Nga Berat Buzhala
Mëngjesin e ditës kur do të luhej ndeshja politiko – sportive, Zvicër – Serbi, unë isha zgjuar duke i lëpirë plagët që ende po më kullonin, nga humbja e një nate më parë e Argjentinës, në Nizhny Novgorod. Kroacia e shkeli atë me një rezultat turpërues. Nëse para syve të mi do të humbiste edhe Zvicra, atëherë zyrtarisht do të shpallësha njeriu që sjell fatkeqësi në futboll. Mirëpo, kisha harruar që unë po shkoja në Kaliningrad, përvec tjerash, edhe për t’u përballur me mijëra nacionalist rusë dhe serb. Kjo është dëshmia ime.
Kanë kaluar 16 orë prej kur referi e ka shpallur të mbyllur ndeshjen Zvicër – Serbi, kursë në kafet e qytetit ajo po vazhdonte të luhej edhe më tutje. Mijëra tifozë serbë që po i pinin kafet e hidhura të humbjes së një nate më parë mund t’i dëgjoje lehtësisht duke e përmendur vetëm një emër: Shaqiri.
Ata që i kisha unë afër, kur po haja mëngjes në restorantin e hotelit Holiday Inn në Kaliningrad, biseduan për më shumë se gjysëm orë për djalin nga Zhegra.
“Nëse është patriot pse nuk luan për Kosovën?”, thoshte i pari.
“Ai luan vetëm për pare”, i priste i dyti.
Pastaj vërshonin fyerjet dhe ofendimet për gjyqtarin gjerman, që sipas tyre nuk e kishte akorduar një penallti, kur lojtari serb Mitrovic ishte bllokuar në brenda zonës së 16 metërshit të Zvicrës.
Në gjithë këtë histori, sipas një tjetri, përgjegjëse është edhe FIFA, që, si pikë e parë, e cakton një gjerman për të referuar një ndeshje ku luan Zvicra, dhe, si pikë ë dytë, që nuk i dënon lojtarët shqiptarë, por edhe Zvicerën, që i lejoi ata ta bënin atë gjënë që i irritoi aq shumë: shqiponjen. Në Ballkan humbjet nuk pranohen lehtë. Madje edhe nëse pranohen, ka mundësi që pas qindra viteve ato të festohen në formë të fitoreve.
Vetëm 16 orë më herët, disa serbë të tjerë, me të cilët rastisa – për fatin tim të keq – t’i kisha ulëset ngjitur në shkallët e stadiumit kishin tjera llafe. Ishin shumë më shumë ofansivë. Nuk viktimizoheshin, sikur po bënin të nesërmen. Nuk u pengonte shumë këpuca e Shaqirit, bile ishin të lumtur që ta turpëronin Zvicrën, bashkë me shqiptarët dhe simbolet e tyre. E donin një fitore kundër të gjithëve. Kishin plane të mëdha për të bërë, bashkë me vëllezërit rusë.
——-
Mëngjesin e ditës kur do të luhej ndeshja politiko – sportive, Zvicër – Serbi, unë isha zgjuar duke i lëpirë plagët që ende po më kullonin, nga humbja e një nate më parë e Argjentinës, në Nizhny Novgorod. Kroacia e shkeli atë me një rezultat turpërues, 3 – 0. Referenca ime kryesore në futboll në më shumë se një dekadë, Lionel Messi, u detyrua ta linte stadiumin i mllefosur. I mllefosur e lash stadiumin edhe unë.
Atë natë nuk flejta gjithë natën. Fillimisht nuk më zinte gjumi nga mërzia e humbjes, e pastaj edhe për shkak të dhomës së dobët të apartmentit ku po flinim unë dhe Leo (Leonard Kërquki). Unë u zgjova me një sasi modeste të gjumit, vetëm një orë. Leo me tri.
Kur u nisëm për në Rusi, në këtë vizitë tetë ditore, i kishim nxjerrë biletat për t’i parë dy ndeshje, atë në mes të Argjentinës dhe Kroacisë, unë me shpresën dhe dëshirën që fiton Argjentina, dhe atë Zvicër – Serbi, me shpresën që fiton Zvicra.
