Shtrëngimi i lakut nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku ka kaluar në një fazë vendimtare. Ajo që nisi si një hetim administrativ mbi tenderët dhe koncesionet, tashmë po shndërrohet në një dosje gjithëpërfshirëse me dyshime për një grup të strukturuar kriminal. Në qendër të orbitës së hetimeve janë vendosur bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe mbështetësit kryesorë të saj në administratë, ndërkohë që ndaj ish-ministres janë shtuar së fundmi akuzat për korrupsion e pastrim parash, pas zbulimit dhe sekuestrimit të një vile në Dhërmi, e cila dyshohet të jetë përfituar në këmbim të favorizimeve në prokurime publike.
Elementi më thelbësor që e bën këtë dosje të “hekurt” dhe e shndërron në një kurth të pashmangshëm për të gjithë hierarkinë e përfshirë, është fakti se e gjithë kjo strukturë, përfshirë vetë ish-zv/kryeministren, ka qenë prej kohësh nën survejim të vazhdueshëm dhe përgjime ambientale. Prokurorët kanë mbajtur nën “syrin” e drejtësisë jo vetëm lëvizjet financiare, por çdo komunikim të brendshëm, duke ndërtuar një hartë të plotë të vendimmarrjes së paligjshme.
Verdho dhe Jahaj, dy “nyje” kyçe nën lupën e prokurorëve
Paraqitjet e djeshme në SPAK të drejtorit të Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, dhe deputetit të Partisë Socialiste, Klevis Jahaj, shënon një zhvillim të fortë, duke konfirmuar se hetuesit po çmontojnë një skemë të mirëfilltë abuzimi me pushtetin që shtrihet në disa dikastere. Ergys Verdho: Një emër që ka mbajtur poste të rëndësishme nën varësinë e drejtpërdrejtë të Ballukut. Pasi drejtoi Korporatën Elektro-Energjetike Shqiptare (KESH), ai u emërua në krye të Hekurudhës Shqiptare në fillim të vitit 2024. Pasi ishte paraqitur dy javë më parë si “person në dijeni”, thirrja e tij e fundit nga prokurori Dritan Prençi sugjeron se hetimet po thellohen mbi rolin e tij në dosjen “Balluku”.
Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Socialiste i qarkut të Fierit, Klevis Jahaj është paraqitur dje në ambientet e SPAK. Para se të bëhej deputet, në zgjedhjet e 11 majit 2025, Jahaj ka mbajtur poste drejtuese në dikasterin e Belinda Ballukut, e cila është dhe drejtuese politike e qarkut të Fierit. Ende nuk dihen arsyet e paraqitjes së deputetit socialist në Prokurorinë e Posaçme. Në 2019 ka mbajtur postin e Drejtorit të OSHEE për rajonin e Tiranës, ndërsa në tetor të vitit 2021, u emërua drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, institucion në varësi direkte të zv.kryeministres Belinda Ballukut. Ndërsa në zgjedhjet e 11 majit u zgjodh deputet në qarkun e drejtuar nga Balluku.
Strukturohet grupi kriminal
Informacionet nga dosjet hetimore sugjerojnë se SPAK ka hedhur dritë mbi një mekanizëm të sofistikuar që ka funksionuar nën mburojën e pushtetit politik. Nuk bëhet fjalë për veprime të izoluara, por për një sistem të strukturuar për emërime në poste kyçe, kontrollin e tenderëve dhe veprimtari të tjera të dyshimta, të gjitha të lidhura me interesat e Ballukut. Burimet konfirmojnë se SPAK ka mbajtur gjatë kësaj kohe nën survejim një grup të gjerë personazhesh të tjera që kanë shërbyer në këtë strukturë.
Në listën e personave të monitoruar për bashkëpunim në tenderime, emërime dhe veprimtari të dyshimta, dyshohet se ndodhen deputetë, ministra e drejtorë me lidhje të ngushta me Ballukun, duke filluar nga Ceno Klosi, Petrit Malaj, Blendian Dalipi, Maksim Et’hemaj, Enea Karakaçi, Kledia Ngjela etj. Këta persona, së bashku me zyrtarët e lartpërmendur dhe të tjerë që po hetohen, përbëjnë atë që hetuesit po e klasifikojnë si një grup të strukturuar kriminal, i cili ka operuar gjatë kësaj periudhe në shërbim të Ballukut. Strategjia e SPAK-ut është “goditja nga periferia drejt qendrës”. Ky zhvillim dëshmon se periudha e “pandëshkueshmërisë” për elitën që ka menaxhuar infrastrukturën dhe energjinë po merr fund. Përballja e tyre me drejtësinë nuk është më një skenar hipotetik, por një realitet ligjor që do të përcaktojë fatin e një prej klaneve më të fuqishme të viteve të fundit.















