ndryshimet që pësoi Kodi i Punës në fund të 2015-s, të cilat merrnin fuqi vepruese në qershor 2016, kanë sjellë ndikim pozitiv në raport me respektimin e marrëdhënieve të punës punëdhënës – punëmarrës. Moslënia hapësirë punëdhënësit për formalizimin e marrëveshjes individuale të punës me shkrim, vetëm në raste të veçanta jo më shumë se 7 ditë nga 1 muaj që ishte, ka bërë që tashmë punëdhënësit ta marrin më seriozisht momentin e lidhjes së kontratës së punës me punëmarrësin.
Nga të dhënat që ISHPSHSH-ja ka publikuar në raportet e treguesve të inspektimit për këto dy vite vërehet qartë që numri i të punësuarve në kontrata pune individuale të lidhur mes palëve shënon rritje. Konkretisht, gjatë vitit 2016, u konstatuan 98.3% e të punësuarve të punojnë me kontrata pune në 210 320 numër punëmarrësish, marrëdhënia e punësimit e të cilëve iu nënshtrua kontrollit. Në vitin 2017, kemi një rritje deri në 99.1% dhe në 6-mujorin e parë të 2018 na rezultojnë 99.4%.
Në fakt, për këto dy vite dhe vetë struktura e Inspektoratit të Punës i ka dhënë një vend të rëndësishëm, në punën e saj fushatave informuese me përfaqësues të punëdhënësve dhe punëmarrësve, gjë që po vijon të bëhet, por tashmë jo në formën e tryezave apo takimeve në salla, por në formën e informim-këshillimit në subjekte si vizita inspektimi këshilluese. Po vërejmë që kjo formë është shumë më efikase, për shkak se dhe informacioni shkon drejtpërdrejt te palët e interesuara.
Pavarësisht shifrës së lartë që reflektojnë të dhënat statistikore prej rreth 99.4% të punëmarrësve, të cilët kanë rezultuar të punojnë me kontrata pune, mbetet sfidë e inspektorëve të punës, zbatimi në praktikë i të drejtave dhe detyrimeve të përcaktuara në këtë dokument.
Sa i takon rolit të ISHPSHSH-së, ajo që mund të them është se po punohet cilësisht për ofrimin e informacionit në formën e duhur, që ky informacion t’i shërbejë marrësit të tij. Kështu këtë muaj është rikonceptuar dhe është vënë në shërbim të publikut faqja zyrtare ëëë.inspektoriatipunës.com, ku çdo i interesuar që do ta vizitojë mund të marrë të gjithë informacionin që i duhet në raport me legjislacionin e punës, kompetencën e ISHPSHSH-së, të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga ky legjislacion. Jemi besimplotë që do të shërbejë si një udhëzues i munguar për të pasur një komunikim efikas të inspektorëve të punës me punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Sa ankime merr institucioni juaj në muaj dhe në çfarë sektori apo nga cili subjekt?
Sistemi i inspektimit, që mbulon fushën e punës, ofron mbikëqyrje dhe trajtim të ankesës, duke siguruar konkluzione objektive të paanshme. Ankesat demonstrojnë cenimin e të drejtave, që ligji u jep punëmarrësve, qëndrime të gabuara të punëdhënësve, pamjaftueshmëri të mbrojtjes në punë, punësim të paligjshëm, trajtim të pabarabartë apo diskriminim.
Detyra e inspektorit të punës është të sigurojë zbatimin me korrektësi të ligjeve, që rregullojnë fushën e punës, duke u kujdesur për zbutjen e konfliktit, përmirësimin e situatës edhe për punëmarrësit e tjerë të të njëjtit subjekt, që preken por që nuk kanë bërë ankesë pranë nesh. Në këtë kuptim, ne trajtojmë ekzistencën ose jo të fenomenit të pretenduar nga ankuesi/it për një subjekt të caktuar.
Pranë Drejtorisë Qendrore të ISHPSHSH-së mbahet “Regjistri i ankesave” ku regjistrohen të gjitha ankesat e ardhura. Sipas këtij regjistri, numri i ankesave të regjistruara rezulton:
Për vitin 2016 janë trajtuar 353 ankesa dhe kërkesa, nga të cilat 261 janë trajtuar me vizita inspektimi. Për vitin 2017 janë regjistruar 385 ankesa dhe kërkesa, nga të cilat 264 janë trajtuar me vizitë inspektuese. Fluksin më të madh e shohim këtë 6-mujor, me 302 ankesa të regjistruara deri tani, duke shënuar kështu një tregues të qartë për një ndërgjegjësim të punëmarrësve për të kërkuar të drejtat e tyre duke e parë ISHPSHSH-në si partner, ashtu si në fakt duhet dhe të jetë.
