Bardhi Quku, Tirana Today/Strategjia gjeopolitike e Rusisë në vitet e fundit në rajonin e Ballkanit është rritur ndjeshëm. Moska ka ndjekur taktika të ndryshme për të ushtruar ndikimin e saj në vendet e Ballkanit, për t’i orientuar kah politikës së saj, për t’i mbajtur në stanjacion të vazhdueshëm apo edhe për t’i kthyer kundër Perëndimit.
Kohët e fundit, po shihet një tendencë politike e shumë vendeve të Ballkanit Perëndimor që po kërcënojnë Bashkimin Evropian me orientimin drejt Kremlinit, nëse Brukseli tregohet kokëfortë përballë kërkesës së vazhdueshme për t’u bërë pjesë e Unionit.
Kjo ka krijuar një klimë favorizuese për Rusinë e cila e përdor Ballkanin edhe si një fushëbeteje të përhapjes së lajmeve të rreme apo tashmë e njohur botërisht me termin “Fake News”.
Në këtë terren të brishtë siç është rajoni i Ballkanit, Rusia po përdor Serbinë, si0 bazën kryesore për shpërndarjen e lajmeve të rreme dhe për të hedhur tymnajë ndaj vendeve që aspirojnë të integrohen në familjen evropiane.
Kështu, gjatë muajit të kaluar, disa nga mediat serbe transmetuan “lajme” që kërkonin të nxinin imazhin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke theksuar se ajo u financua nga terroristët, dhe konkretisht “Al Qaeda” gjatë luftës së Kosovës.
Inserbia.info ishte njëra nga mediat që i mëshoi më shumë këtij “lajmi” duke shtuar gjithashtu se edhe politikanët shqiptarë që ishin në pushtet përgjatë luftës së Kosovës ishin të lidhur me terroristët.
Ndërsa nuk parashtron asnjë fakt mbi financimin e mundshëm të UÇK-së dhe lidhjet e zyrtarëve kosovarë dhe shqiptarë me grupet terroriste të drejtuara asokohe nga Osama Bin Laden, siç pretendon Inserbia.info.
Lajme të tilla që transmetojnë mediat ruse në gjuhën serbe si “Sputnik”, “Russia Today” në anglisht, apo edhe ajo serbe Inserbia.info tentojnë të formësojnë në opinionin publik se Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të mbeten një vatër e lidhjeve të vjetra me fundamentalistët islamikë.
Një orientim i tillë krijon një perceptim negativ në sytë e perëndimorëve dhe kryesisht Brukselit, i cili mund ta shohë me rezerva luftën ndaj ekstremizmit dhe radikalizmit. Ndërkohë që Shqipëria vetë ka treguar historikisht se është një shembull sa i përket tolerancës fetare dhe një orientimi qartësisht perëndimor, pavarësisht luhatjeve politike.
Në këtë mënyrë, del në pah e gjithë strategjia e Moskës dhe Beogradit për të pasur një rajon të destabilizuar si dhe për të treguar paaftësinë e Ballkanit për të qenë pjesë e strukturave dhe organizatave perëndimore.
Për të testuar raportet midis vendeve të Ballkanit, por edhe duke luajtur me atë që ka ndodhur në të kaluarën, mediat e Beogradit nuk ngurrojnë të hedhin edhe teza lufte në Ballkan. I tillë ishte edhe artikulli i pak javëve më parë nga Sputnik.
Sipas medias ruse në gjuhën serbe “një konflikt i ri do të lindë në rajon”. Ndërsa shkruajnë se Kosova do të hyjë në luftë me Malin e Zi dhe burimi i konfliktit sipas tyre, do të jetë çështja e demarkacionit. Sputnik nuk ngurron të shtojë se në këtë konflikt do të përfshihet edhe Shqipëria.
Duke qenë se Kosova dhe Mali i Zi përbëjnë dy humbjet më të mëdha në rajon si për Serbinë ashtu edhe për Rusinë, e cila nuk mundi që sivëllain e saj të vogël pas Serbisë ta mbante nën kontroll, tashmë po tenton ta destabilizojë me teza të tilla duke e përplasur me Kosovën.
Duket qartë se Rusia nuk e ka kapërdirë dot shkëputjen e Malit të Zi prej kthetrave të saj dhe anëtarësimin e tij në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ndaj, rruga e fundit, mbetet përhapja e lajmeve të rreme që kanë për bazë destabilizimin e këtyre vendeve dhe rajonit në përgjithësi.
Madje, shkohet deri aty sa theksohet se NATO do të mbyllë sytë përballë këtij konflikti. E gjykuar nga qëndrimi i NATO-s përballë Ballkanit, ky është një argument që s’ka as bazë logjike dhe as formale, pasi një organizatë e tillë nuk mund të mbyllë sytë kur dy vende anëtare të saj (Shqipëria dhe Mali i Zi) mund të përplasen me njëra-tjetrën.
