Pashkët katolike janë kremtuar me një meshat e zakonshme të drejtuara nga Papa Françesku në Vatikan.
Në meshën e mesnatës në Vatikan me rastin e pashkës katolike, Papa Françesku bëri thirrje për më tepër angazhim kundër padrejtësisë.
Sipas atit të shenjtë, padrejtësia është kthyer në rutinë dërrmuese që po justifikohet me slloganin “gjithnjë kështu ka ndodhur”.
Papa Françesku po drejton edhe meshën tradicionale të pashkës ku jepet edhe mesazhi “Urbi et Orbi”.
Ndërsa, Papa Françesku pagëzoi emigrantin hero të Italisë në meshën e Pashkëve, të mbajtur në orët e para të së dielës në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.31-vjeçari John Ogah po lypte jashtë një supermarketi në Romë vitin e kaluar, kur një person i maskuar dhe me një hanxhar në dorë hyri për të grabitur. Nigeriani e bllokoi agresorin duke e shtrirë në tokë dhe priti derisa të vinte policia.
Emigrantit, i cili u largua menjëherë pasi policët mbërritën në vendngjarje nga frika se mos e kthenin në vendlindjen e tij, iu dha leja e qëndrimit në Itali për këtë veprim. Sipas Ansa-s, ai tashmë punon me Kryqin e Kuq dhe ka një shtëpi në Romë.
Përveç nigerianit, Papa Françesku pagëzoi edhe 7 persona të tjerë dhe u bëri thirrje katolikëve që të mos qëndrojnë duarkryq përballë padrejtësive.
Dhjetëra mijëra besimtarë nga mbarë bota janë mbledhur në sheshin Shën Pjetër, i blinduar nga masa të rrepta sigurie nga rreziku i sulmeve terroriste.