Një tjetër dyqan është bllokuar në kuadër të aksioneve të ndërmarra nga AKU. Bëhet fjalë për një dyqan tregtimi mishi, i cili ushtronte aktivitet në Yzberisht prej 6 vitesh, pa asnjë dokument ligjor dhe në kushte të frikshme në lidhje me sigurinë ushqimore.
Inspektorët e AKU zbuluan dyqanin që tregonte mish ilegalisht, pa NIPT, duke konfiskuar mjetet e punës, 3 frigoriferë, si dhe ndaj pronarit të tij u vendos një gjobë në vlerën e 300.000 lekëve. Po ashtu, u konfiskua dhe një sasi mishi qengji. Madje, ky subjekt, në mënyrë ilegale, therte kafshë në pjesën e pasme të dyqanit.
AKU bën me dije të gjithë Operatorët e Biznesit Ushqimor, që aksionet janë të përditshme, në të gjithë sektorët, prodhim, tregtim, apo importim të produkteve ushqimore, derisa standardet e sigurisë të arrijnë nivelet e duhura.
Ndërkohë, AKU iu bën thirrje konsumatorëve, të jenë të kujdesshëm në blerjet e tyre, të mos konsumojnë mish apo produkte të tjera që nuk mbahen e tregtohen në kushte optimale, që garantojnë sigurinë ushqimore.