Aq më tepër që NATO dhe Perëndimi kanë bërë çmos për të mbyllur plagët e Ballkanit, pavarësisht problemeve që kanë mbetur pas. Dhe një konflikt i ri do të ishte dështimi më i madh për të, në kohën kur Aleanca kërkon të rrisë shtrirjen e saj me anëtarë të rinj dhe jo të heshtë përballë vendeve që mund të hyjnë në konflikt me njëra-tjetrën.
Për këtë arsye, pavarësisht se rajoni i Ballkanit është mjaft i brishtë për shkak të së kaluarës dhe përplasjeve historike, kulturore dhe gjeopolitike, Perëndimi nuk do të bënte dot shurdhin dhe të verbrin pas atyre që ndodhën në Bosnje dhe Kosovë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të ndërgjegjshme se destabilizimi i rajonit të Ballkanit do të favorizonte vetëm Moskën, e cila do të intensifikonte ndikimin e saj.
Duke u ndodhur përballë këtij fakti historik, Rusia tenton të testojë me lajme të rreme opinionin publik në rajonin e Ballkanit, duke përdorur si përforcues të mesazheve të saj, Beogradin.
Përmes artikujve të sipërpërmendur Moska kërkon ta paraqesë Kosovën si vatër të ekstremizmit islamik duke lidhur aktivitetin e dikurshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me “Al Qaedën” dhe liderin e saj, Osama Bin Laden, i vrarë nga SHBA.
Një stigmatizim i tillë ndaj Kosovës kërkon ta vendosë rrjedhimisht këtë të fundit kundër SHBA-ve, vendi nga i cili Kosova u çlirua dhe shpëtoi nga regjimi i Millosheviçit, pas bombardimeve mbi Beograd.
Kjo është një strategji e vjetër propagandistike, ku gazetarët e Sputnik intervistojnë po të njëjtët personazhe, të cilët janë të njohur për qëndrimet e tyre anti-NATO dhe pro-Rusi. Ata flasin si për Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë duke ricikluar po të njëjtat qëndrime, e duke ndryshuar vetëm emrat e shteteve.
Kremlini nuk ngurron të përforcojë edhe idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, që sipas Sputnik, liderët kosovarë dhe ata shqiptarë po shohin si rrugë të tretë bashkimin në një shtet të vetëm. Këtë tezë media ruse nuk harron ta publikojë më 28 nëntor, në 105-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, duke tentuar të provokojë haptazi përmes një burimi krejtësisht anonim.
Sipas Sputnik, nëse Kosova nuk do të arrijë të plotësojë numrin e duhur të njohjeve të pavarësisë së saj atëherë ajo do të mbajë një referendum për t’u bashkuar me Shqipërinë. Ndërsa shton se kjo do ta vendoste edhe atë nën ombrellën e Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke qenë se Shqipëria është pjesë e kësaj organizate, duke e bërë atë të paprekshme nga vetë Serbia.
As Shqipëria nuk ka shpëtuar nga fabrikimi i lajmeve të tilla, kur pak ditë më parë gazeta prestigjioze, “La Repubblica” shkruante sesi një kompani ruse financonte fabrikimin e lajmeve të rreme në gjuhën italiane përmes disa portaleve që administroheshin nga dy të rinj nga Lezha.
Dokumenti i siguruar nga “Faktor.al” tregon se si gazetarët italianë në investigimin e IP-ve në tre shtete: Angli, Shqipëri dhe Rusi, kanë gjurmuar aktivistët e lajmeve të rreme në gjuhën italiane. “Në Shqipëri kanë mbërritur të identifikojnë dy djem në Lezhë që kishin hapur disa portale në gjuhën italiane me qëllim nxjerrjen e lajmeve të rreme, marrjen e reklamave nga kompani dhe shtete të ndryshme, për të ndikuar në fushatën zgjedhore në Itali”, shkruan Faktor.al
“La Repubblica” saktëson më tej se “kompania më e madhe ruse e reklamës Adlabs, financonte kompaninë start –up ClickIo që sugjeroi klientëve të saj, edhe çfarë përmbajtje të shkruajnë dhe çfarë temash: për emigrantët, rrezikun islamik ose për celebrimin e Putinit si njeri i fortë”.
Përhapja e lajmeve të tilla të rreme dhe propagandistike përmes të cilave, Moska kërkon të rrisë ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit, janë njëherësh edhe një testim ndaj vetë vendeve të këtij rajoni.
Kremlini synon që vendet të bien pre e këtyre mesazheve propagandistike, në mënyrë që më pas të përdorë taktikat e tjera gjeopolitike për tërhequr pas vetes politikën zyrtare të shteteve të Ballkanit. Kur nuk ia arrin këtij objektivi hedh në qarkullim lajme që flasin për përplasje midis vendeve që nuk i kontrollon dot.
Një politikë e tipit “përça dhe sundo” në formatin e shekullit 21 po tentohet të formësohet nga Rusia në rajonin e Ballkanit. Presioni është i madh, po aq sa edhe rezistenca. Ndërsa në mes janë BE dhe SHBA që iu duhet të hedhin sytë mbi Ballkan sa herë stabiliteti i brishtë rrezikon të kthejë fantazmat e së shkuarës.