Disa ish dhe futbollistë aktualë të Napolit janë nën hetim nga prokuroria se kanë frekuentuar dhe vazhdojnë ta bëjnë, ambiente që lidhen me organizatën mafioze Camorra. Mediat italiane shkruajnë se portieri i Napolit Pepe Reina dhe ish-mbrojtësit e Napolit, Paolo Cannavaro dhe Salvatore Aronica do të përballen me një proces sportiv pas hetimeve të antimafias italiane dhe zyrtarëve të Federatës Italiane të Futbollit. Prokurori Giuseppe Pecoraro dhe zëvendësi i tij kanë referuar në gjykatë dosjen për 3 futbollistët që tashmë i përkasin Napolit, Sassuolos dhe Palermos.
Për ish-mbrojtësin e Napolit dhe kombëtares italiane, Cannavaro thuhet se që nga viti 2009 e deri më sot ka pasur lidhje me Gabriele Esposito, me precedentë penalë të mëparshëm, Francesco Esposito dhe Giuseppe Esposito titullarë të një agjencie bastesh “Eurobet” në Napoli me të cilët është përpjekur të shesë një orë të shtrenjtë, “Zenit El Primero Master Chrome” me vlerë 400 mijë euro e siguruar në mënyrë të dyshimtë. Ndaj Cannavaro ka edhe disa akuza të tjera për dhurim biletash ndaj personave të lidhur me klanin mafioz “Lo Russo”.Pepe Reina është marrë në pyetje si person në dijeni të fakteve nga Gjykata e Napoli për çështjen Anti-Mafia, që po heton vëllezërit Espozito, sipërmarrës të arrestuar në ditët e kaluara, të akuzuar për përfshirje në Camorra. Seanca pyetësore karshi portieri spanjoll ka ndodhur të hënën në selinë e prokurorisë së Napoli, por vetëm sot është zyrtarizuar largimi nga Gjykata. Reina ka folur para katër prokurorëve De Falco, Parascandolo, Teresi dhe Melillo.
Pikërisht për njohjen me vëllezërit Esposito, portieri i Napoli ishte marrë në pyetje edhe nga Prokuroria e Federatës Italiane të Futbollit. Ai ka qenë klient i rregullt i një lokali në Coroglio, ku bëri edhe festën e lamtumirës nga Napoli, pasi në sezonin e ardhshëm do të luajë me AC Milan. Reina pranoi se i ka pagur rreth 5 mijë euro vëllezërve Espozito, për festën e organizuar prej tij. Ai u ka siguruar atyre bileta në zonën VIP të stadiumit San Paolo. Ish-futbollisti i Napolit, Salvatore Aronica gjithashtu ka pasur lidhje me grupe mafioze të Napolit.