Sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson në një analizë në “New York Times”, shkruan se Rusia po shkatërron sovranitetin e vendeve perëndimore. Ndërsa e cilëson politikën e jashtme ruse si tepër të rrezikshme me ndërhyrjet e saj në zgjedhjet amerikane dhe më pas ato franceze.
Kremlini sipas Tillerson po kthehet në makthin e shumë vende tek të cilat kërkon të eksportojë politikën ekspansioniste të Ish-Bashkimit Sovjetik.
Duke kryer një udhëtim me analizën e tij, që nga Koreja e Veriut, Kina, Lindja e Mesme dhe lufta ndaj terrorizmit, Tillerson ndalet edhe tek Moska të cilën e konsideron një rival tejet agresiv, që sipas tij, po kërkon të minojë demokracitë perëndimore.
“Sa për Rusinë, ne s’kemi iluzione mbi regjimin që kemi përballë. Shtetet e Bashkuara kanë sot një marrëdhënie të dobët me një Rusi të rigjallëruar, që ka pushtuar fqinjët e saj, Gjeorgjinë dhe Ukrainën në dekadën e fundit, dhe e ka minuar sovranitetin e kombeve perëndimore duke u përzierë në zgjedhjet tona dhe të tjerëve”, shkruan Tillerson në analizën e tij.
Analiza e plotë:
Uashington-Gjatë vitit që po lëmë pas, Shtetet e Bashkuara janë përballur me sfida të mëdha në marrëdhëniet e tyre me Korenë e Veriut, Kinën, Rusinë, si dhe në përpjekjet e saj për të mposhtur terrorizmin ndërkombëtar.
Por amerikanët, lipset të inkurajohen nga përparimi që Departamenti i Shtetit dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID), kanë shënuar në nxitjen e paqes dhe stabilitetit global.
Kur Presidenti Trump mori detyrën, ai e identifikoi Korenë e Veriut si kërcënimin më të madh të sigurisë së Shteteve të Bashkuara.
Ai e braktisi politikën e dështuar të durimit strategjik. Në vend të saj, ne kemi zbatuar politikën e presionit, nëpërmjet sanksioneve diplomatike dhe ekonomike.
Koreja e Veriut
Këtë vit, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, miratoi njëzëri 3 nga rezolutat më të forta të sanksioneve në histori, duke përfshirë ndalimin e një numri të madh eksportesh të Koresë së Veriut si qymyr, hekur, prodhime deti dhe tekstile.
Shtetet e Bashkuara, u kërkuan aleatëve dhe partnerëve tanë të ushtrojnë një presion të njëanshëm ndaj Koresë së Veriut, në mënyrë që të detyrojnë regjimin të ndryshojë sjelljen e tij. Shumica e tyre janë përgjigjur me hapa pozitivë si ndërprerja e tregtisë, apo e lidhjeve diplomatike, si dhe dëbimi i punëtorëve të Koresë së Veriut.
Fushata jonë e presionit paqësor, ka reduktuar me rreth 90 për qind të ardhurat e eksportit të Koresë së Veriut, shumica e të cilave përdoren për të financuar zhvillimin e armëve të paligjshme.
Ne shpresojmë që ky izolim ndërkombëtar do të ushtrojë presion mbi regjimin, për ta detyruar atë të ulet në negociata serioze, për të braktisur programet e raketave bërthamore dhe balistike.
Dera e dialogut mbetet e hapur, por ne e kemi bërë të qartë se regjimi duhet të kthehet në tryezën e negociatave.
Nëse nuk ndodh zhdukja e armëve bërthamore, presioni do të vazhdojë. Një element qendror i strategjisë sonë ndaj Koresë së Veriut, është të bindim Kinën që të ushtrojë ndikimin e saj vendimtar mbi Phenianin.
Kina
Kina ka zbatuar disa ndalime dhe sanksione mbi importin, por mund dhe duhet të bëjë më shumë.
Ne gjithashtu do të vazhdojmë të ndjekim interesat amerikane në fusha të tjera të marrëdhënieve tona, duke përfshirë pabarazitë e tregtisë, vjedhjes së pronës intelektuale dhe aktiviteteve shqetësuese ushtarake të Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe gjetkë.
Rritja e Kinës si një fuqi ekonomike dhe ushtarake, kërkon që Uashingtoni dhe Pekini të marrin me kujdes në konsideratë, se si të menaxhojnë marrëdhëniet midis tyre për 50 vitet e ardhshme.
Lufta ndaj terrorizmit
Mposhtja e terrorizmit, mbetet një nga prioritetet më kryesore të presidentit. Strategjia agresive e administratës, për të luftuar Shtetin Islamik, i delegon një autoritet më të madh komandantëve ushtarakë amerikanë në fushën e betejës, duke i dhënë forcës sonë më shumë liri dhe shpejtësi për të bërë atë që ne bëjmë më mirë, në partneritet me forcat luftarake vendase.
Për rrjedhojë, Koalicioni Global për të Mposhtur ISIS-in ka përshpejtuar operacionet, dhe ka rimarrë pothuajse të gjithë territorin që zotëronte më herët Shteti Islamik në Irak dhe Siri.
Ndërsa ushtria jonë po ndihmonte në spastrimin e Irakut dhe Sirisë nga forcat e Shtetit Islamik, diplomatët tanë po koordinonin ndihmën logjistike dhe atë humanitare, si pastrimin e minave tokësore, rikthimin e ujit dhe energjisë elektrike nëpër banesa, si dhe rikthimin e fëmijëve në shkolla.
