Kryeministri Edi Rama në një intervistë për “France24”, gjatë vizitës në Paris theksoi se reforma në drejtësi po pengohet nga të inkriminuarit. Kjo është faza më e vështirë, sipas tij, pasi lidhet me zbatimin e saj në terren. Ndërsa i cilësoi paradoksale kundërshtimet e opozitës, kreu i qeverisë tha se kjo është një situatë paradoksale dhe se kemi ardhur në pjesën më të vështirë të zbatimit të saj.
“Në fakt është disi paradoksale, rrallë ndodh që një qeveri të përcaktohet për një reformë radikale në drejtësi, shumë të rëndësishme, siç e thatë ju, dhe të lidhur me korrupsionin në nivele të larta dhe opozita të jetë kundër. Është një reformë që e kemi nisur në harmoni me misionin e drejtësisë së BE-së dhe atë të SHBA-së, të mbështetur me shumë ekspertë dhe eksperienca në gjirin e BE për reforma të tilla në vende të tjera që kanë dalë nga komunizmi dhe, pasi kemi bërë ndryshime edhe në Kushtetutë për një drejtësi të pavarur në Shqipëri, kemi ardhur tek pjesa më të vështirë për t’u gëlltitur për fat të keq nga disa, vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Rama.
Për sa i përket akuzave të opozitës se qeveria do të kapë drejtësinë, kryeministri u shpreh: “Jo, nuk besoj se BE dhe SHBA si partnerë strategjikë të Shqipërisë do kishin pranuar një reformë apo cilidoqoftë që do të vinte dorë mbi drejtësinë. Pastaj, me ndryshimet në Kushtetutë dhe në legjislacion opozita zgjedh 50% për komisionet e kontrollit që janë një filtër shumë-shumë i imët për gjyqtarët e prokurorët që duhet të justifikojnë veprimet e dënueshme që kanë bërë gjatë karrierës së tyre. Është një strukturë shqiptare nën monitorimin e gjykatësve dhe prokurorëve europianë dhe amerikanë”.