Që pas viteve ’90, poeti shqiptaro-belg, Skënder Sherifi e viziton çdo vit Shqipërinë.
Këtë radhë ishte për të promovuar librin e tij me poezi të titulluar “Silenzio”, i shkruar në epokën e ndryshimeve të mëdha të viteve ‘60-’70, tashmë i përkthyer edhe në shqip.
Duke iu referuar raportit që ka poezia shqipe me të rinjtë, Sherifi, thekson se poezia aktuale nuk po komunikon dot me këtë kategori lexuesish. Në një intervistë për Tirana Today, Sherifi vë në dukje se përveç moskomunikimit, poezisë shqipe i mungojnë rrymat avangardiste, eksperimentale dhe alternative.
Ai shpjegon se këto rryma mund t’i gjesh në muzikë, në pikturë dhe në film, por jo në letërsi.
Sherifi, ju jetoni në Belgjikë, jeni pjesë e botës letrare franceze, keni ndërtuar gjithë strukturën poetike të veprave tuaja në këtë vend. Ndërsa pas viteve ’90 u vutë në kërkim për t’u bërë pjesë të letrave shqipe. Si shpjegohet ky rikthim i juaji, ndërkohë që jeni larguar në një moshë shumë të vogël nga Shqipëria?
Është e vërtetë, unë kam qenë 1-vjeç, kur jam larguar me familjen për në Bruksel. Im atë ka qenë oficer në periudhën e Zogut, por pasi në pushtet erdhën komunistët, ai u burgos, dhe kur u lirua, ai u arratis përmes bjeshkëve, duke kaluar në Kosovë dhe më pas në Jugosllavinë e Titos, në vitin 1951. Në vitin 1956 mbërriti në Bruksel, me emigracionin e parë shqiptar që ka mbërritur në Belgjikë. Unë jam zhvilluar komplet në kulturën franceze, në shkollë, në lexime, në shoqëri dhe në gjithë formimin tim. Mirëpo, kam folur shqip në shtëpi me prindërit e mi. Ky ka qenë dallimi. Jashtë shtëpisë kam qenë komplet në botën evropiane, franceze. Brenda shtëpisë, u jam adaptuar rregullave të familjes sime, riteve dhe zakoneve dhe kam marrë atë frymën shqiptare, ku jam pjekur me kohën, me eksperiencat e jetës. E kam ndjerë një farë nevoje shpirtërore me iu rikthyer pak origjinës, sepse më mungonte ajo pjesë. Nuk kisha probleme me pjesën frankofone, me pjesën kozmopolite, sepse unë e kisha të asimiluar gati që prej fillimit. Mirëpo, pjesën shqiptare e njihja në mënyrë sipërfaqësore dhe jo në një mënyrë të mjaftueshme që të më kënaqte mua. Atëherë, kam bërë dy tentiva për rivendosje në universin shqiptar. Tentiva e parë ka qenë vizita në Kosovë, në vitin 1976, kur shkova në Prishtinë për t’u ambientuar me shqipen dhe me kulturën shqiptare. Për rreth 4 vite që qëndrova në Prishtinë, njoha autorët, regjisorët, por sidomos kam pasur një lidhje më të ngushtë me Ibrahim Rugovën, i cili më përktheu në atë periudhë dy libra të mi nga frëngjishtja në shqip. Pas viteve ’90 është rivendosja e dytë, kur kam ardhur në Shqipëri dhe tani po bëhen 27 vite që vij pothuajse çdo vit. Është kthyer në një ritual. I ngjan udhëtimit të Uliksit të Homerit, i cili kërkonte Itakën.
Si keni mundur ta ndërthurni në botëkuptimin tuaj letrar, mentalitetin e familjes tradicionale shqiptare me atë që ndodhte jashtë shtëpisë, me lëvizjet e mëdha të viteve 60-70?
Ka qenë një kontrast i madh. Kur e mendoj sot më duket një surealizëm. Paradoks 360 gradë në njërën anë dhe 360 gradë në anën tjetër. Një konfrontim i paimagjinueshëm. Jashtë je në atmosferën e viteve 60-70, ku dominon një shthurje totale në gjithçka, një liri absolute, një imagjinatë e pafund. Kurse në shtëpi je në botën malësore, e inspiruar nga Kanuni, nga ritet, nga Shqipëria e ‘‘Lahutës së Malcisë’’. Të kalosh nga lahuta te Jimi Hendriks; të kalosh nga Bajram Curri e Mic Sokoli te surealizmi francez; të kalosh nga odat malësore në deliriumet e majit 1968, të Woodstock-ut, janë kontraste radikale. Kjo ka qenë një përplasje e brendshme: midis zhvillimit tim jashtë shtëpisë dhe atij brenda shtëpisë. Fillon e mendon se çfarë do të marrësh nga e reja dhe çfarë do të lësh nga tradita. Fillon e pyet veten: A jam nga bota e familjes shqiptare nga veriu apo jam nga bota e Parisit, e Brukselit, e Nju-Jorkut dhe e Londrës? Në një pjesë të adoloshencës sime jam ndeshur me këtë pyetje. Të gjitha këto përplasje për fat të mirë kanë kaluar në art. I kam shprehur në mënyrë artistike. Ndryshe, nuk e di si mund t’i kisha shprehur, pasi kur ke përplasje të brendshme, bëhesh konfuz dhe nuk di çfarë do të bësh. Unë e kam menxhuar përmes kulturës, muzikës, artit dhe i kam filtruar dhe kanalizuar e analizuar sa më mirë, sesi duhet vepruar për të gjetur alkiminë time, atë kokteilin tim personal.
