Tirana Today
Çdo ditë e më shumë, kriza politike po e fut vendin në një rrugë pa krye. Pavarësisht gatishmërisë që tregojnë në parim, qeveria dhe opozita për të dialoguar, ato adresojnë akuza dhe ultimatume kundrejt njëra-tjetrës. Kjo atmosferë po dominon në gjithë hiearkinë e forcave politike, gjë e cila mund të reflektohet edhe tek simpatizantët e tyre, kur tashmë jemi në prag të fushatës elektorale. Historia e tranzicionit na ka treguar se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, dhe ato për pushtetin vendor, janë shoqëruar kryesisht me incidente, deri edhe në eliminime fizike, pa përmendur ngjarjet e vitit 1997.
Deri më tani, akuzat nuk kanë prodhuar dhunë. Megjithatë, paralajmërimet janë serioze. Kryedemokrati Lulzim Basha është ngujuar në çadër bashkë me simpatizantët e vetë prej dy muajsh, dhe nuk del prej andej, pa u plotësuar kërkesa për një qeveri teknike që, sipas tij, do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jo rastësisht, ai e ka quajtuar atë ‘‘Çadra e Lirisë’’.
Basha mblidhet çdo ditë në çadër me mbështetësit e tij, përpara zyrave të kryeministrit Rama, një herë në orën 11:00 të paradites, dhe një herë në orën 18:00 të pasdites. Nga çadra ai lëshon akuza ndaj kryeministrit se është i kapur nga krimi i organizuar, trafikantët e drogës dhe se me paratë e nxjerra nga ky aktivitet do të blejë zgjedhjet e 18-qershorit. Por, Basha nuk mjaftohet me kaq. Ai thotë se në këtë aksion të frikshëm, po e ndihmon edhe faktori ndërkombëtar në Tiranë, të cilët sipas Bashës, janë korruptuar nga kreu i qeverisë për t’i dhënë, si mashë në dorë, sistemin e drejtësisë.
‘‘Edi Rama, komploti është zbuluar. Projekti i vettingut është një projekt mafioz, ku janë përfshirë diplomatë të lartë në Tiranë, për llogari të Edi Ramës, kanë marrë peng ekspertë të BE-së. Bashkëkomplotistët e tu janë dekonspiruar dhe i pret gjykimi në institucionet ndërkombëtare. Të pranojnë shqiptarët që të shkojnë në zgjedhje me Kryeministrin, komandant të ushtrisë së drogës? Kurrë nuk do ta pranojnë’’, tha, pak ditë më parë, Basha.
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me ironi të gjithave akuzave të kreut të PD-së, duke thënë se Partia Demokratike ka si qëllim vetëm ta fusë Shqipërinë në kaos, dhe se nuk do të ketë qeveri teknike e as dialog me kushte: ‘‘Çadra e ngritur mes bulevardit është si kështjellë rëre për t’u mbrojtur nga Vettingu dhe humbja e zgjedhjeve. PD ka zgjedhur të lëshojë ultimatume se do të fusë vendin në kaos. Unë jam i gatshëm edhe në çadër, po të duan, për dialog me opozitën. Jemi në 2017-ën, nuk jemi në marsin e 1997-ës’’.
Ndërkaq, ditët e fundit në media u përfol për një atentat të mundshëm ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha, duke bërë që t’i shtohen forcat e sigurisë. Këtë e konfirmoi vetë presidenti Nishani dhe kryeminsitri Rama, i cili tha se Basha ka gjithë sigurinë e strukturave shtetërore.
Por, ish-kryeministri Berisha akuzon kryeministrin Rama se qëndron ai pas kërcënimit të kreut të opozitës.
‘‘Pas kërcënimit ndaj Bashës qëndron fiks Edi Rama! Rama pranon se qëndron ai vetë me mafien e tij shtetërore prapa kërcënimit ndaj Bashës! Ai me pohimin e tij, gazetarëve u tha: mos kujtoni se e kam bërë unë!’’, shkruan Berisha në profilin e tij në Facebook.
I gjithë ligjërimi i liderëve politikë në vend, tregon qorrsokakun ku ka hyrë vendi dhe sesa e ashpër po bëhet lufta për pushtet. Kaosi politik dhe institucional shfaqet dukshëm, kur krerët politikë dhe ata shtetërorë, duke nisur që nga presidenti i Republikës e deri tek funksionarët politikë, flasin për një destabilitet të vendit dhe një rikthim të ngjarjeve të vitit 1997.