Angazhimi për të ndalur terrorizmin islamik dhe ekstremizmin, motivoi gjithashtu vendimin e administratës për të miratuar një strategji të re mbi Azinë Jugore, e cila përqendrohet në Afganistan.
Ky vend nuk mund të bëhet më një strehë e sigurt për terroristët, sikurse ishte në ditët përpara sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Pakistani, duhet të kontribuojë duke luftuar grupet terroriste në territorin e vet.
Ne jemi të përgatitur të bashkëpunojmë me Pakistanin, për të mposhtur organizatat terroriste që kërkojnë streha të sigurta, por Pakistani duhet të dëshmojë dëshirën e tij për të bashkëpunuar me ne.
Rusia
Sa për Rusinë, ne s’kemi iluzione mbi regjimin që kemi përballë. Shtetet e Bashkuara kanë sot një marrëdhënie të dobët me një Rusi të rigjallëruar, që ka pushtuar fqinjët e saj, Gjeorgjinë dhe Ukrainën në dekadën e fundit, dhe e ka minuar sovranitetin e kombeve perëndimore duke u përzierë në zgjedhjet tona dhe të tjerëve.
Emërimi i Kurt Volker, ish-ambasadorit tonë në NATO, si përfaqësues të posaçëm për Ukrainën, pasqyron angazhimin tonë për rivendosjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. Në mungesë të një zgjidhje paqësore të situatës në Ukrainë, e cila duhet të fillojë me zbatimin nga ana e Rusisë të Marrëveshjeve të Minskut, s’mund të ngrijmë tërësisht marrëdhëniet me Rusinë.
Ndërsa jemi vigjilentë ndaj agresionit të Rusisë, ne e njohim nevojën për të bashkëpunuar me Moskën, aty ku ndërthuren interesat reciproke. Dhe kjo nuk është askund më e dukshme se sa në Siri.
Tani që presidenti Vladimir Putin është i përkushtuar ndaj procesit politik të Gjenevës, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, për të siguruar një të ardhme të re për Sirinë, ne presim që Rusia të përmbushë angazhimet e saj.
Siria dhe Irani
Ne jemi të bindur se përfundimi me sukses i këtyre bisedimeve, do të prodhojë një Siri të lirë nga Bashar Al-Asadi dhe familja e tij. Së fundmi, marrëveshja bërthamore problematike me Iranin, nuk është më çështja qendrore e politikës sonë ndaj Iranit.
Tashmë po përballemi me tërësinë e kërcënimeve iraniane. Një pjesë e kësaj strategjie, përfshin rindërtimin e aleancave me partnerët tanë në Lindjen e Mesme, dhe në nëntor ne ndihmuam rivendosjen e lidhjeve diplomatike midis Irakut dhe Arabisë Saudite.
Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë dhe me Kongresin, për të shqyrtuar mundësitë për adresimin e shumë gabimeve që ka marrëveshja aktuale mbi programin bërthamor iranian, duke ndërtuar një përpjekje të përbashkët për të ndëshkuar Iranin për shkeljet e angazhimeve mbi raketat balistike, dhe aktivitetet e tij destabilizuese në rajon.
Unë jam krenar për atë që ekipet tona të Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë për Zhvillimin Ndërkombëtar kanë arritur këtë vit në mbarë botën, dhe përparimi ynë do të vazhdojë në vitin 2018 dhe më tej. Për këtë qëllim, ne kemi ndërmarrë një rishikim të strukturës të Departamentit të Shtetit, për të forcuar aftësinë e ekipeve tona në përmbushjen e misionin tonë.
Rrishikimi nuk është formal. Ai duhet të adresojë problemet rrënjësore, që çojnë në jo efikasitet dhe frustrim.
Sfidat e DASH
Nëpërmjet ndërmarrjes së ndryshimeve si riorganizimi i burimeve tona njerëzore, dhe sistemeve të teknologjisë së informacionit, përshtatja më e mirë personelit dhe burimeve me përparësitë strategjike të Amerikës, dhe me reformimin e proceseve të dyfishta, ne po i japim njerëzve tanë më shumë mundësi për t’u zhvilluar në aspektin profesionale, dhe për të kaluar më shumë kohë përballë problemeve globale, të cilave i kanë kushtuar karrierat për t’i zgjidhur.
Kur zgjohem çdo mëngjes, mendimi im i parë është:”Si të mundem unë dhe kolegët e mi në Departamentin e Shtetit, ta përdorim diplomacinë për të parandaluar që njerëzit në mbarë botën të vriten, të plagosen ose të privohen nga të drejtat e tyre?”.
Përkundër sfidave, unë mbetem optimist mbi fuqinë e diplomacisë për të zgjidhur konfliktet, dhe për të çuar përpara interesat amerikane. Besimi im buron, nga vetëdija se përpjekjet tona ndërmerren çdo ditë nga punonjësit tanë patriotë e të përkushtuar të Departamentit të Shtetit patriotik, që bëjnë sakrifica për të shërbyer me durim dhe këmbëngulje, dhe të cilët duke avancuar vlerat demokratike në mbarë botën, po i mbrojnë të drejtat e qytetarëve tanë për të jetuar, qenë të lirë dhe të lumtur.
Shënim:Rex Tillerson është Sekretari Amerikan i Shtetit.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce