Avokati i Klement Balilit, Theodhori Sollaku, të enjten, deklaroi se Policia e Shtetit gjatë operacioneve për kapjen e tij ka kryer procedura jo-ligjore, duke terrorizuar familjarët dhe të afërmit e tij përgjatë kontrolleve në banesa në orët e vona të natës.
Sollaku tha se ka parë dosjet hetimore dhe aty ka vënë re shumë shkelje të rënda ligjore, duke filluar që nga përgjimet e çdo të afërmi apo fshatari të tij që mendohej se Balili mund të kishte lidhje.
Avokati tregoi se policia nuk verifikonte informacione dhe as nuk hetonte, por pas çdo dyshimi të mundshëm hynte në orët e vona të natës në banesa, duke terrorizuar fëmijë dhe familjarë.
Sipas tij, kjo procedurë nuk është ligjore dhe aspak profesionale për uniformat blu në vendin tonë.