Në vitin 1967, “Sudamericana Press” botoi “Njëqind vjet vetmi” (Cien años de soledad), një roman i shkruar nga një autor i njohur kolumbian Gabriel Garsia Markez. As shkrimtari dhe as botuesi, nuk prisnin shumë nga ky libër. Ata e dinin, se siç ishte shprehur dikur botuesi gjigant Alfred A. Knopf “pjesa dërrmuese e një romani vdes ditën që botohet”.
Befas, “Njëqind vjet vetmi” shiti më shumë se 45 milionë kopje, duke forcuar pozicionin e vet si një klasik i letërsisë botërore, dhe Markezi fitoi famën e njërit nga shkrimtarët më të mëdhenj në histori në gjuhën spanjolle. Pesëdhjetë vjet pas botimit të librit, mund të jetë joshëse të besosh se suksesi i tij qe po aq i pashmangshëm, sa edhe fati i familjes Buendia në qendër të rrëfimit.
Përgjatë një shekulli, qyteza e tyre Makondo ishte skena e katastrofave natyrore, luftërave civile dhe ngjarjeve magjike. Ajo u shkatërrua, pasi pinjolli i fundit i familjes Buendía u lind me një bisht derri nga pas, sikurse profetizohej në një dorëshkrim, të cilin qenë përpjekur ta deshifronin gjeneratat e Buendias.
Por, në vitet 1960, “Njëqind vjet vetmi” nuk u njoh menjëherë si “Bibla” e stilit të njohur tanimë si realizmi magjik, i cili i paraqet ngjarjet fantastike si situata të zakonshme. As kritikët nuk u pajtuan për ta cilësuar rrëfimin si vërtet novator. Për të vlerësuar tërësisht jetëgjatësinë, vlerën artistike dhe rezonancën globale të romanit, është thelbësore të shqyrtohet përzierja e pamundur e faktorëve, që e ndihmuan atë të kapërcejë një klimë të vështirë sa i përket botimit, dhe anonimitetit relative të autorit në atë kohë.
Në vitin 1965, argjentinasja “Sudamericana Press” ishte një shtëpia botuese kryesore e letërsisë bashkëkohore latino-amerikane. Përgjegjësi i blerjes së të drejtës së autorit, në kërkim të talenteve të reja, i kërkoi pa shumë dëshirë Markezit të drejtën e publikimit të disa prej nga veprave të tij. Shkrimtari iu përgjigj me entuziazëm se po shkruante “Njëqind vjet vetmi”, një roman shumë i gjatë dhe kompleks, “në të cilin unë kam vendosur iluzionet e mira më të mira”.
Dy muaj e gjysmë para botimit të romanit në vitin 1967, entuziazmi i shkrimtarit u kthye në frikë. Pasi ngatërroi një episod të aritmisë nervore me një atak në zemër, ai i rrëfehet një miku përmes një letre: “Jam shumë i frikësuar!”. Ajo që e shqetësonte ishte fati i romanit të tij; e dinte se mund të vdiste shpejt pas botimit të librit.
Frika e tij, bazohej në realitetin e ashpër të industrisë së botimit të librave, për autorët që ishin në rritje: shitjet e dobëta. Katër librat e mëparshëm të Markezit, kishin shitur më pak se 2.500 kopje të marra së bashku. Më e mira që mund të ndodhte me “Njëqind vjet vetmi”, ishte ndjekja e një rruge të ngjashme me librat e botuar në vitet 1960, si pjesë e lëvizjes letrare të njohur si “la nueva novela latino-americana” (romani i ri latino-amerikan).
Suksesi si një roman i ri në Amerikën Latine, do të nënkuptonte shitjen e një 8 mijë kopjeve të botimit të parë, në një rajon të banuar nga 250 milionë njerëz. Shitjet e mira rajonale do të tërhiqnin më pas një botues të zakonshëm në Spanjë. Njohja ndërkombëtare, do të pasohej me përkthimet në anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht.
Që të kapje majat në vitin 1967, do të thoshte të merrje një nga çmimet e lakmuara letrare të gjuhës spanjolle: Biblioteca Breve, Rómulo Gallegos, Casa de las Américas dhe Formentor. Kjo ishte rruga e ndjekur nga romanet e reja latino-amerikane të viteve 1960 të Aleho Karpentier, Mario Vargas Losa, Hulio Kortazarit dhe Karlos Fuentesit.
“Njëqind vjet vetmi”, sigurisht që i eklipsonte veprat e tyre në shumë aspekte. I botuar në 44 gjuhë, ky roman mbetet vepra letrare më e përkthyer nga spanjishtja pas Don Kishotit, dhe një sondazh me shkrimtarë të ndryshëm nga e gjithë bota, e rendit atë si librin që ka formësuar më së shumti letërsinë botërore gjatë tre dekadave të fundit.
Në Spanjë gjatë viteve 1950 dhe 1960, shkrimtarët përqafuan realizmin social, një stil i karakterizuar nga histori të ndërlikuara të karaktereve tragjike, në mëshirën e kushteve të rënda sociale. Amerikano-latinët që dëshironin një karrierë letrare në Spanjë, duhej të pajtoheshin me këtë stil, dhe një shembull ishte i riu Vargas Losa që jetonte në Madrid, ku dhe filloi të shkruante tregime të shkurtra social-realiste.
Ndërkohë, shkrimtarët latino-amerikanë e panë veten të konkurronin me “romanin e ri” francez. Mbështetësit, duke përfshirë edhe Zhan Pol Sartrin, e vlerësuan atë si “anti-roman”. Për ta qëllimi i letërsisë nuk ishte rrëfimi narrativ, por të shërbente si një laborator për eksperimentet stilistike.
Midis viteve 1967-1969, studiuesit argumentuan se “Njëqind vjet vetmi” i kapërceu kufizimet e këtyre stileve. Në kundërshtim me lokalizmin e indigjenizmit, kritikët e panë këtë roman si një tregim kozmopolit, i cili “mund të korrigjojë rrugën e romanit modern”. Ndryshe nga gjuha e përmbledhur e realizmit social, proza e Markezit ishte një “pastruese e atmosferës” me një gjuhë shumë poetike dhe dritë, siç argumentoi shkrimtari spanjoll Luiz Izkuierdo.
Dhe në kundërshtim me eksperimentet formale të romanit të ri, romani i tij iu rikthye “narrativës së imagjinatës”, siç shpjegon edhe poeti katalonjës Pere Gimferrer. Pas përkthimit të librit në gjuhë të mëdha, edhe kritika ndërkombëtarë e pranoi këtë konstatim. Shkrimtarja italiane Natalia Ginzburg e quajti “Njëqind vjet vetmi” “një roman të gjallë”, duke përforcuar frikën bashkëkohore se forma ishte në krizë.
Në ditët e sotme, studiuesit, kritikët dhe lexuesit në përgjithësi e lavdërojnë romanin si “shprehjen më të mirë të realizmit magjik”. Përgjatë viteve, romani u rrit me një “cilësi të vetën” dhe u bë më pak historia e Amerikën Latine, dhe më shumë e njerëzimit në tërësi.
Pesëdhjetë vjet më vonë, romani ka hyrë plotësisht në kulturën popullore. Ai vazhdon të lexohet në mbarë botën, nga njerëz të famshëm si Oprah Winfrey, apo politikanë si ish-presidentët Bill Clinton dhe Barack Obama, të cilët e kanë quajtur librin si “një ndër më të preferuarit në rininë e tyre”.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce