Pashkë të përgjakshme janë shënuar në Sri Lanka, ku janë vrarë të paktën 100 persona dhe qindra të tjerë janë plagosur si pasojë e disa shpërthimeve në kisha dhe hotele.
Të paktën 6 shpërthime janë raportuar, ndërsa gjatë shërbesës për Pashkë janë sulmuar tre kisha në Kochchikade, Negombo dhe Batticaloa.
Po ashtu janë sulmuar tre hotele në Colombo, kryeqytetin e Sri Lankas. Pamje të rënda janë transmetuar në mediat ndërkombëtare pas përgjakjes së kishave, ndërsa raportohet se 50 viktima janë shënuar vetëm në Negombo.
Presidenti Maithripala Sirisena ka lëshuar një deklaratë duke bërë thirrje që njerëzit të qëndrojnë të qetë dhe të mbështesin autoritetet në hetimet e tyre.
Në Twitter, Ministri i Financave Mangala Samaraweera tha se sulmet u dukën si një “përpjekje e koordinuar mirë për të krijuar vrasje, sakatim dhe anarki” dhe se sulmet kishin vrarë “shumë njerëz të pafajshëm”.
Askush nuk ka thënë ende se kush është përgjegjës për sulmet. Ka pasur frikë se luftëtarët e kthyer nga grupi i Shtetit Islamik mund të paraqesin një kërcënim në vend, raporton BBC./ Tirana Today