Orari, por edhe qytetet, ku luheshin këto dy ndeshje ishte shumë problematik për t’u arritur. Luheshin në dallim kohor prej vetëm 24 orë nga njëra tjetra, por në një distancë prej disa mijëra kilometrave. Nëse cdo gjë shkonte sipas planit, nëse nuk kishte vonesa rrugore, nëse avioni nisej me kohë, ne do të mbërrinim vetëm pak minuta para se të fillonte ndeshja. Vonesa më e vogël mjaftonte që ne të mos ishim në stadium.
Kështu që të nesërmen herët do të duhej të niseshim në një rrugë të gjatë, shtatë orë me veturë, për t’u kthyer nga Novgorodi, fillimisht për në Moskë, e prej këtu, me aeroplan për në qytetin e Kaliningradit, i cili është një xhep rus, në mes të Polonisë dhe Lituanisë. I njohur para Luftës së Dytë Botërore si Konigsberg, ky qytet gjerman është rrëmbyer nga Stalini, me pajtimin e aleatëve, si plackë e luftës dhe është pagëzuar në emër të një zyrtari të lartë bolshevik. Si rrjedhojë, prej këtu janë dëbuar të gjithë gjermanët dhe qyteti është kolonizuar me rusë.
Në këtë qytet me një të kaluar të bujshme, duhej të mbërrnim para orës 20.00, për të parë përballjen historike në mes të Zvicrës dhe Serbisë. Sikur në përbërje të ekipit të Zvicrës të mos ishin katër shqiptarë, Behrami, Xhaka, Shaqiri dhe Xhemajli, kjo do të ishte vetëm një ndeshje e radhës e Kampionatit Botëror.
Mirëpo gjakrat u nxehen, tensionet u rritën, kur u mësua që lojtarët shqiptarë në njëren këpucë të tyre do ta kenë flamurin e Zvicrës kurse në tjetrin atë të Kosovës. Për këtë raportuan mediat kryesore botërore. Serbët u irrituan. Shqiptarët e ngritën kokën përpjetë nga krenaria. Djemtë tanë nuk po e fshehin prejardhjen e tyre. Ishte një shansë për të mos e lëshuar. Ishte prej atyre përballjeve që pas kushedi sa vjetësh ke dëshirë të thuash “unë kam qënë aty”. Megjithatë, unë nuk kisha dëshirë të isha aty, nëse do të bëhej fjalë për humbje. Edhe ashtu të gjithë po flitnin se Berati u sjell ters ekipeve. Thanë se i solla një natë më herët Argjentinës. Kanë thënë që i kam sjellë edhe disa herë të tjera Barcelonës. Nëse edhe këtë herë do të ndodhte, do të filloja vërtet të dyshoja.
Gjatë gjithë kësaj kohe, kur i kisha këto dilema se kush do të fionte, ose kur bashkë me Leon po vraponim që të mos e humbasim asnjë minut në mënyrë që të jemi në kohë në Kaliningrad, unë kurrë nuk e çova nëpër mendje që, përvec tjerash, kjo do të mund të ishte edhe një ndeshje e rrezikshme. Një natë më heret kënaqësha si një fëmijë kur i shikoja tifozët e Argjentinës dhe Kroacisë kur po këndonin nëpër sheshin e qytetit të Nizhny Novgorodit. Po qëndronin vetëm disa metra larg, të dyjat palët me ngjyrat e tyre, të dyja palët me këngët e tyre, të dyja palët me dëshirat dhe pritjet e tyre për ndeshjen. Në fund përqafoheshin. Ishte një ndjenjë fantastike.
Në mënyre naive po shpresoja që dicka të tillë të ndodhte edhe në Kaliningrad. Mirëpo, që nuk do të ishte kështu e kuptova që në Moskë, respektivisht në avion, kur kishim filluar t’i lidhnim rripat e sigurisë. Njëri prej udhëtarëve që ishte i ulur bashkë me mua, u ngrit në këmbë dhe duke u dridhur filloi të bërtiste me sa kishte fuqi: Serbia – Serbia. Ai pastaj, në ulurimë e sipër, në gjuhën serbe, i ftoi të gjithë ata që ishin në avion të ngritnin dorën nëse dëshironin që Serbia të fitonte kundër Zvicrës.
