By Zack Beauchamp “VOX”/ Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka shkatërruar demokracinë e vendit të tij. Partia e tij, Fidesz, ka ndryshuar sistemin zgjedhor, për ta bërë gati të pamundur fitoren e opozitës, ka zhdukur pavarësinë e gjykatave, dhe i ka shndërruar afro 90 për qind të mediave
të vendit, në megafonë të retorikës populiste dhe anti-emigrante të qeverisë.
Pas zgjedhjeve të prillit të këtij viti, ku Fidesz fitoi më pak se 50 për qind të votës popullore, por dy të tretat e vendeve në parlament, dukej se kishte pak optimizëm, se vendi të mund të nxirret nga kthetrat e Orban. Por javën e kaluar, ndodhi diçka vërtet shpresëdhënëse:Mijëra protestues vërshuan rrugëve të Budapestit në demonstrata anti-qeveritare të qëndrueshme.
Të mbështetura nga partitë kryesore të opozitës anti-Orban, protestat, të cilat nisën të mërkurën, kanë hedhur parulla si “ Gjithçka që dua për Krishtlindje, është demokracia!” dhe kënduan në kor kundër mediave shtetërore (“Televizoni po gënjen!”).
Protestat kanë prodhuar disa imazhe dramatike. Kur deputeti i opozitës Akos Hadhazi, u përpoq të hynte në zyrat e televizionit shtetëror për të lexuar një listë me kërkesa, rojet private të sigurisë e nxorrën jashtë zvarrë:Ky është një kërcënim serioz për “fashizmin e butë hungarez”, siç e kam quajtur më herët modelin e qeverisjes së Orban, por ende jo ekzistencial.
Protestuesit nuk janë ende një lëvizje e unifikuar me një strategji afatgjatë, dhe nuk janë as të shumtë në numër:Demonstrata më e madhe deri më tani, ka tërhequr në shesh rreth 15.000 njerëz, në një vend prej rreth 10 milionë banorësh. Por protestat mund të vazhdojnë të zgjerohen, nëse Orban nuk bën diçka për të trajtuar ankesat e protestuesve.
Ndoshta më e rëndësishmja, ato tregojnë një dobësi themelore në modelin anti-emigrant të krahut të djathtë populist – një dobësi nga e cila mund të mësojnë edhe amerikanët. Shkëndija e menjëhershme e protestës, ishte një ligj i ri mbi punën, i miratuar të mërkurën e shkuar nga partia e Orban.
Ligji u jep punëdhënësve të drejtën të kërkojnë 400 orë orë punë jashtë orarit nga punonjësit e tyre në vit, afërsisht 8 orë çdo javë, dhe të vonojnë deri në 3 vjet pagesën për këtë punë. Opozita e ka quajtur atë një “ligj të sllavërsisë”, dhe me të drejtë. Ligji synon të adresojë një problem aktual:Për shkak se pagat janë më të larta në vendet e tjera të BE, dhe për shkak se disa të rinj hungarezë nuk duan të qëndrojnë në një vend, ku të drejtat themelore demokratike po zhduken, ata po largohen nga Hungaria.
Rreth gjysma e tyre preferojnë të punojnë jashtë vendit sesa në shtëpi, sipas hulumtimeve të Grupit Këshillues të Bostonit, të publikuar më herët gjatë këtij viti. Një projekt i OKB-së zbuloi se nëse Hungaria vazhdon në rrugën e saj aktuale, popullsia do të jetë 15 për qind më e vogël në vitin 2050 se sa tani.
Rezultati është një mungesë akute e krahut të punës, një problem që mund të adresohet duke sjellë më shumë emigrantë në vend. Por Hungaria, ka një nga normat më të ulëta të të huajve në vend për frymë në Bashkimin Evropian, dhe Orbani nuk ka interes ta ndryshojë këtë.
Ideologjia e tij përqendrohet në mbrojtjen e hungarezëve, nga kërcënimi i supozuar nga emigrimi masiv, veçanërisht nga vendet me shumicë myslimane. Mbështetësit e Fidesz, me të cilët fola gjatë një vizite në Hungari verës që shkoi, e vlerësonin Orbanin për pengimin e qëndrimit të emigrantëve në vend, në prag të krizës së refugjatëve të vitit 2014.
