“Krijimi i Qendrave të Informimit Publik për Regjistrimin online të Pasurive Kulturore Kombëtare”, është një projekt, i cili ka mbyllur fazën e parë. Është një investim i qeverisë shqiptare i aplikuar dhe i fituar nga Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore.
Ministrja Mirela Kumbaro deklaroi se tashmë është kaluar nga faza e emergjencës në atë të ri jetësimit të monumenteve të kulturës. Pasi bëri një prezantim të punës së realizuar në ruajtjen, mbrojtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore në katër vite, Kumbaro theksoi se “ndryshimi më i madh në trashëgiminë kulturore mbetet kalimi nga faza e emergjencës, (ku për dy vite rresht ndërhymë në objektet dhe monumentet me rrezikshmëri të lartë) në fazën e ri jetësimit të monumenteve duke e parë trashëgiminë si motor zhvillimi”.
“Ka qenë një nga arritjet, ku për të shkuar në këtë fazë kemi sensibilizuar jo vetëm opinionin publik, por kemi rivendosur bashkëpunimin me pushtetin lokal, shoqatat, biznesin”, tha ajo.
Përmirësimi i menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe përfshirja e saj në proceset e planifikimit dhe e zhvillimit të qëndrueshëm kërkon një dokumentim dhe regjistrim të saktë. Dokumentimi luan një rol strategjik, si domosdoshmëri për mbrojtjen e pasurive kulturore, artistike dhe historike të trashëguara nga e kaluara. Anëtarësimi dhe ratifikimi nga shteti shqiptar i shumë konventave ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore, përshtatja e legjislacionit në këtë fushë si dhe përfaqësimi i institucioneve krah organizmave ndërkombëtarë ka bërë prezantimin dinjitoz të kësaj trashëgimie në arenën ndërkombëtare si dhe të drejtat mbi këtë trashëgimi.
Drejtoresha e QKIPK-së, Silva Breshani prezantoi projektin , i cili bën të mundur krijimin e Sistemit Informatik Kombëtar të Administrimit të Pasurive Kulturore dhe Bazës së të dhënave shtetërore për regjistrimin e Pasurive Kulturore materiale dhe jomateriale për të gjitha kategoritë e zotëruesve. U prezantuan edhe dy projektet CEBE/ USAID dhe CBS Creative Bussines Solutions, qe synojnë promovimin e pikave turistike kulturore me një model të ri që ndërthur sipërmarrjen sociale me ruajtjen e monumentit.
Pjesë e konferencës ishin edhe Denis Wesne, përfaqësues i USAID Albania, Drejtori Ekzekutiv i CBS, Enio Jaço, Jonel Kristo, përfaqësues i projektit CEBE Albania.