Kur kriza politike ka hyrë në një situatë të atillë, që forcat politike nuk po arrijnë t’i japin zgjidhjen e duhur, kryeministri Rama dhe aleati tij në qeverisje, Ilir Meta, do të vendosin ditën e sotme se ç’do bëjnë me njëri-tjetrin dhe me opozitën.
Rama dhe Meta do të takohen në orën 10:00, në ambientet e Hotel Tirana. Kreu i LSI-së do të shoqërohet në këtë takim nga Luan Rama, ndërsa kryeministri nga Gramoz Ruçi. Ata do të diskutojnë rreth situatës politike, mbi kërkesat e opozitës për qeveri teknike dhe mbi të ardhmen e koalicionit, pasi në 18 prill është edhe afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Duket se firmosja zyrtare e koalicionit, përveç modaliteteve të brendshme, si dhe programit të përbashkët, do ketë pikë të fortë edhe mënyrat e zgjidhjes së krizës aktuale dhe përfshirjes së opozitës në zgjedhje, si edhe çështjen e Presidentit të ri të vendit. Seanca e parë është javën e ardhshme dhe, megjithëse, e majta i ka votat, ka lëshuar sinjale se do të kërkojë një President konsensual me të djathtën.