Pra, në pamundësi për të ndalur emigracionin masiv, ose për t’u larguar nga emigracioni, Orban ka vendosur t’i detyrojë hungarezët të punojnë më shumë, pa asnjë shpërblim të menjëhershëm. Rezultati ishte një revoltë masive, veçanërisht nga sindikatat, dhe fillimi i protestave në Budapestit një javë më parë.
Qëllimi i menjëhershëm i protestave, ishte të ndryshonte “ligjin e skllevërve”, por shpejt evoluoi në një lëvizje më të madhe proteste. Studentët e universiteteve, që kundërshtojnë devijimin autoritar të vendit – përfshirë shumë studentë të Universitetit të Evropës Qendrore, një shkollë amerikane e themeluar nga Xhorxh Soros, të cilën Orban tentoi ta mbyllë – u bashkuan me sindikatat dhe opozitën, për të krijuar një lëvizje të rëndësishme proteste.
Ky është një problem serioz për Orban dhe Fidesz. Qëllimi i qeverisë së tyre “të butë fashiste”, është që të mos e përdorë forcën për të shtypur mendimin ndryshe, por të neutralizojë në mënyrë të qetë opozitën, duke përdorur rregullat dhe praktikat korruptive legale.
Propaganda, jo plumbat dhe gazi lotsjellës, supozohet të jetë mjeti kryesor për të mbajtur popullin e qetë. Kur njerëzit të dalin në rrugë, dhe kërkojnë reforma demokratike, është shumë më e vështirë t’i shtypësh me qetësi. Veprimi më i mençur do të ishte shfuqizimi i ligjit të punës në pjesën e punës jashtë orarit, që do të kënaqte sindikatat, dhe do të izolonte studentët që janë më të zëshëm pro-demokracisë.
Diçka e ngjashme ndodhi në vitin 2014, kur një taksë e propozuar për përdorimin e internetit, nxiti gjithashtu demonstrata më të gjera pro-demokraci. Pas protestave të mëdha, Orbani thjesht e anuloi atë taksë, dhe lëvizja nisi të avullojë, para se të mund të kthehej në një sfidë sistematike. Por gjërat këtë herë, nuk mund të jenë kaq të lehta.
Taksa e internetit, ishte thjesht një mënyrë për të mbledhur para; ky është një propozim për të rregulluar mungesën e punës, një mangësi themelore në ekonominë politike hungareze, dhe Orban shpreson që ligji mund të nxisë investimet e mëdha të huaja. “Në këtë pikë, askush nuk po mendon seriozisht, se ai është e duke shqyrtuar mundësinë e shfuqizimit të ligjit”-më tha gazetari hungarez Mate Halmos, në një intervistë përmes e-mailit.
Konflikti mbi këtë propozim, nuk mund të zbutet shumë lehtë. Ai mund të çojë madje në një përplasje të qëndrueshme, mbi natyrën e regjimit të butë fashist të Orbanit. Por në këtë konflikt, ka edhe një leksion më të gjerë që duhet nxënë.
Në vendet me popullsi të moshuar, ku nuk ka shumë të rinj, siç është rasti në shumicën e vendeve të Amerikës së Veriut dhe Europës, qeveritë anti-emigracionit mund të ballafaqohen me probleme serioze politike, qoftë nga mungesa e fuqisë punëtore si në Hungari, apo sfidat e mbështetjes së programeve sociale për të moshuarit, ndërsa numri i tyre rritet dhe popullsia në moshë pune po zvogëlohet.
Emigracioni, është një mënyrë për t’i adresuar këto sfida. Por populizmi i krahut të djathtë, varet nga shndërrimi i emigracionit masiv në një kërcënim ndaj Perëndimit, kur ai është në fakt një ndihmë – një kontradiktë që aktualisht po vë në rrezik qeverisjen populiste autoritare të Hungarisë, ndoshta më të fortën e këtij lloji në botë.
Përashtati për Tirana Today, Alket Goce