Teksa numri i njerëzve me diabet vazhdon të rritet, qasja ndaj insulinës do të ulet. Ky është rezultati aspak i mirë që parashikon një studim i bërë së fundmi.
Studimi i publikuar të mërkurën në revistën “Lancet Diabetes and Endocrinology” parashikon se në vitin 2030, 79 milion të rritur me diabet të tipit 2 pritet të kenë nevojë për insulinë për të menaxhuar gjendjen e tyre, por duket se vetëm gjysma e tyre do të kenë mundësi të marrin insulinën.
Studiuesit paralajmërojnë se qasja e insulinës duhet të përmirësohet ndjeshëm veçanërisht në rajonet e Afrikës dhe Azisë, të cilat do të jenë më të prekura.
“Vlerësimet sugjerojnë se nivelet e tanishme të aksesit të insulinës janë shumë të papërshtatshme në krahasim me nevojën e parashikuar, veçanërisht në Afrikë dhe Azi. Duhet t’i kushtohet më shumë përpjekje tejkalimit të kësaj sfide shëndetësore”, tha doktor Sanjau Basu, i cili udhëhoqi hulumtimin.
“Përkundër angazhimit të OKB-së për të trajtuar sëmundjet jo-ngjitëse dhe për të siguruar akses universal ndaj ilaçeve për diabet, në të gjithë botën insulina është e pakët dhe paaksesueshme për pacientët.”
Insulina është e nevojshme të trajtojë njerëzit me tipin 1 të diabetit dhe disa me tipin 2. Po ashtu, kjo sëmundje lidhet edhe me mënyrën e jetesës, siç është obeziteti, dieta e varfër apo aktiviteti i ulët fizik. / TIRANA TODAY