Diplomati Arben Çejku ishte këtë të martë i ftuar në një emision televiziv për të folur rreth vizitës së presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky në Tiranë.
Ai tha se Shqipëria që prej nisjes së agresionit rus e ka mbështetur Ukrainën, e madje ka pasur kontributin e saj pozitiv edh enë Këshillin e sigurimit, ku ishte anëtare jo e përhershme.
“E para është pjesa simbolike. Shqipëria ka dy vite që është e rreshtuar përkrahë Ukrainës, ka mbështetur personalisht edhe Zelenskyn. Shqipëria si anëtare jo e përhershme e këshillit të sigurimit, bashkë me Shtetet e Bashkuara ka qenë përkrahë Ukrainës dhe të gjitha rezolutat e dala në këtë periudhe shumë të rëndësishme në një farë mënyre kanë edhe kontributin e Shqipërisë.
Ana tjetër është se jo gjithë vendet e rajonit kanë qenë në të njëjtën linjë të mbrojtjes së Ukrainës dhe dënimit të agresionit rus në Ukrainë, kam parasysh këtu Serbinë.
E treta Zelensky është në një përpjekje të ethshme diplomatike për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtarëve drejt një dokumenti paqeje të cilin duhet ta mbështesin aktorët kryesorë ndërkombëtarë dhe njëkohësisht të jetë palë edhe Rusia në këtë rast sepse nuk mund të përfundoje lufta ndryshe”,-tha diplomati.