Kanë kaluar 50 vite që nga hera e fundit që Italia nuk e shihte veten jashtë një kampionati Botëror. Eliminimi në fazën “play-off’ përballë Suedisë ishte një dramë për të gjithë kombin italian, por edhe për të gjithë sportdashësit dhe tani është momenti që të “priten kokat” e atyre që gabuan. Gabimi i parë ishte zgjedhja e pankinës që duke e vlerësuar nga eksperienca, nuk ishte e duhura. Ventura mund të ketë eksperiencë dhe cilësi si trajner, por nuk ka fituar asgjë në karrierën e tij, më shumë mbahet mend për shpëtimin e ekipeve nga rënia nga kategoria. Por jo vetëm kaq sepse edhe futbolli italian ka pasur një rënie në tërësi dhe i duhet një frymë e re, për të bërë gjëra të mëdha. Por edhe grupi i lojtarëve që ka në dispozicion kombëtarja italiane është pak i vjetruar dhe ndjek një stil loje mjaft të lexueshëm. Sepse të thuash të drejtën loja që ka bërë Italia në dy vitet e fundit nuk ka qenë aspak bindëse dhe nuk ka sjellë rezultatet që priteshin. Por një analizë se pse ra Italia nuk mund ta bëjë askush tjetër më mirë se dy legjendat e futbollit italian që sollën shumë risi në futboll, Arrigo Saki dhe Fabio Capello.
Nga ARRIGO SAKI
“Kjo disfatë nuk erdhi papritur, sepse Italia vjen nga dy Botërorë shkatërrimtarë. Nëse do të hynim në një de bat nëse ai i zgjedhuri për ndeshjen ishte formacioni i duhur apo jo, unë di të them se zgjedhja e 11 lojtarëve titullarë apo atyre që zbresin më pas në fushë janë rrjedhojë e shumë vlerësimeve të bëra në kohë. Pastaj, nëse mungon edhe kjo aftë- si, pra për të ditur për të zgjedhur lojtarët, atëherë rrezikon që të jesh edhe i pafat. Kam dëgjuar se duhej të luante Insinje me çdo kusht për të fituar, por për mua, ai nuk është një futbollist që të zgjidh situatat, të paktën për ato të lojës po them. Italia vazhdon të vuajë dhe duket se nuk ka ndërmend që të kuptojë se po bën një gabim kulturor: vazhdojmë të konsiderojmë individual, atë që në të vërtetë është një sport skuadre.
Për këtë arsye, në fund vijnë edhe vërshëllimat, për Venturën dhe për të gjithë. Edhe vërshëllimat, janë pasojë e rezultatit, sepse në futboll gjithmonë ai gjykohet dhe jo puna. Venturës nuk do t’i vihet në dyshim karrierë për këtë që vuajti, sepse janë shumë vite të investuara dhe në një nivel të mirë, por jo në një nivel fantastik. Nuk është fitues dhe kjo është e vërteta. Në situata të tilla duket gjithashtu normale që të kërkohet edhe një ‘kokë turku’, sepse në këtë mënyrë të gjithë mund të biem në qetësi, pastrojmë ndërgjegjen duke dënuar individin. Por ta dini që nuk është kurrë individi ai që vendos fatin e një rezultati.
Dëgjoj gjithashtu që të gjithë kanë nisur që të kërkojnë Karlo Ançelotin për të ardhmen, por a do të ishim të zotët ne që ta ndihmonim atë?! Në futboll askush nuk të fal asgjë. Por nëse të gjithë duan Karleton, atëherë duhet të nisim t’i bëjmë shumë gjëra ndryshe, nga çfarë kemi bërë deri tani. Duhet të mbështesim idetë dhe të gjithë ta ndjekin Ançelotin, jo më një kombëtare ku të gjitha duan të thonë fjalën e tyre”.
Nga FABIO KAPELO
“Jam kaq i dëshpëruar dhe i hidhëruar për këtë rezultat tonin, sa nuk arrij ende ta besoj që jemi eliminuar. Pyetja që i kam bërë vetes gjatë gjithë ndeshjes, por edhe pas saj ishte: “Si ka mundësi që nuk arritëm t’i shënonim Suedisë?” Dhe përgjigja ime e vetme është pikësëpari që paguam gabimet e bëra në ndeshjen e parë, sfidë në të cilën zbritëm në fushë pa përulësinë, e ndeshjes së “San Siros”. Vërtet nuk mungoi dëshira për ta përmbysur, por një tjetër gabim që bëmë në ndeshjen e Milanos ishte të vendosnim dhe të luanim me topin e gjatë, pikërisht në atë mënyrë ku suedezët janë të pakalueshëm.
Ata janë gjigantë dhe specialistë të këtij stili loje dhe ne luajtëm pikërisht ashtu siç mund të na ndalonin ato. E mendoni, na eliminoi Suedia! Shkaqet e tjera lidhen edhe me mungesën e cilësisë. Kur ke përballë skuadra si nordikët, të cilët luajnë shumë të mbyllur dhe dinë ta bëjnë fare mirë këtë madje, na nevojitet goditja, apo akoma më mirë goditjet e futbollistëve të mëdhenj, atyre që mund të bëjnë diferencën pikërisht në të tilla sfida. Dhe ne lojtarë si këta nuk kemi fatkeqësisht për momentin. Prandaj, nuk dua që të kritikoj as trajnerin Ventura. Fundja, ai bëri atë që kishte në dorë, tentoi të lëvizë nëpër fushë ata lojtarë që ofron sot Italia. Pastaj lotët e Bufonit… Por ta dini që nuk ishte vetëm ai në lot, por një komb i tërë që qau nga kjo fatkeqësi. Ai e ndjen që dështoi.
Ky ishte problemi, por si burrë mori përsipër përgjegjësi të mëdha, ndonëse e meritonte që të shkonte në Botëror, pasi si askush tjetër do të kishte pasur të ishte një legjendë, me 6 Kupa Bote të luajtura. Gjithsesi, tani të gjithë duhet të harrojmë këtë gjë sa më shpejt dhe të reagojmë. Dhe mos mendoni se duhet të përmbysim futbollin tonë. Është shumë shpejt për të folur për këtë, sepse problemi ynë më i madh është se tani kemi pak cilësi në grupin aktual dhe në qarkullim. Dhe këtë po vuajmë”.