Të dhëna për ndikimin e krizës politike në ekonomi ende nuk ka, por sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, nëse ajo do të zgjasë do të ketë pasoja për ekonominë e vendit.
“Natyrisht, nëse do ketë zgjatje të tensionit, do të ketë një rishikim ekonomik në rënie”, tha Sejko.
Po ku do të reflektoheshin efektet e krizës politike? “Në parim, nëse ka zgjatje të tensionit politik do të ketë ndikim në nivelin e investimeve, besimin e konsumatorit dhe për investimet e huaja”, tha Sejko.
Gjithsesi, guvernatori i Bankës Qendrore u shpreh optimist për kapërcimin e situatës. “Unë kam besim se gjërat do të kthehen në drejtimin e duhur”, theksoi Sejko.
Sejko prezantoi në komisionin e ekonomisë raportin e vitit 2016. Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin që shkoi ka pasur konsolidim fiskal, ekonomia ka ecur mirë dhe ka pasur ulje të borxhit publik.