Sa është e përfshirë në veprën tuaj Shqipëria, duke qenë se poezitë tuaja janë universale?
Po, është poezi totalisht universale dhe e lirë, me influenca evropiane dhe amerikane. Por, kam përfshirë brenda poezisë shpirtin shqiptar, kujtesën e odave dhe të riteve. Të gjitha ato që kam përjetuar në atë Shqipërinë që kam njohur, si në Kosovë, si në emigracionin shqiptar të Belgjikës, po ashtu edhe në Shqipëri, i kam integruar brenda kozmopolitizmit dhe universalizmit të poezisë sime. Është një poezi gati globaliste, por në atë globalitet gjen gjithë botën: botën e jashtme dhe botën shpirtërore të origjinës. Bota shqiptare natyrisht nuk është e përjashtuar. Është e përfshirë brenda poezisë sime. Ndonjëherë më thonë njerëzit që ti nuk je poet shqiptar, je poet frankofon, s’ke lidhje me ne. Por, e kanë gabim se kam lidhje, por në një mënyrë tjetër. Jo në atë mënyrë që e mendojnë ata, të cilët nuk kanë dalë jashtë trojeve të Shqipërisë. Unë kam një lidhje tjetër, indirekte, jam sjellë rrotull, por më në fund jam rikthyer. Rrugëtimi dallon, iternerari dallon, por më në fund vjen në origjinë. Por, shumë e harrojnë këtë dhe thonë që nuk komunikon poezia jote me ne. Poezia ime komunikon, por komunikon ndryshe, se unë nga jashtë jam rikthyer në origjinë. Ndërsa shumë të tjerë jetojnë brenda një realiteti të caktuar, pa perceptuar dot jashtë tij. Ndoshta më interesant është rrugëtimi im, sesa rrugëtimi monolitik i disa të tjerëve.
Si e gjykoni poezinë shqipe të pas viteve ’90 dhe atë të ditëve të sotme?
Po t’i referohemi gjithë poezisë shqipe dhe autorëve të saj, më kanë pëlqyer Migjeni dhe Lasgushi, ku më ka tërhequr universaliteti i tyre. Disa poezi të Agollit, të Xhevahir Spahiut, Mimoza Ahmetit, Sabri Hamitit, Azem Shkrelit etj. Sot poezisë shqiptare i mungojnë rrymat avangardiste, eksperimentale, alternative, sepse mund t’i gjesh në muzikë, në pikturë dhe në film. Por, në letërsi nuk i gjejmë. Letërsia nuk i ka ndjekur zhvillimet e arteve të tjera, sidomos në botën shqiptare. Sot rinia, e cila është e lidhur me botën e internetit, e cila komunikon me ekranin, e di çfarë transmetohet në muzikën e sotme, në pikturën e sotme, në filmat e sotëm. Ndërsa letërsia ka mbetur pas në këtë drejtim, ndryshe nga Perëndimi. Ndoshta është një shkëputje nga letërsia, por duhen pyetur të rinjtë nëse poezia e sotme komunikon me ta. Muzika komunikon, moda po, filmi po, po poezia përse nuk komunikon? Atëherë mendoj se diçka mungon. Kurse, në Perëndim fjala poetike komunikon me realitetin e sotëm, sepse poezia i përshtatet ritmeve urbane. Nuk mund të qëndrosh te poezia klasike kur të gjitha artet e tjera kanë evoluar. Gjuha dhe konteksti kanë ndryshuar, ndaj detyrohesh dhe ti të evoluosh me këtë kontekst. Përndryshe të konsiderojnë si dinozaur i “Jurassic Park”. Duhet që poezia të evoluojë. Evolucioni mund të ketë gjëra negative dhe pozitive, por ato i filtron koha më vonë.
Duke qenë se poeti fracez Artur Rembo ka qenë një nga inspiruesit tuaj në poezi dhe duke marrë parasysh trajektoren e jetës suaj, a mund të themi se kemi të bëjmë me një ‘‘Rembo’’ shqiptaro-belg të kohës sonë?
Ndoshta po. Mua më ka shoqëruar Remboja gati si një vëlla shpirtëror imagjinativ. Më ka shoqëruar gjithmonë hija dhe shpirti i tij. Simbolikisht e kam pasur në art si një vëlla shpirtëror dhe një model, duke komunikuar me poezinë e tij. Ka qenë një djalosh i ri, i cili shpërtheu menjëherë me poezinë e tij. I ngjan Mozartit. Këto janë fenomene të pashpjegueshme në art, sesi një tip 16-vjeçar deri në moshën 20-vjeçare krijon poezinë më moderne që ekziston sot, si ‘‘Anija e Dehur’’, poezi që kanë një modernitet të atillë që, as sot nuk mundet asnjë poet modern i shekullit XXI ta kapërcejë atë lloj moderniteti. Rembo ka hyrë në historinë e poezisë moderne botërore, edhe pse e la poezinë në moshën 20-vjeçare, duke humbur në aventurat e tij. Megjithatë, vepra e tij është pavdekshme. Kjo është bukuria e artit. Ndaj arti nuk duhet të jetë një teori shkollore e universiteteve, sepse arti është gjithkund. Arti është shpirti dhe shpirti nuk ka nevojë për diploma që të shprehet. Arti është liria, frymëzimi dhe emocioni.
Intervistoi: Bardhi Quku, kryeredaktor i Tirana Today