U stepa.
Ky udhëtar, de fakto, e mori kontrollin e avionit. Aty filloi një festë ruso – serbe. Palë u bën edhe stjuardesat. I vetmi që nuk u përfshi ishte piloti. Ndoshta ishte bërë edhe ai, por nuk po e shihnim. Kurse iniciatori i kryengritjes kishte filluar edhe të na fotografonte.
“Rusi është serbi më i madh”, thoshte një tjetër që ishte afër nesh. Një tjetër fliste rusisht, e disa të tjerë pastaj filluan t’i shanin, sic thonin ata, “šiptari” që luanin për Zvicër.
E gjithë kjo po ndodhte në avion te një linje të rregulltë të udhëtarëve, e jo në një avion tifozësh. Nuk e kisha menduar kurrë që edhe avioni komercial një ditë do të mund të shërbente për shfrenime flagrante nacionaliste. Nuk e di nëse të tjerët e dinin që aty ishin edhe dy shqiptarë, pra unë e Leo, mirëpo fakti që nuk e ngritëm dorën publikisht “pro Serbisë” i bënte të dyshonin. Kohë pas kohe e kthenin kokën në drejtimin tonë. Meqë ovacionet për ndeshjen filluan që nga avioni, meqë aty u përfshinë edhe stjuardesat, atëherë u binda që në stadium po na priste një ferr i vërtetë.
Ajo cfarë fillova të shpresoja ishte që së paku biletat ku ne do të uleshim të gjendeshin në një pjesë më neutrale, osë, nëse do të kishim më shumë fat, në pjesën ku gjenden tifozët e Zvicrës, ose tifozët shqiptarë. Isha i bindur që në stadium do t’i takoja disa mijëra shqiptarë. Kisha bërë kalkulime krejtësisht të gabuara. Nuk kemi qënë më shumë se 20, duke përfshirë edhe katër që po luanin në fushë bashkë me familjet e tyre.
Për fatin tonë – nuk e dija a për fatin tonë të mirë a për fatin tonë të keq – ne mbërritëm në kohë në Kaliningrad, që e kishte një aeroport të vogël dhe lehtë të navigueshëm. E morëm taksin e parë dhe u nisëm drejt stadiumit të qytetit, bashkë me valigjet që po i bartnim në 10 ditët e fundit. Nuk kishim kohë që të shkonim as deri në hotel.
Sa më shumë që po aviteshim të stadiumi, aq më të qarta po bëheshin gjërat. Në fushë të gjelbër gara do të ishte e barabartë, do të luanin 11 kundër 11’ve. Kurse jashtë saj do të përballeshin Davidi dhe Goliati. Nuk po e takonim asnjë shqiptar për bé. I shihnim, tek tuk, disa zviceranë të hutuar, që si duket ende nuk po e kuptonin se përse në radhën e ekipit kundërshtar atmosfera ishte armiqësore.
Kur ne po pritnim të kalonim kontrollin final, para se të futeshim në stadium, serbët tashmë kishin filluar ofendimet e para në drejtim të “šiptarima”. Unë dhe Leo, duke mos e takuar ende asnjë shqiptar, po shikoheshim në sy dhe po pëshpëritnim me njëri tjetrin. Gjendeshim mu në epiqendër të thirrjeve nacionaliste. Kurse loja ende nuk kishte filluar. Fotografitë e Vladmiri Putinit po na fluturonin para syve, kurse thirrjet për bashkimin e fuqishëm ruso – serb po na shurdhonin veshët. Të shoqëruar me këtë atmosferë e kaluam edhe kontrollin e fundit, përpara se të futeshim në amfiteatrin e madh, aty ku do t’i matnin forcat lojtarët profesionistë. Tashmë aty po ushtonte “Serbia – Serbia, Serbia – Rusia, Kosovo – Serbia”.
Me bileta në duar filluam të kërkonim vendin ku do të uleshim. Cdo gjë ishte e qartë: asnjë ulëse nuk ishte aq e mirë sa për ta parë një ndeshje sportive. Pyetja e vetme që ia vlente të shtrohej ishte nëse vërtetë bëm mirë që erdhëm këtu? Pas disa minutave kërkim nëpër stadium, fatkeqësisht, i gjetëm ulëset tona. Më keq nuk kishte ku të shkonte. I gjithë kombi shqiptar po shahej në kor nga rreth 30 mijë shikues. Gjëmonte Kaliningradi nga kjo sharje.
