Tetë automjete luksoze janë sekuestruar nga autoritetet tatimore ndaj një biznesmeni që rezulton me miliona euro detyrime të papaguara ndaj shtetit.
Sipas të dhënave zyrtare, subjekti nuk ka shlyer detyrimet tatimore që prej dhjetorit të vitit 2024, ndërsa borxhi total ka arritur në rreth 6.4 milionë euro.
Në kuadër të masave shtrënguese, Administrata Tatimore ka ndërhyrë duke bllokuar një flotë mjetesh të shtrenjta, mes tyre modele të markave të njohura si McLaren, Mercedes-Benz dhe BMW.
Përmes një njoftimi zyrtar, autoritetet paralajmëruan se kontrollet dhe masat ndaj subjekteve debitore do të vijojnë pa tolerancë, veçanërisht për bizneset që shmangin detyrimet ligjore ose krijojnë detyrime të reja tatimore pas 31 dhjetorit 2024.
Drejtoria e Tatimeve theksoi se aksionet do të përfshijnë edhe subjektet e referuara në organet e drejtësisë, duke nënvizuar se qëllimi mbetet garantimi i zbatimit të ligjit dhe mbledhja e detyrimeve të prapambetura ndaj shtetit.












