Rruga e Arbrit vijon të shfaqë probleme në segmentin e Xibrit. Edhe pse në këtë zonë nga tunelet në fshatin Shkallë deri tek tunelit i Murrizit është ndërhyrë disa herë për riparimin e deformimeve që pësonte rruga, situata mbetet e njëjtë.
Në afërsi të tunelit të Murrizit traseja e rrugës ka pësuar sërish deformim në anën e poshtme të saj.
Të gjithë ata që vijnë nga Tirana në drejtim të Qarkut Dibër e ndjejnë disnivelin e rrugës në vendet ku ka pësuar çarje dhe shtypje.
Sipas specialistëve reshjet e shiut pritet të ndihmojnë në dëmtimin e mëtejshëm të karrexhatës pasi uji hyn në të çarat e asfaltit. Ndonëse 6 vite më parë kjo rrugë u hap në mënyrë provizore me hapjen për qarkullim të tunelit të Murrizit u konsiderua e përfunduar.
Drejtuesit e mjeteve do t’ju duhet të bëjnë shumë kujdes në segmentin e Xibrit pasi problemet kanë nisur bashkë me shirat e vjeshtës.
Drejtuesit e mjeteve shprehen se kjo rrugë ka qenë problematike që kur është ndërtuar dhe sipas tyre problemet do të vijojnë edhe në të ardhmen.
Më problematike situata është në ditët me shi pasi automjetet që përballen me deformimin e asfaltit mund të përfundojnë të aksidentuar.