Nga Jeffrey A.Stacey, “Atlantic Council”/Populizmi i krahut të djathtë, përbën një sfidë të qëndrueshme ndaj rendit të ashtuquajtur ndërkombëtar liberal 70-vjeçar, një ndërtim i pasluftës i një trupe idesh, ligjesh dhe marrëveshjesh ndërkufitare të sigurisë, që e kanë lejuar botën perëndimore të përparojë, duke nxitur përgjithësisht vlerat e demokracisë, hapjes dhe sundimit të ligjit.
Një reagim i thellë ndaj rendit liberal, ka prodhuar tashmë referendumin britanik për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian, dhe zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016.
Qytetarët e lënë jashtë kurbës së gjatë të përparimit të pretenduar të liberalizmit, e kanë përqafuar këtë lëvizje populiste.
Pavarësisht nëse ka apo jo sukses në termat e qeverisjes, populizmi në terma socio-politike, do të mbetet një sfidë e madhe për brezin e ardhshme, dhe do të ketë pasoja si lokale ashtu edhe gjeopolitike.
I dyti në rëndësi vetëm pas agresionit rus, populizmi përbën edhe forcën globale me të cilën duhet të përballemi.
Megjithatë, “dallga” e tij duket të jetë duke u tërhequr teksa reagimi populist ka shfaqur gjithë zemërimin e vet. Nëse zgjedhjet e Brexit dhe Trump, ishin zhvillime të papritura, suksesi i holandezëve, francezëve dhe gjermanëve në mbajtjen e partive populiste jashtë pushtetit nuk ishte i tillë.
Me gjithë frikën e madhe që shkaktoi vala populiste tek holandezët, francezët dhe gjermanët, populli kontinental evropian ia mbylli dyert e qeverisjes Geert Wilders, “Trumpit holandez”; Marine Le Pen të Frontit Kombëtar në Francë; dhe Alternativës racisto-populiste për Gjermaninë (AfD), të paktën pjesërisht, si një reagim ndaj asaj që ndodhi në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, (edhe pse AfD është tani partia më e madhe e opozitës në Bundestagun gjerman).
Ndërsa beteja kundër populizmit ka bashkuar forcat, rendi ndërkombëtar liberal gjendet në ekuilibër. Kështu, të gjithë sytë qenë drejtuar tek rezultati i bisedimeve mbi koalicionin qeveritar gjerman.
Në Berlin, pavarësisht pritshmërisë se epokës së Angela Merkelit po i vjen fundi, udhëheqësja më e rëndësishme në botë, do të mbetet kancelare edhe për një mandat të katërt, si rezultat i një marrëveshje koalicioni me Socialdemokratët.
Në Paris, presidenti francez Emanuel Macron, ka ri-ngritur bërthamën e sistemit politik francez të pasluftës, duke marrë frenat e lidershipit global që mbahen normalisht nga presidenti i SHBA-së.
Megjithatë në Itali, lëvizja populiste Pesë Yjet, mori numrin më të madh të votave pas një procesi zgjedhor, që e ka lënë vendin në një gjendje pasigurie politike.
Sikur kjo të ndodhte në Gjermani, efekti do të ishte më i rëndësishëm. Italia është e njohur për borxhin e saj të madh publik, dhe për një paqëndrueshmëri politike të shfrenuar. Ndërkohë, NATO dhe BE, kanë pasur njëfarë frymëmarrjeje në organizatat e tyre, pjesërisht për shkak të prapësimit të presidentit rus Vladimir Putin, dhe pjesërisht për shkak të sinjaleve të padëshirueshme që dërgohen nga Londra (me Brexit) dhe Uashingtoni (psh kërkesa e Trump që aleatët e NATO të paguajnë sa duhet për shpenzimet e tyre të mbrojtjes).
Pakkush parashikoi që trupat dhe pajisjet evropiane dhe amerikane, do të rivendoseshin në kufirin rus në Poloni.
Megjithatë, humbja tragjike e parandalimit konvencional në Europë, si pasojë e reagimit të mefshtë perëndimor ndaj inkursionit rus në Ukrainë, u dëshmua si një pikë kthese.
Në fakt, reagimi ndaj reagimit populist ishte i suksesshëm. Macron pati rënë në sondazhe, por tanimë duket se është udhëheqësi më i sigurt i Perëndimit; kryeministrja britanike Theresa May kishte qenë e prirur për një Brexit të ashpër, por tani është duke negociuar në detaje për një Brexit të butë; kancelari i ri austriak Sebastian Kurz po shfaqet më i moderuar nga sa kanë pritur shumica e vëzhguesve; dhe përpjekja e parë e dështuar Merkelit për të formuar një qeveri, kishte të bënte më shumë me udhëheqësit e papërvojë të SDP-së, që e kuptuan se nuk ishin në gjendje të qeverisnin me Kristian Demokratët (CDU), sesa me një mbarim të epokës së Merkelit.
Me miratimin përfundimtar të SPD, Merkeli është rikthyer në pushtet në një koalicion të ri të madh. Edhe përpara zgjedhjes së Trump, zyrtarët gjermanë të udhëhequr nga Merkel dhe ish-presidenti Joachim Gauck, ishin dakordësuar që Gjermaninë të vazhdonte të merrte një rol më të madh udhëheqës global.
Me mbështetjen e SPD-së, vendimi i parë i madh i marrë nga qeveria e re Merkel, ka rezultuar në rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, dhe një vendosje më të madhe të trupave gjermane jashtë vendit.
Nga ana e tij, Macron e ka mirëpritur faktin që Gjermania i ka vënë tashmë në vijë punët e veta, dhe së bashku me Merkelin është i gatshëm të ecë përpara me një sërë propozimesh ambicioze, për një integrim më të thellë në BE.
Megjithëse në thelb Europa Perëndimore, mund të jetë në një gjendje disi më të mirë se sa vlerësojnë shumë analistë, dhe Europa Lindore në formë ndoshta më pak të keqe, pretendojnë disa të tjerë, sfida e dyfishtë në të gjithë kontinentin dhe pjesën tjetër të Perëndimit në formë e populizmit dhe agresionit rus, mbetet e ashpër.
Në Evropë, ky kërcënim është i nënvizuar nga stërvitja ushtarake masive e Rusisë “Zapad”, dhe shtimi i provokimeve nga avionët dhe anijet ruse.
Për sa i përket rendit ndërkombëtar liberal, ndërsa ai mund të jetë më elastik se sa presin shumë njerëz, është bërë më pak liberal, dhe më pak i rregullt gjatë 2 viteve të fundit.
Megjithëse ka një riaktivizim që qëndrueshëm në Evropë, Kanada, Japoni dhe Indi, Macron dhe Merkel mund të përdorin veprime më të bashkërenduara nga kryeministri kanadez Justin Trudeau, kryeministri japonez Shinzo Abe dhe ai indian Narendra Modi.
Në të ardhmen e afërt, dyshja franko-gjermane do të jetë shpresëplotë për largimin e Trump nga zyra në fund të këtij mandati, anulimin e Brexit, dhe një ekonomi globale në rritje që fillon të largojë “anijet” populiste.
Megjithatë, gjasat e asnjërës prej këtyre ngjarjeve nuk janë të mëdha. Për pasojë epoka e re populiste, do të vazhdojë të konkurrojë me rendin ndërkombëtar liberal.
Shënim: Jeffrey A. Stacey, është bashkë-drejtues i “Geopolicity Inc”. Një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit në administratën e Obamës, ai është autor i librit “Europa e integruar”.