Diferenca mes numrit të ankesave të regjistruara dhe atyre të ndjekura me proces inspektimi, nuk janë ndjekur me një proces të tillë për shkak se nuk kanë qenë në kompetencë të inspektorit të punës, janë kërkuar sqarime apo informacione ligjore, ose kanë marrë përgjigje mbi një inspektim të kryer më parë. Vlen të theksoj, se trajtimi i një ankese bëhet brenda të gjithë kompetencave që ligji i jep inspektorit të punës për trajtim. Në këtë kuptim, jo çdo pretendim i adresuar pranë nesh merr domosdoshmërisht zgjidhje. Për një kategori të caktuar problematikash, Kodi i Punës përcakton Gjykatën Administrative si organ kompetent.
Në çfarë përmasash është aktualisht informaliteti në tregun e punës?
Sipas ligjit “Për Inspektimin e Punës”, nr. 9634, datë 30.10.2006 (I ndryshuar), me punësim informal përcaktohet marrëdhënia e punësimit, që nuk i nënshtrohet si nga ana ligjore, ashtu dhe në praktikë, kërkesave të legjislacionit të punës dhe ligjit për procedurat tatimore dhe ku punëmarrësi nuk përfiton të drejtat e tij, që burojnë nga këto ligje.
Nga viti në vit, duke filluar nga tetori i 2013, tregu i punësimit është gjithnjë e më pak informal. ISHPSHSH-ja ka një rol të rëndësishëm në minimizimin e tij, si një organ kontrolli i këtij tregu, por që nuk është i vetmi autoritet që e kontrollon atë. Pavarësisht se është punuar nga disa institucione, rezultatet reale të prekshme dhe të matshme në uljen e informalitetit i dhanë aksionet kundër informalitetit, ku u bënë bashkë disa struktura kontrolli. Kontributi ynë në këto kontrolle kanë qenë jo pak i vlefshëm. Sa u takon të dhënave statistikore që disponojmë, na rezultojnë se për:
Subjektet informale, të paregjistruara pranë organeve tatimore:
Në vitin 2016 janë raportuar në organet e Tatim Taksave për kompetencë, 117 aktivitete ku janë konstatuar të punojnë gjithsej 128 punonjës.
Në vitin 2017 kemi një rënie në lidhje me këtë konstatim, pasi na rezultojnë 54 aktivitete të vetëpunësuarish të padeklaruar dhe në 6- mujorin e parë të këtij viti, po në këtë kategori të aktiviteteve të vetëpunësuarish, janë konstatuar 26 të tillë.
Punëmarrës që punojnë të padeklaruar dhe të paregjistruar në subjekte formale për:
Vitin 2016, në 11235 subjekte të kontrolluara me 210 320 punëmarrës gjithsej, janë konstatuar 1831 punëmarrës të padeklaruar ose 0.9% e tyre.
Në vitin 2017, në 7923 subjekte me 176 744 punëmarrës gjithsej, janë konstatuar 607 punëmarrës ose 0.3% e tyre.
Ndërkohë që në 6-mujorin e parë të këtij viti, në 5158 subjekte të inspektuara me 142 796 punëmarrës gjithsej, janë konstatuar 298 punonjës informalë ose 0.2% e tyre.
Informaliteti gri, ose mosdeklarim i pagës reale, mospagesë e punës së kryer në turne, festa zyrtare, ditë të pushimit javor, orë shtesë, elemente që përllogariten mbi pagën e përcaktuar në kontratën individuale të punës është dhe ai i cili mbizotëron në tregun e punës.
Nga ana jonë, po punohet për të përmirësuar gjithnjë e më shumë sistemin e inspektimit, me qëllim konstatimin dhe marrjen e masave ligjore në formën dhe në masën e duhur, për ta bërë efikase luftën ndaj këtij fenomeni.
Të dhënat e mëposhtme reflektojnë situatën e respektimit të pagës minimale në shkallë vendi, pasi na rezulton një ulje e numrit të të punësuarve, për të cilët përllogaritja e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhet mbi pagë minimale e konkretisht në vitin 2016, nga 210 320 punëmarrës, marrëdhëniet e punësimit të të cilëve u inspektuan, nga të cilët 81642 u siguruan mbi pagë minimale ose 38.8%. Në vitin 2017, nga 176744 u siguruan mbi pagë minimale ose 37.2%, ndërkohë që për 6-mujorin e parë të këtij viti, 38904 u siguruan mbi pagë minimale ose 27.2% e tyre.
