Sot shënohet 105-vjetori i shpalljes së Pavarësisë.
Ismail Qemali dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë ngritën flamurin në Vlorë më 28 nëntor 1912, duke shpallur kështu Shqipërinë shtet sovran e të pavarur.
Më 28 nëntor 1912, në orën 14:00, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan duke arritur në 63 veta, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Përveç Ismail Qemalit merrnin pjesë Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Bej Mitrovica, Vehbi Agolli, Nikollë Kaçorri, Jani Minga, Abdi Bej Toptani, Pandeli Cale, Dudë Karbunara, Lef Nosi, Mit’hat Frashëri, Mehmet Pashë Deralla, Hasan Hysen Budakova, Ajdin Draga, Sherif efendi Dibra, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Shefqet Bej Daiu, Rexhep Ademi, Dhimitër Berati, Kristo Meksi, Xhelal Bej Koprencka, Spiro Ilo, Ilias Bej Vrioni, Sami Bej Vrioni, Hajredin Cakrani, Shefqet Bej Vërlaci etj.
Në të njëjtën ditë, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit Shqiptar.
Menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë, kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë e më pas edhe shtetet ballkanike, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.
Pavarësinë e Shqipërisë e ka uruar edhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i cili i ka dërguar një mesazh urimi presidentit Ilir Meta.
Në mesazhin e urimit Trump vlerëson miqësinë tonë të fortë dhe përkushtimin ndaj Shqipërisë si dhe presim që ta fuqizojmë edhe më tej këtë marrëdhënie gjatë viteve të ardhshme.
Trump i shkruan homologut shqiptar se ka mirëpritur zbatimin nga ana e Shqipërisë të reformave kyçe të drejtësisë, të cilat e kanë sjellë vendin më afër qëllimit për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimit më të madh rajonal. Ne e lavdërojmë përparimin që ka shënuar Shqipëria në drejtim të integrimit euro-atlantik dhe të sigurimit të paqes e begatisë për të gjithë shqiptarët.
Letra e plotë e presidentit Donald Trump
27 nëntor 2017
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ka marrë një mesazh urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump:
“I dashur Zoti President,
Ndërsa ju festoni 105-vjetorin e Pavarësisë më 28 Nëntor, populli i Shteteve të Bashkuara më bashkohet në urimin për popullin shqiptar. Në këtë ditë ne konfirmojmë miqësinë tonë të fortë dhe përkushtimin ndaj Shqipërisë si dhe presim që ta fuqizojmë edhe më tej këtë marrëdhënie gjatë viteve të ardhshme.
Dy kombet tona kanë zhvilluar një bashkëpunim të thellë që na ka lejuar të punojmë së bashku për të trajtuar çështje me rëndësi globale. Ju falënderojmë për rolin tuaj si partner vendimtar në promovimin e qëndrueshmërisë rajonale dhe luftën kundër ekstremizmit si dhe mbështetjen tuaj anembanë botës si një Aleat i NATO-s dhe vend anëtar i kolacionit për Shkatërrimin e ISIS-it.
Këtë vit mirëpritëm zbatimin nga ana e Shqipërisë të reformave kyçe të drejtësisë, të cilat e kanë sjellë vendin më afër qëllimit për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimit më të madh rajonal. Ne e lavdërojmë përparimin që ka shënuar Shqipëria në drejtim të integrimit euro-atlantik dhe të sigurimit të paqes e begatisë për të gjithë shqiptarët.
Jemi bashkë me ju teksa festoni këtë ditë të veçantë dhe iu uroj Ju dhe popullit shqiptar gjithë të mirat gjatë vitit të ardhshëm!” – shkruhet në mesazhin e urimit të Presidentit Trump.