‘‘Ka qarqe dhe forca të caktuara, që vendin duan ta lënë pa President dhe pa zgjedhje, me pak fjalë të destabilizohet, të përsërisim një ’97 tjetër, por kjo nuk ka për të ndodhur, sepse s’e lejon Kushtetuta”, u shpreh ditën e premte kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi.
Midis kryeministrit Rama dhe kryeopozitarit Basha, qëndron kreu i LSI-së Ilir Meta, i cili po luan me dy porta, ku herë shantazhon kryeministrin Rama dhe flirton me Bashën, herë thekson vijimin e koalicionit me Partinë Socialiste dhe akuzon opozitën për përdorimin e ashpër të retorikës politike.
‘‘Vetëm krijojnë më shumë tym, shpërndajnë përgjegjësi, sepse në fund fare, kur të ndodhi konflikti, që do të punojmë të gjithë që kjo gjë të mos ndodhë, nuk ka rëndësi se kush e nisi i pari dhe kush e vazhdon i dyti, do të jetë një gjë shumë e keqe për Shqipërinë e gjithë shqiptarët’’, u shpreh kreu i LSI-së, në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar, mesditën e së premtes.
Fushata elektorale për zgjedhjet e 18 qershorit është në prag. Por, në një klimë të tillë politike, shumë pak premisa ka që ato të zhvillohen në datën e caktuar. Për të mbërritur tek muaji qershor, opozita ka paralajmëruar një protestë masive më 7 maj, në qytetin e Kavajës, pikërisht në ditën kur do të mbahen zgjedhjet për kreun e bashkisë së këtij qyteti, zgjedhje të cilat ka vendosur që t’i bojkotojë.
Vendi i mbetur bosh, pas shkarkimit të kryetarit të bashkisë, Elvis Roshi, për shkak se rezultoi me precedent penal, mund të prodhojë një përplasje midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Kjo e fundit kërkon, përmes Kavajës, një reminishencë politike, kur nga ky qytet në vitin 1990 nisën lëvizjet e para kundër regjimit komunist. Por, analogjia nuk qëndron aq shumë, po të kemi parasysh sa e delegjitimuar është vetë Partia Demokratike, në gjithë tranzicionin politik shqiptar.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po merret seriozisht me një skenar që synon të bllokojë gjithë procesin zgjedhor në qytetin e Kavajës, si paralajmërim për atë çka mund të ndodhë më 18 qershor, nëse qeveria do të vendosë të shkojë e vetme në zgjedhjet parlamentare.
Sipas burimeve pranë Partisë Demokratike, me mënyrën se si do të operojë kjo forcë politike, përplasjet me militantët e Partisë Socialiste janë të pashmangshme. Në këtë rast, ish-kryetari i bashkisë Elvis Roshi mund të shkaktojë trazira, si hakmarrje për heqjen e mandatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për shkak të dosjes me precedent penal në shtetin italian.
Përplasjet midis militantëve i ka paralajmëruar edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta: ‘‘Janë këta pastaj që bëjnë presione poshtë, dalin edhe nga kontrolli jonë, për t’u dukur si faktorë të rëndësishëm. Dalin blejnë vota, bëjnë presione, bëjnë akte të dhunshme ndaj njerëzve të pafajshëm, sepse nuk dua të përmend edhe raste konkrete, edhe emra konkretë sot’’
Nëse zgjedhjet në Kavajë do të dështojnë, kjo do të jetë një goditje e rëndë si për Partinë Socialiste, ashtu edhe për vetë Partinë Demokratike. Por më e rëndë do të ishte, nëse përplasja midis dy forcave të mëdha politike, do të shoqërohej me dhunë tek qytetarët.
Partia Demokratike mund ta përdorë skenarin e Kavajës edhe në zgjedhjet parlamentare të 18- qershorit, nëse kryeministri Rama nuk përmbush të paktën kushtin kryesor të Bashës: krijimin e qeverisë teknike, aq më tepër kur opozita ka edhe bekimin e liderit të LSI-së, Ilir Meta.
Në këtë përplasje politike, që mund të nisë me Kavajën, ata që mund ta pësojnë më shumë janë qytetarët dhe militantët, që mbushin sheshet e kryetarëve të partive politike, të cilët në luftën për pushtet, duket se po i dërgojnë shqiptarët si ‘‘mish për top’’.