Si rrjedhojë e migrimit masiv dhe faktorëve të tjerë, Shqipëria ka normën më të ulët të mjekëve për mbulimin e kujdesit shëndetësor për popullsinë, me 1.2 mjekë për 1000 banorë. Shumë njerëz, veçanërisht në zonat rurale dhe fshatra, kanë shumë vështirësi për shkak të mungesës së shërbimit shëndetësor në zonat e tyre.
Shoqata “Together for Life” e mbështetur financiarisht nga Friedrich Ebert Foundation ka realizuar një studim ku ka marrë në pyetje 1000 mjekë lidhur me shkaqet e largimit të tyre nga Shqipëria. Gjetjet e këtij studimi tregojnë:
Largimi i mjekëve mbetet një faktor shqetësues, i cili përjetohet nga 78% e mjekëve (24% e të cilëve janë gati për t’u larguar menjëherë, ndërkohë që 54% do të largoheshin po t’u jepej mundësia).
Vihet re një prirje më e madhe e gjinisë femërore (84%) për t’u larguar nga vendi, krahasuar me gjininë mashkullore (74%).
Situata më problematike paraqitet në qendrat universitare, ku mjekët kanë edhe prirjen më të madhe për t’u larguar menjëherë nga vendi (54%), ndërkohë që më e ulëta është në spitalet bashkiake (megjithëse kampioni në këto spitale është më i vogël).
Vihet re një tendencë për largim e mjekëve me gradë shkencore, 40% e të cilëve e konsiderojnë të rëndësishëm largimin e tyre nga Shqipëria.
Ndër shkaqet kryesore që i nxisin mjekët për t’u larguar në një vend tjetër janë: serioziteti në punë, mbështetja financiare, si dhe kushtet më të mira të punës.
Shumica e mjekëve ankohen se kanë mangësi në shërbime, 26% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet dhe 60% në disa prej shërbimeve. Është shqetësues fakti se ata që ankohen më shumë për mungesa janë mjekët e spitaleve universitare, 56% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet dhe 40% mungesa në disa prej shërbimeve. Mjekët në vend ndihen të pakënaqur, të mbingarkuar me punë, të nënvlerësuar dhe të stresuar.
Rezulton se më të pakënaqur janë gjinia mashkullore, për të cilët niveli i pakënaqësisë arrin në 40% të tyre. Nga ana tjetër, gjinia femërore ndihet më shumë e stresuar (26%).
Financimi i sistemit, menaxhimi i sistemit dhe mungesa e sigurisë financiare rezultojnë të jenë shkaqet kryesore që ndikojnë në pakënaqësinë e mjekëve të gjinisë mashkullore. Ndërkohë, mjeket konsiderojnë si më problematike financimin dhe burokracitë e sistemit, si dhe mungesën e sigurisë financiare.
Pasiguria në punë është një faktor njësoj i rëndësishëm si për gjininë mashkullore, ashtu edhe për atë femërore, me 32% të mjekëve që flasin për pasiguri në vendin e tyre të punës.
Në fakt, 71% e mjekëve shprehen se mjekët kritikohen më shumë seç duhet në Shqipëri. Ky mendim është i njëjtë si për gjininë femërore, ashtu edhe për atë mashkullore.
Pesimiste duket situata ndërkohë që 61% e mjekëve mendojnë se besimi i tyre në sistemin shëndetësor nuk do të ndryshojë para se të largohen nga vendi, një shifër kjo shqetësuese.
Arsyet ekonomike dhe profesionale zënë vendin e parë për mjekët për largimin e tyre nga Shqipëria. Vetëm 1% e mjekëve shprehen se largohen për arsye gjyqësore. Vihet re se numri i grave mjeke që duan të largohen për arsye ekonomike, profesionale dhe gjyqësore është më i lartë se ai i burrave.
77% e mjekëve e vendosin veten tek më të keqpaguarit në sistemin shëndetësor dhe vetëm 1.5% e tyre e cilësojnë veten me të ardhura të larta.
Në fund, 50% e mjekëve mendojnë se e ardhmja në Shqipëri nuk është e sigurt. Kjo përbën 56% të gjinisë femërore dhe 40% të gjinisë mashkullore, duke treguar edhe një herë se mjeket janë më të prirura për t’u larguar nga vendi krahasuar me mjekët.
Pasiguria tek bluzat e bardha për vendin e punës u vu re edhe gjatë plotësimit të pyetësorit, ku pati një rezistencë të madhe nga mjekët për ta plotësuar, nisur nga droja e identifikimit, pavarësisht se bëhej fjalë për një studim sasior.
Rekomandimet per parandalimin
Bazuar në gjetjet dhe përfundimet e studimit, duke marrë në konsideratë nevojën për parandalimin dhe reduktimin e fenomenit të largimit të mjekëve, më poshtë do të vijojnë disa rekomandime kryesore për masat që duhet të ndërmerren nga institucionet për të përmirësuar gjendjen në sistemin shëndetësor. Këto lidhen me:
- Investime në infrastrukturën shëndetësore.
- Rishikimi i kuadrit ligjor për gabimet mjekësore.
- Mundësi për rritje profesionale dhe akademike.
- Përmirësim i menaxhimit të brendshëm në institucionet shëndetësore.
- Përmirësim i imazhit të mjekëve dhe uljes së presionit të pacientëve ndaj bluzave të bardha.
- Ndërmarrje e politikave që i bëjnë mjekët të shërbejnë si ura lidhëse midis Shqipërisë dhe vendeve ku ata punojnë jashtë. Monitor