Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi ka bërë një paralajmërim të fortë se qarqe të caktuara politike duan të përsërisin vitin famëkeq të 97-ës në Shqipëri. I ndodhur në Fier, për shpërndarjen e legalizimeve në njësinë Qendër, socialisti Ruçi shtoi se këto qarqe duan ta çojnë vendin drejt destabilizimit, ta lënë pa President e pa zgjedhje, por shtoi se një gjë të tillë nuk ua lejon Kushtetuta.
“Ka qarqe dhe forca të caktuara që vendin duan ta lënë pa President dhe pa zgjedhje, me pak fjalë të destabilizohet, të përsërisim një ’97 tjetër, por kjo nuk ka për të ndodhur, sepse s’e lejon Kushtetuta” – tha ai.
Duke folur për Presidentin e ri, Ruçi u shpreh i bindur që ai do zgjidhet sipas Kushtetutës. Ndërsa tregoi datën se kur do zgjidhet, Ruçi u shpreh i gatshëm edhe për dialog me opozitën.
‘‘Presidenti do zgjidhet sipas Kushtetutës dhe në 24 korrik, kur mbaron mandati i atij aktual, Shqipëria do ketë presidentin e ri. Ne jemi të hapur që edhe ata që janë në çadër të vijnë dhe të negociojmë” – tha ai.