Qeveria miratoi disa vendime sot për shpalljen e disa zonave me përparësi për zhvillimin e ekonomisë në disa bashki si Belsh, Përmet, Skrapar, Elbasan. Ajo që bie në sy në njoftimin e qeverisë (KLIKO KETU) është se mbledhja drejtohej nga zv.kryeministrja Belinda Balluku.
Drejtimi i mbledhjes së qeverisë nga Balluku nuk është hera e parë që ndodh. Kjo është një procedurë rutinë sa herë që kryeministri Rama udhëton jashtë vendit.
Por lënia e stafetës tek Belinda Balluku këtë të mërkurë është bërë në kontekstin e hetimit të SPAK, ku ajo është thirrur bashkë me një avokat në lidhje me tenderin e supervizimit të tunelit të Llogarasë.
Ditët e fundit Balluku ka dalë në media për një takim me homologët për energjinë, pastaj për prezantimin e drejtorit të ri të portit të Durrësit Liburn Aliu dhe së fundmi duke prezantuar drejtorin e ri të DPRRTRSH-së, Kreshnik Bajraktari.
Mesazhi që numri dy i qeverisë po jep për publikun është se pozitat e saj nuk janë lëkundur dhe “Bela” është ende e preferuara e Ramës në mbikqyrjen e punëve të qeverisë.
Por se çfarë mendon Edi Rama nuk është e lehtë për t’u dekriptuar. Si momenti më flagrant i lojës së dyfishtë që bën me vartësit e tij është dalja publikë që bëri publikisht me Erjon Veliajn para se ky të arrestohej. Pas një viti që e kishte shmangur kryebashkiakun e Tiranës, Rama doli brenda ditës në dy aktivitete me të duke dhënë sinjale se e mbështeste në punën e tij. Nuk kaluan as dy javë dhe Veliaj u arrestua.
Publikisht, Rama e mbrojti kryebashkiakun edhe disa javë pas arrestimit, ndërsa në një prononcim për DW, kur u pyet për Belinda Ballukun, ai dha një përgjigje sterile, të vështirë për t’u deshifruar. “Nuk kam asnjë koment për asnjë rast. Siç e kam thënë, ne kemi punën tonë, drejtësia punën e vet dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykata popullore e politike dhe e mediave që i shërbejnë politikës” u shpreh Rama./Lapsi.al















