Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar Partinë Demokratike si armikun numër një të zgjedhjeve të lira. Duke kujtuar zgjedhjet e vitit 2009 dhe ato të vitit 2011, Rama tha gjatë komunikimit javor, se Partia Demokratike nëpërmjet një KQZ-je të inkriminuar dhe një tufe gjykatësish të korruptuar, i vodhi fitoren në Tiranë.
Rama: Në memorien tonë janë ende të freskëta gjatë viteve 2009 e 2011. Armiku numër një i zgjedhjeve në Shqipëri, Sali Berisha refuzoi hetimin parlamentar. Na vodhën me një KQZ të inkriminuar dhe me një tufë gjyqtarësh të korruptuar na vodhën zgjedhjet në Tiranë. Janë nguluar në një çadër tallavaje dhe thonë se do të pengojnë popullin të votojë më 18 qershor. Ku është parë dhe ku është dëgjuar? Është një budallallëk i madh.
Ai deklaroi se pavarësisht se mazhoranca ka shumicën e cilësuar në Parlament, nuk ka marrë asnjëherë nismë për të bërë ndryshime të njëanshme të Kodit Zgjedhor.
Rama: A ka marrë vallë kjo shumicë parlamentare që ka mbi 84 vota të nevojshme ndonjë nismë të njëanshme për të ndryshuar Kodin Zgjedhor? Absolutisht jo! Madje për herë të parë rekomandimet e OSBE/ODIHR nuk janë miratuar ende nga Parlamenti.
Duke u ndaluar tek kërkesa e opozitës për qeveri teknike, Rama i parashtroi disa pyetje opozitës.
Rama: Për të gjithë ata që kërkojnë të nxjerrin gurin e qeverisë teknike që ka marrë lumi opozitën. Nëse opozita nuk do zgjedhje a është demokratike që të mos bëhen?
Demokracia nuk ndalon askënd të hyjë në zgjedhje dhe nuk detyron askënd kur ata nuk duan. Demokracia nuk është përdhunimi i shumicës nga pakica, prandaj është pluralizëm. Mbase kjo derexhe e Partisë Demokratike nga një alternativë qeverisëse….
Keqardhje për ata që e votojnë, por kurrsesi ata që e drejtojnë. Ne nuk kemi ndërmarrë asnjë nismë për të ndaluar Partinë Demokratike që të vrasë veten.
Aleanca e turpshme elitës së Partisë Demokratike me kastën e korruptuar të gjykatësve dhe prokurorëve, çadra e ngritur është streha e natës së gjatë.
Nuk kemi asnjë opozitë tjetër që të ketë shfaqur në këtë mënyrë panikun nga drejtësia.