Partia Demokratike ditën e sotme ka përshkallëzuar protestën me bllokimin e rrugëve kryesore në të gjithë vendin, por tre prej figurave qendrore të saj nuk janë shfaqur në asnjë moment.
Ish-kryeministri Sali Berisha, ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu nuk i janë bashkuar kësaj proteste.
Mirëpo, deputetja demokrate, Jozefina Topalli, edhe pse nuk ka marrë pjesë, ka lënë të kuptohet se nuk ka qenë kundër kësaj forme proteste.
“Mbështes çdo protestë për punë, për bukë, protestë kundra padrejtësive, kundra drogës, krimit, kundra korrupsionit, kundra kalbëzimit të qeverisjes. Qëndrimet e mia i kam bërë të qarta çdo seancë parlamentare e do vazhdoj ta bëj. Kam folur kur shumica heshte. Kam luftuar kur shumica kërcënonte e do vazhdoj të bëj betejën si opozitare, në respekt të bindjeve të mia, parimeve demokratike e rregullave të demokracisë”, është shprehur Topalli për “Balkanweb”
Ish-kryetarja e Kuvendit ka theksuar gjithashtu se ka 3 vite që përsërit nevojën për një opozitë të fortë ndaj qeverisë, ndërsa ka vënë në dukje faktin, se në kushte normale, Partia Demokratike duhej të ishte sot në fushatë.
“Ky vend është në zgrip të humnerës. E qytetarët e tij janë më të varfër se kurrë në këta 25 vite. Ne jemi në një pikë kritike. Kam të paktën 3 vite që e përsëris dhe kërkoj opozitë të fortë. Kjo qeverisje meritonte të përmbysej prej kohësh. Në kushte normale tani duhej të ishim në fushatë. Por në vendin tonë asgjë nuk është më normale. Dhe kjo situatë është shumë preokupuese”, ka deklaruar ish-kryeparlamentarja.