Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka përfunduar hetimet në kuadër të procedimeve penale nr. 1167/2024, 1167/1 dhe 1167/2 dhe ka dërguar për gjykim tetë persona të përfshirë në një skemë të trafikimit të armëve nga Kosova drejt Shqipërisë.
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria bën të ditur se hetimi ka zbuluar një aktivitet të mirëorganizuar kriminal, ku pjesëtarët e grupit siguronin armë luftarake në Kosovë dhe synonin t’i futnin ato në Shqipëri për t’i shitur apo shpërndarë në tregun e paligjshëm.
Tre prej të pandehurve, shtetasit kosovarë E.Th., B.K. dhe M.K., u shpallën fajtorë me kërkesë të Prokurorisë. Sipas njoftimit, ata janë dënuar për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/a/2 i Kodit Penal. Dënimet e tyre janë si më poshtë:
B.K. – 8 vite burg
M.K. – 6 vite e 8 muaj burg
E.Th. – 7 vite burg
Prokuroria sqaron se dënimet u dhanë pasi hetimet provuan përfshirjen e tyre direkte në blerjen e një sasie të madhe pistoletash të tipit “Zoraki”, të cilat do të transportoheshin drejt Shqipërisë.
“Veprimet hetimore, të shoqëruara edhe me përgjime ambientale dhe me blerjen e simuluar, vërtetuan se këta shtetas kanë konsumuar veprën penale për të cilën akuzohen”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Për pesë të pandehurit e tjerë T.Sh., G.Ll., E.M. dhe A.M. çështja është dërguar në gjyq për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” (neni 278/6 i Kodit Penal). Ndërsa shtetasi V.O. do të gjykohet për veprën “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, në bazë të nenit 278/a/2.
Sipas Prokurorisë, hetimet nisën pas sinjalizimeve se shtetasit B.K. dhe M.K. kishin kryer blerjen e një sasie të konsiderueshme armësh të tipit “Zoraki”, të cilat do të përdoreshin për trafik drejt Shqipërisë.
Kjo çoi në ngritjen e një skuadre të përbashkët hetimore mes Shqipërisë dhe Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Eurojust. Gjatë operacionit të zhvilluar paralelisht në të dy vendet, u arrestuan 16 persona dhe u sekuestruan 64 armë zjarri dhe municione, duke i dhënë goditje një rrjeti të gjerë të trafikimit të armëve në rajon.
Prokuroria thekson se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe provat e mbledhura, përfshirë përgjime, ndjekje operative dhe blerje të simuluara, kanë qenë kyç për dokumentimin e aktivitetit të paligjshëm. Autoritetet nënvizojnë se armatimi i sekuestruar mund të ishte përdorur për ngjarje kriminale në Shqipëri, çka shton rëndësinë e këtij operacioni.
Me mbylljen e hetimeve paraprake, dosja i kalon Gjykatës për shqyrtim, ndërsa Prokuroria e Tiranës deklaron se do të vijojë ndjekjen e rasteve të këtij lloji, me fokus frenimin e qarkullimit të armëve të paligjshme dhe bashkëpunimin me agjencitë partnere brenda dhe jashtë vendit.














