Një 15-vjeçar ka vrarë tre studentë dhe ka plagosur tetë të tjerë, përfshirë një mësues, në të shtënat me armë zjarri në shkollën e mesme në shtetin amerikan të Miçiganit.
Zyrtarët thonë se një djalë 16-vjeçar dhe dy vajza të moshës 14 dhe 17 vjeç vdiqën.
Policia pretendon se i dyshuari, një nxënës në shkollë, përdori një pistoletë që babai i tij e kishte blerë të premten.
Gjatë sulmit, studentët janë fshehur nën tavolina. Disa raportohet se kishin qëndruar në shtëpi të martën, për shkak të problemeve të sigurisë.
Policia mori thirrjet e para të urgjencës nga shkolla e mesme në qytetin e Oksfordit, rreth 40 milje (65 km) nga Detroit, në orën 12:51 me kohën lokale.
Brenda pak minutash, më shumë se 100 telefonata ishin bërë në numrin e shërbimit të urgjencës 911.
Zyrtarët thonë se i dyshuari u dorëzua pesë minuta pasi policia u thirr, kur oficerët u përballën me adoleshentin në korridorin e shkollës.
Autori lëvizte me një pistoletë gjysmë automatike, që mbante shtatë fishekë. Sekuenca e saktë e ngjarjeve mbetet e paqartë, por policia tha se besonte se i riu kishte mbajtur armën në shkollë me një çantë shpine, dhe kishte dalë nga një banjë duke tundur armën.
Tre studentë vdiqën në sulm, dy vajza adoleshente dhe një mashkull 16 vjeç, i cili vdiq në makinën e një deputeti lokal përpara se oficeri të mund ta çonte në spital.
Dy nga të plagosurit i janë nënshtruar një operacioni, ndërsa gjashtë të tjerët janë në gjendje të qëndrueshme, me plagë me armë zjarri.
Të gjitha shkollat do të jenë të mbyllura për pjesën tjetër të javës, dhe po ofrohet mbështetje për nxënësit dhe prindërit. “Sigurisht që jam i tronditur. Jam i shkatërruar”, tha mbikëqyrësi i shkollave në Oksford, Tim Throne.
Studentët qëndruan në shtëpi, për arsye sigurie
Sipas gazetës “Detroit Free Press”, thashethemet kishin qarkulluar për një sulm të mundshëm dhe disa studentë kishin vendosur të mos ndiqnin mësimet të martën.
Prindi Jody Job i tha gazetës se djali i saj kishte lënë shkollën, sepse “ai ndjente se diçka do të ndodhte”. Robin Redding i tha “Associated Press” se djali i saj kishte humbur gjithashtu mësimet, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
“Ai nuk ishte në shkollë sot”, tha ajo. “Ai thjesht tha se “Mami nuk ndihem rehat. Asnjë nga fëmijët me të cilët shkojmë në shkollë, nuk do të shkojë sot”.
Policia paralajmëroi kundër spekulimeve për shqetësimet e sigurisë, përpara përfundimit të hetimit.
Presidenti Joe Biden foli për të shtënat gjatë një vizite në Minneapolis, Minesota. “Zemra ime është me familjet që durojnë pikëllimin e paimagjinueshëm të humbjes së një njeriu të dashur”, tha ai.
Të shtënat në SHBA në terrenet e shkollave, kanë ardhur vazhdimisht në rritje vitet e fundit, sipas grupit pro-kontrollit të armëve Everytown.
Pas një rënieje të shkurtër vitin e kaluar gjatë bllokimeve të koronavirusit, numri i sulmeve të tilla është rimëkëmbur me 138 incidente të shtëna me armë zjarri në terrenet e shkollës deri më tani në 2021.
Burimi i lajmit: BBC. Përshtatur nga Tirana Today