Pas procesit të shpëtimit nga falimentimi, miniera me famë e Trepçës do të jetë në bursat ndërkombëtare të metaleve. Premtimi është bërë nga kandidati për kryeministër i LDK-AKR, Avdullah Hoti, gjatë një vizite të hënën në Trepçë.
“Ne jemi të vendosur për ta zhvilluar Trepçën. Kemi bërë një hap të madh, duke e shpëtuar nga falimentimi. Tani e kemi kompletuar studimin e fizibilitetit dhe jemi duke i marrë komentet nga ekspertët më të mirë vendorë dhe ndërkombëtarë. Me këtë studim ne hapim mundësi të reja për zhvillimin e Trepçës dhe përshtatjen e saj me kushtet e tregut”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, pas 11 qershorit, së bashku me minatorët dhe strukturat drejtuese, do të nisim punën për zhvillimin e mëtejshëm të Trepçës duke sjellë investitorët më të mirë botë në fushën e minierave dhe metalurgjisë.
Ai ka thënë se me ligjin në fuqi minatorët janë bashkëpronarë të Trepçës dhe ne do të bëjmë gjithçka që është e mundshme për t’i përmirësuar kushtet e punës, për t’ua rritur pagat dhe për t’ju njohur stazhin e punës gjatë viteve ‘90.