Vrapi është një aktivitet që ndikon drejtpërdrejt në jetëgjatësinë e njeriut. Sipas një studimi 15-vjeçar, ecja ose vrapi largon me 25-40% rrezikun e vdekshmërisë së hershme.
Studimi i publikuar në revistën “Progress in Cardiovascular Diseases”, thekson se vrapi është një faktor kyç për jetëgjatësinë, ndërsa njerëzit që vrapojnë jetojnë të paktën 3 vjet më shumë se ata që nuk vrapojnë.
Autorët e studimit thonë se çdo orë që shpenzoni duke ecur, ose duke vrapuar, ju jep 7 orë jete shtesë, ndërsa shtojnë se këto përfundime do të jenë një shtysë për njerëzit që të merren më shumë me ushtrime fizike.
Gjatë studimit, shkencëtarët morën për bazë rreziqet kryesore, që shkaktojnë vdekje të parakohshme, dhe hulumtuan 55 mijë njerëz.
Nëse duhanpirësit ndalonin së piri duhan menjëherë, ata shmangnin 11% të vdekjeve të parakohshme, ndërsa tensioni i lartë i gjakut ishte një tjetër kontribues në nivelin e vdekjeve të parakohshme, me 15 %.
Gjithashtu, në studim është bërë një krahasim i njerëzve që vrapojnë dhe i atyre që janë aktive, por nuk vrapojnë. Sipas këtij krahasimi rezulton se përfitimi në jetëgjatësi i njerëzve që nuk vrapojnë, por që janë aktivë është 12 përqind, ndërsa ai i njerëzve që vrapojnë, por jo në mënyrë aktive është 30 përqind.
Pra, vrapi është një tregues më i fortë i shëndetit se çdo formë tjetër e stërvitjes, edhe nëse ky aktivitet zgjat shumë pak.