Nga Beverly Moranv “The Conversation”
Mbyllni sytë dhe imagjinoni një parajsë fiskale. A ju vjen në mendje një ishull në Karaibe? Rërë, sërf dhe mijëra zyra që strehojnë korporatat guaskë?Disa parajsa fiskale, si Ishujt Kajman ose Bermuda, i përshtaten këtij përshkrimi. Shumë të tjera jo.
Çelësi i një parajse fiskale janë taksat. Çdo vend që e lejon një tatimpagues – individ apo kompani qoftë- të pagua një më pak taksa jashtë shtetit sesa në shtëpi, është një parajsë fiskale. Kështu, në varësi të juridiksionit dhe biznesit të tatimpaguesit, shumë vende rezultojnë të jenë parajsa taksash, madje edhe Shtetet e Bashkuara.
Një marrëveshje e fundit nga Grupi i Shtatë vendeve më të pasura të botës G-7, synon që të eliminojë tërësisht parajsat fiskale që strehojnë korporatat e mëdha, duke vendosur një normë globale të taksimit prej 15 për qind. Por si një ekspert i taksave, e kam të vështirë që ta marr seriozisht atë.
Thënë thjesht, parajsat e taksave janë juridiksione që ofrojnë taksa të ulëta dhe jo një përpjekje për të tërhequr investime të huaja. Nga perspektiva e një tatimpaguesi, shenja e parë e një parajse të mirë fiskale është fakti që ajo është plotësisht e ligjshme.
Ndërsa mund të ketë një perceptim se njerëzit që i përdorin parajsat fiskale për të shmangur taksat janë duke shkelur ligjin, kjo gjë rrallë ndodh. Një tatimpagues që është i qetë dhe në rregull me bilancet, nuk ka nevojë për një parajsë tatimore.
Nga ana tjetër, një biznesmeni pandershëm dhe një bankier më pak i sinqertë, janë gjithçka që kërkojnë parajsat fiskale. Shenja e dytë e një parajse të mirë taksash është transparenca, stabiliteti politik dhe sundimi i ligjit.
Nëse u kushton më shumë të paguajnë avokatë, llogaritarë dhe ryshfete për të shmangur taksat jashtë shtetit, sesa u kushton për të paguar taksat në vendin e tyre, nuk ka kuptim të çohen paratë tek një parajsë tatimore. Shenja e tretë është privatësia.
Për vite me radhë, bankat zvicerane kanë ofruar“standardin e artë” në këtë drejtim, duke refuzuar në mënyrë kategorike që të zbulonin diçka rreth depozituesve të tyre. Kjo gjë ndryshoi në vitin 2008, kur bankat zvicerane ranë dakord që t’u raportojnë mbi depozituesit e tyre 43 vendeve evropiane.
Humbja e sekretit të plotë që kishte dikur Zvicra i ka bërë shumë më tërheqëse kompanitë guacka dhe vendet që i bëjnë ato të lehta për të ngritur. Kompanitë guaska janë në thelb kompani pa operacione aktive biznesi apo pasuri të konsiderueshme, të cilat grumbullohen njëra mbi tjetrën për ta bërë më të vështirë gjetjen e pronësisë.
Identifikimi i një parajse fiskale, nuk është aq i thjesht për qeveritë që synojnë t’i kontrollojnë ato, sesa për taksapaguesit që i kërkojnë ato. Dhe kjo kryesisht pasi qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare priren të mendojnë se një parajsë fiskale gjendet diku tjetër nga vendi ku jetojnë.
Për shembull, Bashkimi Evropian harton një listë vjetore të parajsave tatimore që nuk ka në përmbajtje vendet anëtare të BE-së, edhe pse shumë lista të tjera të ngjashme identifikojnë Irlandën, Luksemburgun dhe një mori vendesh të tjera evropiane si parajsa fiskale.
Dhe ndërsa disa grupime e kanë cilësuar si parajsë fiskale edhe SHBA-në-madje revista “Forbes” e quan atë më të mirën në botë – qeveria amerikane nuk do ta bënte kurrë atë, edhe pse i përshtatet të gjitha kritereve kryesore, të tilla si sigurimi i mënyrave ligjore për të shmangur pothuajse të gjitha taksat dhe një privatësi e madhe për tatimpaguesit.
Është kjo arsyeja pse marrëveshja globale e G-7, mbi takimin në nivelin 15 për qind mbi korporatat, nuk ka gjasa që të funksionojë.
Sigurisht, unë e përshëndes këtë përpjekje. Por pa një taksimi minimal, vendet do të mbeten të bllokuara në një garë në dukje të pafundme, ku çdo herë që një qeveri ul tarifat e saj ndaj korporatave, një tjetër do t’i ulë akoma më shumë të vetat.
Problemi është se G-7 duhet të bëjë që më shumë se 130 vende të tjera të vendosin një normë minimale taksimi mbi korporatat. Shumë vende, përfshirë Irlandën dhe Kinën, duket se nuk kanë gjasa që të heqin dorë nga diçka që u ka sjellë atyre kaq shumë përparësi ekonomike.
burimi: https://theconversation.com/what-are-tax-havens-the-answer-explains-why-the-g-7-effort-to-end-them-is-unlikely-to-succeed-163125
Përshtatur për Tirana Today