Ushqimet që zgjedhim të hamë mund të bëjnë diferencën kur është fjala për të pasur një gjumë të mirë gjatë natës. Nëse keni probleme me rënien në gjumë apo pasjen e një gjumi të qetë, dhe zgjoheni në mëngjes të lodhur, mund të ketë ardhur koha të bëni inventarin e asaj që po hani dhe kohën kur ndodh kjo. Këto janë zakonet të cilat duhet t’i shmangni për të pasur një gjumë të pandërprerë:
- Konsumimi i tepërt i kafeinës
Sipas një studimi, kafeina mund të ndërhyjë tek gjumi, edhe kur konsumohet deri në 6 orë para fjetjes gjumit. Ajo ndërhyn në veprimin e një kimikati të njohur si adenozina, që ka veti qetësuese dhe grumbullohet në tru për të sinjalizuar gjumin. Gjithashtu ajo mund të ndërhyjë në ritmet cirkadiane, të cilat mund të vonojnë fillimin e gjumit. Përveç kafesë, kafeina gjendet tek çaji, pijet freskuese, pijet energjike dhe çokollata.
- Konsumi i vakteve në sasi të mëdha
Një darkë e bollshme me makarona ose biftek, mund të jetë tërheqëse nëse nuk keni ngrënë shumë gjatë gjithë ditës. Por një vakt i tillë mund të shkaktojë fryrje në barkut, duke e bërë të vështirë rënien në gjumë dhe vijimësinë e tij. Për më tepër, yndyrnat kërkojnë më shumë kohë për t’u tretur.
Prandaj, provoni t’i shmangni vaktet me shumë yndyrë në darkë, dhe prisni të paktën 2orë pasi keni ngrënë për t’u shtrirë për të fjetur. “Dhe mos u ulni direkt në kolltuk duke parë televizor, bëni ca shtriqje muskujsh dhe lëvizni pak”- thotë Vandana Shet, dietologe nga Kalifornia.
- Konsumi i tepërt i sheqerit
Studimet sugjerojnë se konsumi i sasive të larta të sheqerit, mund të shkaktojë djersitje gjatë natës për gratë pas menopauzës, thotë Nensi Alen, dietologe në Virxhinia dhe zëdhënëse e Akademisë së Nutricionit dhe Dietetikës.
- Ushqimet pikante
Ushqimet pikante mund të shkaktojnë urth në stomak, duke e bërë të vështirë rënien në gjumë dhe duke shkaktuar shqetësime gjatë natës. Ndaj kufizoni ose shmangni ushqimet pikante. Ndërkohë edhe ushqimet me shumë aciditet mund të kontribuojnë tek zgjimi gjatë natës.
- Alkooli
Të pirit një gotë verë disa orë para se të flini mund të ndihmojë të rënit në gjumë, por pirja pak para gjumit mund të shqetësojë gjumin gjatë natës, thotë Alen. “Kjo gjë mund të pengojë sasinë e gjumit të thellë që bëjmë gjatë natës, të shtojë shkuarjet në banjë në mesin e natës, dhe të dehidratojë trupin, çka sjell dhimbjen e kokës”- thekson Alen.
- Shumë lëngje
Konsumimi i sasive të mëdha të çdo lloj lëngu në mbrëmje, mund të rrisë frekuencën e urinimit, duke kontribuar kësisoj në zgjimet e shpeshta gjatë natës. Prandaj, ekspertët këshillojnë të shmangni pirjen e lëngjeve afër kohës së gjumit.
- Qenia nën apo mbipeshë
Qenia mbipeshë mund të rrisë rrezikun e apnesë gjatë gjumit, e cila mund të ndikojë në aftësinë për të marrë frymë gjatë natës. Por ekspertët thonë se edhe njerëzit që janë shumë të dobët, mund të përjetojnë gjithashtu ndërprerje të gjumit.
- Kufizimi i kalorive gjatë ditës
Disa njerëz që e kufizojnë rreptësisht konsumimin e kalorive të nevojshme gjatë orëve të ditës, do të nisin të konsumojnë shumë ushqim në orët e mbrëmjes pak para gjumit, gjë që mund të sjellë shqetësime gjatë gjumit.
Burimi i lajmit: https://edition.cnn.com/2021/03/17/health/eating-habits-poor-sleep-wellness/index.html
Përshtatur nga TIRANA TODAY