Kompania e cila ndërtoi urën “Morandi” në Xhenova, ka firmosur me qeverinë shqiptare kontratë për ndërtimin e spitalit të ri 7-katësh në QSUT. Ky denoncim vjen nga partia “Zgjidhja”, ku kërkon hetim të menjëhershëm të kontratës së spitalit tonë, me kompaninë italiane. Sipas kësaj force, ngjarja në fjalë ngre alarmin edhe për punët që firma ndërtuese po bën në Shqipëri.
Kompania “Condotte SPA”, ndërtuese e urës “Morandi” në Xhenova të Italisë, prej muajsh është përfshirë në një skandal korruptiv. Kompania në fjalë i ka shtrirë aktivitetet edhe në Shqipëri, përmes kompanisë-bijë “INSO”, e cila firmosi në majin e kaluar me qeverinë shqiptare, kontratën për ndërtimin e spitalit të ri 7-katësh në QSUT “Nënë Tereza”, me vlerë 14.4 milionë euro.
“Zgjidhja” citon më tej se në Shqipëri tenderat u dhurohen vetëm kompanive që paguajnë rryshfete të majme, për anëtarët e qeverisë.