Një pajisje unikale diagnostikuese e teknologjisë së re, e vetmja e këtij lloji në Shqipëri, është instaluar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Pajisja SPECT CT do të ndryshojë tërësisht mënyrën e ekzaminimit të tumoreve, që në stade të hershme, duke rritur maksimalisht saktësinë e diagnozës për pacientët që vuajnë nga sëmundjet tumorale. Kjo pajisje do të përdoret edhe për diagnostikimin e një grupi sëmundjesh në shërbimin e Urologjisë, Neurologjisë, Kardiologjisë, Endokrinologjisë etj.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, pa nga afër investimin e ri në këtë Qendër, e shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i QSUT-së Enkelejd Joti, si dhe profesorët, shefat e shërbimeve të Neurologjisë, Urologjisë, Kardiologjisë, Nefrologjisë Interne etj.
Kjo pajisje jep një ndihmesë të veçantë në Onkologjik, me kryerjen e ekzaminimit “all body”, ku arrin të fraksionojë dhe stadifikojë diagnostikën e tumoreve dhe jep një informacion të saktë për trajtimin radioterapeutik të kryer.
SPECT CT ka kushtuar 73.8 milionë lekë është mundësuar falë bashkëpunimit të projekteve të QSUT me Agjencinë Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Kjo pajisje do t’i shërbejë rreth 1500 pacientëve në vit, për diagnostikimin e saktë të sëmundjeve.