“Jebi jebi šiptara”
Në mënyrë më pak të organizuar, por nuk mungonin as thirrjet për vrasje të shqiptarëve, të njohur tashmë si “ubi ubi šiptara”. Ne ishim të vetmit në atë rreth që nuk po lëviznim. Ishim bërë akull. Për rreth nesh shumica ishin të pajisur me simbole nacionaliste serbe, me shajkacka, me bluza Kosova është Serbi, me fotografi te kriminelit të luftës Ratko Mladicit. Sigurisht që një numër i konsiderueshëm ishin edhe të dehur.
Kur ende nuk kishte filluar ndeshja, ne vendosëm të largoheshim për të kërkuar ndonjë ulëse në ndonjë vend më normal, mundësisht te një kënd i ngushtë i stadiumit ku ndodheshin tifozët zviceranë, që megjithatë po mbaheshin. Përparësi e tyre ishte që nuk e njihnin gjuhën serbe dhe nuk e kishin as idenë më të vogël se çfarë po brohoritej në stadium.
Kur ndeshja filloi ne ishim në këmbë. Kishim udhëtuar mijëra kilometra për ta parë këtë përballje, e tash po silleshim sa poshtë lart. Provuam të përbiroheshim në një tribunë, mirëpo nuk u lejuam nga vullnetarët, të cilët qëndronin në krye të secilit bllok të ulëseve për të organizuar shikuesit. Ata me shumë mirësjellje na tregonin që vendi ynë ishte diku tjetër. Sikur nuk po e dinim ne se ku ishte! I bëmë edhe dy tri përpjekje tjera po aq të kota. Kur çdo gjë po dështonte, i thashë njërit prej atyre që ishte përgjegjës për rend dhe siguri, se ne nuk po ndiheshim të sigurt atje ku ishim, prandaj po kërkojmë një vend tjetër. Pasi i bëri disa konsulta, na tha se rruga jonë e vetme, nëse donim ta shikonim ndeshjen, ishte që të shkonim të uleshim saktësisht atje ku e kishim të shkruar në biletë.
Në këtë moment, kur ne po provonim të gjenim një zgjidhje, Serbia shënoi. Nuk e pashë golin. Na njoftoi stadiumi, i cili u dridh e edhe ne po ashtu.
Unë dhe Leo po silleshim sa poshtë lart. Nuk po na lejonin të qëndronim as në këmbë për shkaqe të sigurisë. Shumë ironike kjo. Që të iknim fare nga ndeshja nuk ishte opsion. Me kokën ulur ia mësymë vendit tonë. Atyre që duhej të ngriheshin për të na hapur rrugën po u flisnim në anglisht.
Tash kur Serbia po fitonte, atmosfera ishte ndezur edhe më tepër. Sa herë që lojtarët shqiptarë e preknin topin i gjithë publiku fishkëllente, shante, pështynte. Posaçërisht kur fjala ishte për Xherdan Shaqirin.
Bënin sikur e përçmonin Shaqirin, por unë isha i bindur që më shumë ishte frikë sesa përçmim. Kurse ai po vazhdonte ta bënte punën e tij nëpër fushë. Vraponte, shtyhej fuqishëm, luftonte për top, sikur të mos e kishte as idenë më të vogël se rreth 30 mijë shikues ishin turrur kundër tij. Pas një përplasjeje që ai e pati me Mitrovicin në 16-metërsh, kur ky i fundit shkoi te Shaqiri i shtrirë dhe po i fliste diçka në vesh, e pata përshtypjen që publiku do të zbresë në fushë për t’i qëruar hesapet me Xherdanin.
Tifozët serbë e dinin që ka disa shqiptarë që luajnë për Zvicrën, por ata që i kishim afër nuk e dinin me siguri se cilët ishin. Prandaj po e pyesnin njëri-tjetrin se kush çfarë ishte. “Da li je i golman shfajcarske šiptar (A është edhe portieri i Zvicrës shqiptar)”. Për tifozët Zvicra ishte Kosova, por vetëm e kamufluar me fanella me kryq. Pikë.