Kjo do të thotë që kemi një tendencë pozitive në këtë drejtim, por që mbetet ende shumë për të bërë. Po sipas Ligjit “Për inspektimin e Punës”, nr. 9634 datë 30.10.2006 (i ndryshuar) informaliteti konsiderohet shkelje flagrante, për inspektorët e punës dhe për këtë kategori shkeljesh, vendoset masa ligjore e pezullimit të punës, për të mos lejuar vijimin e kësaj pune nga asnjë punëmarrës informal, apo punëdhënës që nuk deklaron punëmarrësit e tij.
Përmes masës urgjente kemi mundur të formalizojmë respektivisht në vitin 2016 rreth 90.8% të punëmarrësve informalë të konstatuar të punojnë në subjekte të licencuara, në vitin 2017 kemi një rritje të lehtë me 4.1% më shumë dhe në 6-mujorin e parë të këtij viti kjo rritje krahasimisht me 2016 është 5.5 punëmarrës të formalizuar gjatë procesit të inspektimit. Rastet të cilët nuk formalizohen gjatë këtij procesi, për arsye të ndryshme procedurale, për këtë kategori punonjësish, vijon formalizimi në bashkëpunim me organet e Tatim Taksave.
Cilët janë sektorët më problematikë për respektimin e kontratave të punës?
Sektorët më problematikë në raport me respektimin e marrëveshjeve individuale të punës (punëdhënës-punëmarrës), të hartuara me shkrim mes tyre, na rezultojnë ata sektorë që punësojnë një numër të konsiderueshëm punëmarrësish, për të cilët nuk përbën arsimi kriter për punësim. E kam fjalën këtu për Kompanitë Fasone (Faqe këpucësh, konfeksione, prodhim çantash), Ndërtimi, Kompanitë e pastrimit dhe shërbimit, Aktivitetet Tregtare sezonale dhe kryesisht Bar-Kafe, Restorante etj. Metodologjia statistikore e të dhënave me të cilën punon ISHPSHSH-ja, është ajo e Klasifikimit të aktiviteteve sipas ILO-s (Zyra Ndërkombëtare e Punës). Të dhënat e mëposhtme referojnë aktivitetet sipas këtij klasifikimi të grupuara sektorët e cituar më lart si nënaktivitete e konkretisht:
Për aktivitetin “Ndërmarrje Prodhuese”, ku përfshihen dhe Kompanitë Fasone:
Për vitin 2016, punonjës pa kontrata pune janë 2.4%, në vitin 2017 janë 4.6% dhe në 6-mujorin e parë të 2018-s, konstatohen 3.3%.
Për Llojin e aktivitetit Tregti Hotel-Bar-Restorant, ku përfshihen Aktivitetet Tregtare sezonale dhe kryesisht Bar-Kafe, Restorante:
Për vitin 2016, punonjës pa kontrata pune janë 0.4%, në vitin 2017 janë 0.7% dhe në 6-mujorin e parë të 2018-s konstatohen 2%.
Për aktivitetin “Të tjera”, ku përfshihen dhe Kompanitë e pastrimit dhe shërbimit:
Për vitin 2016, punonjës pa kontrata pune janë 8.2%, në vitin 2017 janë 9.6% dhe në 6-mujorin e parë të 2018 konstatohen 9.5%.
Ndërkohë që mosrespektimi i elementeve të përcaktuar në kontrata të punës prek një përqindje shumë të lartë të të gjithë sektorëve.
Sektorët më problematikë
Sektorët më problematikë në raport me respektimin e marrëveshjeve individuale të punës (punëdhënës-punëmarrës), të hartuara me shkrim mes tyre, na rezultojnë ata sektorë që punësojnë një numër të konsiderueshëm punëmarrësish, për të cilët nuk përbën arsimi kriter për punësim. E kam fjalën këtu për Kompanitë Fasone (Faqe këpucësh, konfeksione, prodhim çantash), Ndërtimi, Kompanitë e pastrimit dhe shërbimit, Aktivitetet Tregtare sezonale dhe kryesisht Bar-Kafe, Restorante etj.
Sa respektohet siguria në punë, sidomos në sektorët që ka përbërë problem gjithnjë?
Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, si autoritet shtetëror përgjegjës për kontrollin e zbatimit të dispozitave ligjore për kushtet e punës dhe mbrojtjen e punëmarrësve në ushtrimin e profesionit të tyre, nëpërmjet inspektorëve të punës dhe të veprimtarisë së tij inspektuese këshilluese e kontrolluese, ka synuar gjithnjë në ushtrimin e kompetencave të tij në të gjithë aktivitetet ekonomike e veçanërisht duke synuar në sektorë me një numër të madh punëmarrësish, e me rrezikshmëri të shtuar për shkak të aktivitetit të tyre. Kështu gjithnjë e më shumë kemi rritje të mesatares së punëmarrësve për subjektet e inspektuara, nga 19.4 në inspektimet e realizuara gjatë viti 2016, në 22.9 në inspektimet e realizuara gjatë viti 2017 dhe për 6-mujorin e parë të vitit 2018 kjo mesatare arrin në 28.4 punëmarrës për subjekt.
Duke qenë prezent, me inspektime e këshillime, për punëmarrës e punëdhënës, puna e jonë sa i takon ndërgjegjësimit, për kërkesa e të drejta që ju jep legjislacioni, dhe ndërhyrja me fuqinë e ligjit ka çuar në raportim gjithnjë e më real i ngjarjeve të ndodhura në punë dhe për shkak të punës. Në këtë kontekst vlerësohen pozitive masat ligjore të marra nga inspektorët gjatë hetimit të një aksidenti për rregullimin e situatës për mosndodhjen në të ardhmen.
Sigurisht vëmendje të shtuar kemi ndaj sektorëve që konsiderohen më me risk në këtë drejtim si, Minierat, Karrierat, Ndërtimi, Industria e përpunimit së metaleve, Rafineritë, Industri kimike etj.
Cili është fokusi juaj për sezonin veror dhe pas tij?
Gjatë sezonit veror, tashmë traditë e punës tonë, është forcimi i kontrolleve në sektorët e shërbimeve sidomos në zona turistike. Kështu, duke organizuar kontroll në Hotel-Bar-Restorante, kryesisht në sezone piku, inspektimi ka si synim minimizimin e formave të punësimit që vijnë në kundërshtim me Legjislacionin e Punës, (në vëmendjen tonë punësimi i të miturve, konform dispozitave të veçanta ligjore), minimizimi i punësimit pa kontrata pune dhe formalizimi i tyre përmes një marrëveshje ndërmjet punëmarrësit dhe punëdhënësit, që rregullon marrëdhëniet e punës konform Legjislacionit të Punës, sidomos në punën me turne (orët e vona), marrëdhënie pune korrekte specifikisht për punë sezonale.
Informaliteti
Informaliteti gri, ose mosdeklarim i pagës reale, mospagesë e punës së kryer në turne, festa zyrtare, ditë të pushimit javor, orë shtesë, elemente që përllogariten mbi pagën e përcaktuar në kontratën individuale të punës është dhe ai i cili mbizotëron në tregun e punës në Shqipëri.
Indeksi i të drejtave të punonjësve
Indeksi i të drejtave globale të ITUC 2018 ka vënë në shënjestër shtetet që nuk respektojnë të drejtat e punonjësve. Sipas këtij raporti, Shqipëria bën pjesë në shtetet, ku në mënyrë të rregullt, korporata të ndryshme shkelin të drejtat e punonjësve. Sipas raportit, kudo në botë ka pasur kufizime për fjalë të lirë në publik kur kërkohen të drejtat, si dhe janë shtuar protestat e sulmet gjithnjë e më të dhunshme ndaj mbrojtësve të të drejtave të punëtorëve.
“Puna e denjë dhe të drejtat demokratike janë cenuar në gati të gjitha vendet, ndërkohë që pabarazia vazhdoi të rritet”, -thuhet në raportin e ITUC. Në cilësimet e dhëna në raport, Shqipëria bën pjesë në grupin e shteteve ku të drejtat e punonjësve cenohen në mënyrë të rregullt, ashtu sikurse edhe në Maqedoni; ndërsa në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë në mënyrë sistematike, një nivel më i përkeqësuar sipas indeksit.
Fuqia e demokracisë për të ndryshuar rregullat u shfaqën me qeveritë e sapozgjedhur në Islandë, Kanada dhe Zelandë të Re që vepronin në interes të njerëzve që punonin, me ligje për të mbyllur boshllëkun e pagave gjinore, për të paguar pushimet, duke rritur pagat në mënyrë të vazhdueshme, si dhe me shfuqizimin e ligjeve represive të punës. (Burimi: Monitor)