Kryeministri Edi Rama i përgjigjet në Twitter një artikulli të gjatë të publikuar në Zërin e Amerikës në lidhje me punësimet e militantëve socialistë nëpër burgje. Rama thotë se
“Erdhi dita që Zëri i Amerikës të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”.
Në një postim të dytë, kryeministri thotë se po sulmohen ata që po përpiqen t’i vënë fre zullumit.
“Shkoni verifikoni dokumentet e konkursit e ballafaqoni rezultatet me rekrutimet, pastaj hidhni baltë sa të doni! U kujtuat për emërimet partiake në administratë, pas 30 vjetësh dhe duke sulmuar ultësisht, e aspak gazetarisht, pikërisht ata që po bëjnë çmos t’i vënë fre zullumit”.
Sipas Zërit të Amerikës, hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e Burgjeve, Arben Çuko ekspozojnë farsën e konkurseve publike dhe ndërhyrjet për punësime nga zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe në një rast, edhe nga kabineti i kryeministrit Edi Rama.
Më 30 prill 2018, drejtori i Përgjithshëm në atë kohë i Burgjeve, Arben Çuko mori një telefonatë nga kabineti i kryeministrit Edi Rama. Biseda bëhej me porosi të drejtoreshës së kabinetit, Vali Bizhga dhe kishte në fokus punësimin e një vajze.
Çuko, i cili ndodhej nën përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pohon në bisedë se e kishte firmosur punësimin më herët atë ditë.