Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) ka publikuar një artikull, ku shkruan se Shteti Islamik (DAESH) ka përdorur mafian shqiptare për të tregtuar ligjërisht në Evropë e SHBA naftën bruto të 15 anijeve.
Mosfunksionimi i shtetit ligjor në Shqipëri ka lënë hapësira për individë të ndryshëm, të cilët u lidhën me organizata terroriste si ajo e Bin Ladenit apo Alkaedës. Ata kanë zhvilluar aktivitet kriminal në Shqipëri, pikërisht si pasojë e këtyre lidhjeve personale.
“Megjithatë këto kontakte nuk erdhën si pasojë e lidhjes së ideologjisë, por nga vetë iniciativa këtyre individëve për të patur sa më shumë fitim,” -shkruan FAZ.
Shkrimi ndalet te çështja e pastrimit të parave, trafikut të drogës, lojërave të fatit dhe transfertave të pakontrolluara të parave në Shqipëri.
Edhe pse Shqipëria është vend kandidat për në BE, kontrollet e transaksioneve financiare mbeten joefektive, kontot bankare çelen pa verifikimin e duhur. Madje, SHBA-të e kanë futur Shqipërinë në listën e vendeve kryesore për pastrimin e parave.
Mafia ka arritur deri në nivele të larta qeverisëse, shkruan gazeta gjermane. Rasti i dy ish-ministrave të Brendshëm, Saimir Tahirit e Fatmir Xhafajt, të lidhur me trafikun e drogës tregon qartazi faktin e mësipërm. Por shkrimi e konsideron problematikën e trafikut të drogës si një çështje të brendshme, që duhet të zgjidhet nga vetë autoritetet shqiptare, shkruan Exit.al.
Me tone komike përmendet rasti i një deputeti shqiptar, i cili fajëson perëndimin për ekzistencën e këtyre fenomeneve.