Loja po rridhte, por për mua minutat po ecnin më ngadalë se kurrë. Për një moment më mashtroi instinkti kur Blerim Xhemajli ishte shumë afër golit. I dhashë trupit përpara, mirëpo menjëherë u ndala. Nuk kishte as kushte minimale për t’u shitur trim. Ishin mijëra tifozë të mllefosur që po kërkonin një lloj hakmarrjeje. Po luanin në terrenin e tyre.
Pak pa përfunduar pjesa e parë arritëm që të lidheshim me internetin e stadiumit. Dy shqiptarë të tjerë, dy vëllezër, Alfred dhe Bekim Gegaj, që na njihnin, kishin qenë edhe ata brenda në stadium. Na kontaktuan përmes FB-së për të na pyetur se në cilën pjesë ndodheshim. Në pjesën e ferrit! Me të përfunduar 45 minutat vrapuam për t’i takuar ata, duke kërkuar leje në anglisht. Ata na treguan që kishin arritur që të uleshin në pjesën e tifozëve të Zvicrës, ndonëse biletat i kishin pasur në pjesën tjetër, atë të tifozëve ruso-serb. Na thanë që aty afër ku ata kishin qenë të ulur, ishin edhe disa ulëse të lira. Mjaftonte që t’i mashtronim sigurimin, e pastaj askush nuk do të na shqetësonte më.
Po çmendesha që nuk po arrija ta shijoja këtë ndeshje. E kisha një ndjesi që Zvicra do të shënonte, por vetëm që duhej fillimisht të rehatohesha. Kurrë në jetë nuk do të pajtohesha me faktin që ditën kur ka shënuar Zvicra kundër Serbisë, ose ditën kur ka shënuar njëri prej shqiptarëve kundër Serbisë, unë kam qëndruar si cung, duke mos lëvizur e duke mos festuar. Nuk është që i urreja lojtarët serbë që po luanin, mirëpo prej çfarë përjetuam, prej çfarë dëgjuam, tash kjo u bë personale.
Për këtë arsye ia mësymë edhe një herë pjesës ku ishin tifozët e Zvicrës. Ishte tollovi e madhe. Dikush po hynte e dikush po dilte, meqë lojtarët ishin në pushim dhe ne ia hodhëm që të depërtonim në Zonën e Sigurt, falë instruksioneve që i morëm prej Alfredit dhe Bekimit. U ekzaltova. Mu duk sikur kur gjatë kohës së luftës arrinim të iknim prej një pjese që kontrollohej nga forcat serbe, në një territor tjetër ku nuk e kishin kontrollin.
Rreth e rrotull tani i kishim do djem të rinj që po këndonin e po festonin, anipse ekipi i tyre po humbiste. Fillova t’i përqafoja që të gjithë që i kisha afër. Disa filluan të më flisnin gjermanisht, duke menduar që unë isha nga Zvicra. U gëzuan edhe më tepër kur e kuptuan që unë jam thjesht një tifoz nga Kosova – shqiptar, që po kërkoja azil brenda stadiumit, por që nga frika për sigurinë personale në pjesën e parë kisha qëndruar si një gur i varrit.
Isha mbushur nga inati. Po shpërtheja. Kisha nevojë t’i thërrisja me emër Shaqirin, Valonin, Xhakën, Blerimin. Dhe në momentin e parë që m’u dha kjo mundësi unë u dalldisa.
Zvicra e filloi kërcënueshëm pjesën e dytë. Unë tash kisha hipur mbi ulëse. Nuk mund ta ndiqja ndeshjen i ulur. Kurse Leo prej një qytetari shumë indiferent për futbollin si sport, u shndërrua në ultras. Po provonim t’i kompensonim 45 minutat e heshtjes.
