Nga Nona Mikhelidze & Nathalie Tocci “Politico.eu”/ Romë – Konflikti detar në Detin Azov, shënon një fazë të re në konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë. Evropa duhet të jetë në gatishmëri të lartë. Përtej përkeqësimit të tensioneve të mëdha midis Kievit dhe Moskës, përshkallëzimi –ku Rusia kapi 3 anije në ujërat ndërkombëtare, arrestoi 24 marinarë ukrainas, dhe bllokoi anijet tregtare në Ngushticën Kerç, e cila lidh Detin Azov me Detin e Zi – rrezikon ndërkohë të dëmtojë rezistencën e Ukrainës si një vend i pavarur, duke e devijuar këtë të fundit nga rruga e saj e trazuar drejt demokracisë.
Ndoshta më e rëndësishmja:përplasja thekson dështimin e regjimit të sanksioneve evropiane kundër Moskës, si një mjet efektiv për frenimin e presidentit rus Vladimir Putin. BE-ja ka nevojë urgjente të rimendojë që në rrënjë mënyrën se si të përballet me Rusinë.
Motivet që qëndrojnë pas operacionit të Kremlinit, nuk janë misterioze. Moska po synon të përforcojë pozitën e saj në Detin Azov, dhe të kufizojë qasjen e Kievit në portet lindore të Ukrainës. Në këtë mënyrë, Kremlini duket se po ndjek një strategji të ngjashme me atë që bëri
në Gjeorgji, ku aneksimi i saj mori gjithashtu formën e ndryshimit të vazhdueshëm të “kufijve”, ndërmjet Gjeorgjisë dhe Osetisë së Jugut.
Ndërhyrja me dhunë në Ukrainë, e ndryshon ndërkaq edhe fokusin e publikut rus larg politikës së brendshme, dhe sërish tek lufta në lindje, pikërisht në një kohë kur popullariteti i Putinit ka rënë në pikën më të ulët që nga aneksimi i Krimesë i vitit 2014, pas një reforme të diskutueshme të sistemit të pensioneve.
Sot, rreth 58 për qind e rusëve thonë se mbështesin Putinin, nga niveli i lartë prej 75 për qind vitin e kaluar, sipas një sondazhi më të fundit të Qendrës Levada, të publikuar në muajin tetor. Ajo që tregon skandali i fundit, është se qasja që Europa ka në lidhje me sanksionet, nuk është më e mjaftueshme për të përmbajtur Rusinë, dhe për të parandaluar përshkallëzimin e situatës në Ukrainë.
Lëvizja e e Moskës, e nxiti presidentin ukrainas Petro Poroshenko të propozojë hyrjen në fuqi të ligjit ushtarak. Në parlamentin ukrainas, kjo masë u reduktua në një gjendje lufte 30-ditore në rajone të caktuara. Deputetët votuan gjithashtu për të siguruar që zgjedhjet parlamentare të planifikuara për vitin 2019 të mbahen ashtu siç janë parashikuar.
Përgjigjja kaotike në Ukrainë, u siguroi akuza atyre që – si vetë Putin- akuzojnë Poroshenkon,
se po synon zgjerimin e pushtetit së tij duke anuluar zgjedhjet, për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, pavarësisht një rënie të madhe të popullaritetit.
Rusia ka vendosur ndërkohë raketa në Krime, duke e bërë të qartë se Moska nuk do të tërhiqet kur është fjala për mbrojtjen e asaj, që e konsideron të jetë pjesë e Rusisë. Bashkimi Evropian dhe NATO, iu përgjigjën me shpejtësi dhe në mënyrë efektive incidentit, duke i bërë thirrje Moskës të rihapë Ngushticën e Kerçit, të ulë tensionet, të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të sigurojë lirinë e lundrimit.
Por kjo është larg nga të qenit e mjaftueshme. Përtej të gjitha spekullimeve se kush provokoi kë, dhe kush do ta përdorë këtë incident për qëllimet e veta politike, një gjë është e qartë: BE, duhet të rishikojë politikën e saj të sanksioneve ndaj Rusisë. Brukseli vendosi sanksione ndaj Rusisë në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë, dhe i ka rinovuar ato çdo 6 muaj.
Baza për vazhdimin e sanksioneve, ishte konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë, dhe më konkretisht moszbatimi i marrëveshjes së Minskut midis Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë, që synonte të ndihmonte në përfundimin e luftës. Duke filluar nga viti 2016, BE-ja shtoi një strategji të re për Rusinë:një angazhim selektiv, mbi çështjet me interes të përbashkët. Kjo strategji e dyfishtë, pati merita të dyfishta për sigurimin e unitetit politik – për befasinë edhe të Moskës – midis vendeve anëtare të BE-së, ndërkohë që gjithashtu mund të parandalonte përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Situata në Detin Azov, sugjeron që ndonëse udhëheqësit e BE-së kanë gjasa të ruajnë mbështetjen e tyre të unifikuar ndaj sanksioneve, politika aktuale e sanksioneve nuk është më në gjendje të mbajë nën kontroll konfliktin.
Kur krerët e BE të takohen për të rinovuar sanksionet në samitin e Këshillit Evropian të dhjetorit, lëvizjet e Putinit në Ngushticën Kerç, edhe qeveritë më miqësore të BE-së ndaj Moskës – nga Roma, Athina dhe Budapest – ka të ngjarë të distancohen nga Kremlini.
Ky unitet politik, nuk do të jetë një përgjigje ndaj shkeljeve të Marrëveshjes së Minskut. Në fakt, vitet e fundit është bërë e qartë, se marrëveshja e Minskut nuk do të zbatohet plotësisht. As Moska dhe as Kievi, nuk kanë gjasa të angazohen seriozisht në përmbushjen e pjesës së tyre të marrëveshjes.
Udhëheqësit e BE-së, i kanë rinovuar sanksionet çdo 6 muaj. Arsyeja zyrtare për këtë gjë ka mbetur e pandryshuar –gjithçka ka lidhje me Minskun – por motivi i vërtetë ka qenë gjithmonë diçka më e ngutshme:helmimi i ish-spiunit Sergei Skripal në Britaninë e Madhe, dhe tani mosmarrëveshja e fundit detare.
Ajo që tregon incidenti i fundit, është se qasja që Evropa ka në lidhje me sanksionet, nuk është më e mjaftueshme për të përmbajtur Rusinë, dhe për të parandaluar përshkallëzimin e situatës në Ukrainë. Situata aktuale, sugjeron zgjedhjen e një rruge tjetër.
Në vend që ta lidhë vendimin me Minskun apo forma të tjera të negociatave, BE duhet të përcaktojë një sërë kriteresh më të qarta dhe të bazuara në shkeljen e të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut.
Kjo qasje, e mbrojtur më së shumti nga Hollanda, do t’i jepte qartësi qasjes së BE-së përkundrejt Rusisë, dhe do të forconte ndikimin e saj. Ajo do të dërgonte një sinjal në Moskë mbi mënyrën se si pritet të sillet, dhe ta bëjë të qartë se BE-ja është gati të ashpërsojë përgjigjen e saj, nëse është e nevojshme.
Shënim:Nona Mikhelidze, është drejtuese e programit të Evropës Lindore dhe Euroazisë në Istitutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Itali. Nathalie Tocci, është drejtoreshë e këtij instituti, dhe këshilltare speciale e Komisioneres të Lartë Evropiane për Punë të Jashtme, Federica Mogherini.
Përashtati për Tirana Today, Alket Goce