113 vjet më parë ndodhi përplasja më efortë e një asteroidi në historinë e regjistruar të njerëzimit. Ishte një mëngjes i ngrohtë vere në Siberi më 30 qershor 1908. Shpërthimi ndodhi mbi pyjet veriore pak të populluara nga njerëzit, mbi lumin Podkamenaja Tunguska, në atë që është sot rajoni i Krasnojarsk.
Shpërthimi çliroi energji të mjaftueshme për të sheshuar rreth 80 milionë pemë në një sipërfaqe prej 2.150 km2. Dëshmitarët raportuan se panë një top të zjarrtë – një dritë
Ngjyrë kaltëroshe, gati po aq të shndritshme sa Dielli –që lëvizte nëpër qiell. Drita e fortë u pasua nga një zhurmë e fortë e ngjashme me zjarrin e artilerisë. Një valë e fuqishme goditëse, theu dritaret e banesave qindra km larg dhe rrëzoi njerëzit përtokë. Por do të kalonin dekada përpara se dikush të mund ta shpjegonte atë ngjarje.
Një nga aspektet misterioze të ngjarjes në Tunguska, ishte fakti se nuk u gjet asnjë krater. Por, edhe pa një të tillë, shkencëtarët e kategorizuan atë si të shkaktuar nga ndikimi i një objekti qiellor. Ata besojnë se objekti i ardhur nga hapësira nuk e goditi kurrë Tokën.
Ai shpërtheu në atmosferë, duke shkaktuar atë që njihet si një “bombë ajrore”. Kjo lloj dukurie ishte e mjaftueshëm për të shkaktuar dëme të mëdha në pyjet e rajonit. Shkencëtarët konstatuan se objekti kishte shumë të ngjarë të ishte një asteroid me madhësinë e një godine 5- katëshe.
Asteroidi po udhëtonte me një shpejtësi prej rreth 54.000 km në orë, dhe shpërtheu 5-10 km mbi sipërfaqen e Tokës. Por pse u desh kaq shumë kohë – pjesa më e madhe e shekullit XX- që shkencëtarët të kuptonin se çfarë e shkaktoi shpërthimin gjigant në Tunguska?
Së pari, shkencëtarëve iu desh gati një dekadë që të arrinin në këtë rajon të largët të Siberisë. Në vitin 1927, Leonid Kulik udhëhoqi ekspeditën e parë kërkimore sovjetike për të hetuar ngjarjen e Tunguskas. Ai kreu një udhëtim në atë rajon, duke intervistuar dëshmitarë vendas, dhe duke eksploruar rajonin ku ishin shkatërruar pemët.
Por Kulik nuk gjeti asnjë fragment meteoriti apo kraterin që duhej të kishte krijuar një përplasje. Si rezultat i hetimit fillestar të Kulik, disa njerëz sajuan teori konspirative për të shpjeguar ngjarjen e Tunguskas.
Ata pretenduan se ngjarja ishte shkaktuar nga përplasja e një anijeje aliene. Më vonë, ata folën për një mini-vrimë të zezë, apo për një grimcë antimaterie. E vërteta është po aq interesante, dhe ndoshta më e tmerrshme… pasi ajo ngjarje mund të ndodhë sërish.
Në fakt, ngjarja e Tunguskas ndodhi sërish, por vetëm në një shkallë më të vogël. Bëhet fjalë për meteorin e Çeljabinskut 2400 km më në perëndim 105 vjet më vonë.
Më 15 shkurt 2013, një shpërthim i ngjashëm megjithëse më i vogël në përmasa ndodhi mbi qytetin e Çeljabinskut në Rusi. Kjo ngjarje ofroi të dhëna shumë të rëndësishme mbi atë që ndodhi gjatë ngjarjes në Tunguska.
Siç shpjegoi NASA, provat e reja ndihmuan shumë në zgjidhjen e misterit të Tunguskas:Ai top i zjarrtë shumë i dokumentuar, u dha mundësi studiuesve të zbatonin teknikat moderne të modelimit kompjuterik për të shpjeguar atë që u pa, u dëgjua dhe u ndje 113 vite më parë.
Modelet rindërtuan madhësinë, lëvizjen dhe shpejtësinë origjinale të objektit që u përplas në Çeljabinsk. Nga analiza rezultoi se ngjarja me shumë gjasa mund të jetë shkaktuar nga një asteroid gurësh me madhësinë e një ndërtese 5-katëshe, që u shpërbë24 km mbi sipërfaqen e Tokës.
Ai shkaktoi një valë goditjeje ekuivalente me një shpërthim 550 kiloton eksploziv. Vala goditëse shkatërroi afro 1 milionë dritare dhe plagosi më shumë se 1 mijë njerëz. Fatmirësisht, forca e shpërthimit nuk ishte e mjaftueshme për të shembur pemë apo godina.
Sipas të dhënave aktuale mbi popullatën e asteroideve, një meteor si ai në Çeljabinsk mund të përplaset mbi ose pranë Tokës mesatarisht çdo 10 deri në 100 vjet.
Në vitin 2019, shkencëtarët botuan kërkime të reja në lidhje me ngjarjen e Tunguska në një seri punimesh në një botim të veçantë të revistës “Icarus”. Në dekadat e fundit – për shkak të ngjarjes në Tunguska dhe përplasjeve të tjera më të vogla – astronomët e kanë marrë seriozisht mundësinë e përplasjeve me pasoja katastrofike të kometave dhe asteroideve. Ata kanë tani programe vëzhguese për të parë Objektet Afër Tokës.
Në takimet e rregullta midis tyre ata diskutojnë se çfarë mund të ndodhë nëse zbulojmë një objekt të madh që po vjen të përplaset me Tokën. Dy misione të veçanta hapësinore do të udhëtojnë drejt asteroidin Didimos. Misioni “Hera” i Agjencisë Evropianë të Hapësirës (ESA) do të nisë në vitin 2024. Misioni DART i NASA do të nisë në fund të këtij viti.
Lorien Ueler, studiuese në NASA Ames Research Center, dhe që punon në Projektin e Vlerësimit të Kërcënimeve të Asteroideve thotë:Meqenëse ka kaq pak raste të vëzhguara, jemi ende shumë të pasigurt se sa asteroidë të mëdhenj mund të shpërbëhen në atmosferë dhe sa dëme mund të shkaktojnë ata këtu në Tokë.
Sidoqoftë, përparimet e fundit në modelet llogaritëse, së bashku me analizat e Çeljabinsk dhe ngjarjeve të tjera, po na ndihmojnë të përmirësuar kuptimin tonë mbi këta faktorë në mënyrë që të vlerësojmë më mirë kërcënimet e mundshme të asteroideve në të ardhmen.
Burimi i lajmit: https://earthsky.org/space/what-is-the-tunguska-explosion/
Përshtatur nga TIRANA TODAY