Ishim me fat që tash ulëset tona ishin shumë afër portës së Serbisë. Kishim pamje të pastër të çdo aksioni. Të tillë e patëm pamjen edhe kur një goditje e devijuar e Shaqirit po shkonte në drejtim të Xhakës. Lojtarin e Arsenalit e pashë që po vraponte për ta goditur. Në atë moment m’u kujtuan rrufeshëm një numër golash të shënuar nga ai prej distancës, te Borussia Munchengladbach ose te Arsenal. Isha krejtësisht i bindur që Xhaka nuk do ta lëshonte këtë rast. Do të ishte antihistorike që të dështonte.
Topi ende nuk e kishte prekur mirë rrjetën kur unë kam fluturuar. U emocionova tej mase. Ky gol ishte përgjigja më e mirë për racizmin serb. Për gjuhën e urrejtjes. Për padurueshmërinë. Për frikën. Për Putinin. Për vëllazërinë ruso-serbe.
Xhaka një djalë i hijshëm, shtatgjatë, korpulent, ishte krejtësisht e kundërta e asaj qysh serbët i kanë stereotipizuar shqiptarët. Unë rashë në trans. Ky gol i shënuar e solli qetësinë në stadium. Po shaheshin më pak nënat shqiptare, më pak po bëhej thirrje që shqiptarët të priteshin në qafë, më pak po i thuhej Shaqirit vogëlush.
Pjesa ku ishim ne tifozët e Zvicrës dhe Kosovës filloi të bëhej më e zhurmshme, mirëpo në asnjë moment nuk u dëgjua asnjë ofendim. Tek e fundit, kush do t’i bënte ato? Ishim vetëm katër shqiptarë. Parulla e vetme që e dinim ishte Hopp Schwiiz. Gjithashtu në mënyrë ciklike po përqafohesha me dy djem të rinj zviceranë, që ishin pas shpinës time, dhe që tash ishin dehur. “Ne nuk jemi kundër askujt. Ne vetëm dëshirojmë të festojmë”, më kanë thënë dhjetëra herë.
Pas golit të Xhakës loja filloi të stabilizohej. Serbët edhe më tutje nuk dëshironin të hiqnin dorë nga ambicia për fitore. Presioni vazhdonte të binte mbi ta, sepse i gjithë stadiumi ishte në anën e tyre. Në anën tjetër zviceranët filluan të luanin taktikisht shumë më mirë sesa serbët, e gjithashtu dukeshin edhe më të freskët. Një gjë e tillë u bë shumë më e dukshme kur trajneri vendosi ta zëvendësonte Blerim Xhemajlin me Breel Embolo, i cili bashkë me Valon Behramin e pushtoi mesfushën.
Këtu e tutje po vërehej që serbët filluan t’i frikësoheshin humbjes. Edhe ata që ishin në terren edhe ata që ishin në stadium. Ndërsa ne kori gazmor që nuk po e ndalnim këngën dhe vallen po kërkonim fitore të plotë, ani pse, nëse e marrim parasysh xhiron e fundit të ndeshjeve të këtij grupi, barazimi më shumë u shkonte për shtati zviceranëve sesa serbëve. Mirëpo, dukej që lojtarët në fushë nuk po bënin analiza të tilla teorike. Ata dëshironin ta mbyllnin këtë ndeshje, sikur të mos kishte asnjë ndeshje pas kësaj.
Unë jam mjaft i vjetër sa të më kujtohet mentaliteti i futbollit serb dhe jugosllav i viteve të ‘80-ta, por edhe i viteve të ’90-ta. Pika më e dobët e këtij futbolli ishte lodhja. Lojtarët e ish-Jugosllavisë, e edhe ata të Serbisë, historikisht kanë qenë të padisiplinuar. Kanë pasur mundësi të luajnë në nivele të larta rreth 60-70 minuta.
Zviceranët e shohin ndryshe futbollin, tek e fundit shumica e tyre janë gjermanë. Ata edhe në fundin e 90 minutave luajnë me freskinë e minutave të para. Kjo po shihej në fushë. Kurse më së miri u pa kur Xherdan Shaqiri pati energji të bollshme që me top nëpër këmbë ta realizonte një sprint të fuqishëm në minutën e 90-të, duke depërtuar me vrap që nga mesi i fushës e deri të porta e serbëve. Te Shaqiri tash e shihje disiplinën gjermane të përzier me pasionin ballkanik. I kisha hapur sytë, kisha hipur mbi karrige, isha shtrënguar për krahu me Leon, po e prisja që të ndodhte ajo që duhej të ndodhte. Nuk mora frymë prej momentit kur u pasua topi në këmbët e Shaqirit, e deri kur ai u fut nën këmbët e Vladimir Stojkovicit. E pabesueshme! Delir!
Kemi qëndruar në shkallët e stadiumit edhe për rreth 30 minuta, derisa nga aty u larguan ata që para 90 minutave ishin futur brenda me shumë potere dhe arrogancë. Ata që në një ndeshje të futbollit kishin zgjedhur të deklaroheshin për fitore politike dhe ushtarake, siç ishte ajo ruso-serbe.
Dolëm nga stadiumi ne katër shqiptarët që ishim aty. Në dalje e takuam edhe Kristianin, i cili kishte ardhur nga Bregenzi i Austrisë për të mbështetur Zvicrën.
Deri te hoteli kemi vazhduar në këmbë. Llobi i hotelit ishte i mbushur me tifozë serbë, që në vend të thirrjeve antishqiptare, në vend të thirrjeve raciste, kishin filluar të bënin analiza sportive. Shaqiri vazhdonte të ishte kryefjala e çdo muhabeti. Isha jashtëzakonisht i interesuar ta dëgjoja çdo fjalë të tyre. Doja ta shijoja pikëllimin e tyre. Po e përjetoja një, siç i thonë gjermanët, schadenfreude, një lloj kënaqësie nga fatkeqësia e tjetrit.
Pas dy-tri netëve të vështira për gjumë, atë natë rashë si i vdekur. U zgjova të nesërmen i lumtur. Kishin fituar djemtë tanë, në një ferr të vërtetë, kurse mua më ishte hequr njolla e zezë e njeriut që u sjell fatkeqësi ekipeve që i mbështet. Pas një shëtitje të shpejtë nëpër Kaliningrad, pasi i përgjova me plot kërshëri bisedat e tifozëve serbë, me Leon, pas tetë ditësh qëndrimi në Rusi, u nisëm për në aeroport. Kur e kaluam kontrollin e pasaportave, derisa po prisnim që të fillonte hipja në aeroplan (boarding-u), më thirri dikush nga mbrapa në shqip. Loja ende nuk kishte mbaruar. Ishte baba i Valon Behramit, i cili po kthehej për në Lugano bashkë me nënën e Valonit, dhe të fejuarën e Valonit, skiatoren e famshme zvicerane Lara Gut. Nëna dhe babai i tij dukeshin të realizuar për tërë jetën e tyre, me atë çfarë kishte ndodhur në Kaliningrad. Kjo familje dhe familjet e lojtarëve të tjerë që luajnë për Zvicër, në këto 10 vjet kanë përjetuar çdo gjë. Të gjitha llojet e ofendimeve dhe akuzave. Për nga niveli i ofendimeve që u janë bërë atyre, lirisht mund t’i krahasojmë me ofendimet që një natë më parë ua kishin bërë serbët. Djemtë e tyre janë quajtur tradhtarë kur janë përballur me Shqipërinë, ose kur kanë vendosur që të vazhdojnë të luajnë për Zvicrën, kur Kosova u bë anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s.
Kurse një natë më herët, të gjithë shqiptarët qanë nga gëzimi që atyre ua dhuruan Valoni, Graniti, Shaqa dhe Blerimi. Zemra mal iu bë secilit që i shihte ata duke fluturuar si shqiponja nëpër fushë, kur i shënuan golat. Kur u vendos drejtësia. Kur secili e mori hakun që i takon. “Boll mirë po thu, pramë ashtë vendosë drejtësia”, më tha Ragipi, baba i Valonit. “Nuk ma ka marrë mendja që kam me të taku në Rusi. Po m’jet marak që nuk të kam pa pramë. Kishim shku e kishim festu bashkë me djemtë”. Ragipi më tregoi që kur po luhej ndeshja për pak nuk ishte kacafytur me një serb, që po i shante shqiptarët me nënë. “Po jo bre burrë se nuk durohet”. Në fund Ragipi më premtoi që do të ma sjell një fanellë të Valonit, të cilën ai e ka veshur gjatë kampionatit botëror.