Në Gjykatën Administrative ka nisur gjyqi i projektit “Veliera”.
Seanca e parë ishte ajo e pajtimi midis palëve, por as shoqëria civile dhe as përfaqësuesit e shtetit nuk kanë lëshuar pe në qëndrimet e tyre krejtësisht të kundërta.
14 palë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme kanë qenë pjesëmarrës në seancën gjyqësore, ku padia është bërë nga shoqëria civile për të konsideruar të paligjshëm projektin “Veliera”.
Bashkia Durrës, përfaqësues të Ministrisë së Turizmit, përfaqësues të disa prej institucioneve që kanë në varësi objekte arkeologjike, Drejtoria Rajonale e Mjedisit, kompanitë ndërtuese të projektit “Everest shpk”, “Fusha shpk” etj kanë qenë pjesëmarrës në seancën gjyqësore që u zhvillua pa praninë e medieve.
Juristja e Ministrisë së Kulturës i kërkoi gjykatës që të rrëzojë padinë e ngritur, duke e konsideruar këtë padi të paligjshme.Kjo kërkesë është kundërshtuar fort nga përfaqësuesja e shoqërisë civile, avokatja Mirela Jorgo. Shoqëria civile në padinë e ngritur të cilën e ka dorëzuar edhe në prokurorinë e rrethit, kërkon anulimin e plotë të projektit të sheshit “Veliera”.
Sipas padisë së shoqërisë civile ndërtimi këtij sheshi është në kundërshtim të plotë me ligjin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.Nga gjendja aktuale në shesh, duket se punimet po ecin me ritëm të lartë dhe se projekti nuk ka më asnjë kthim pas, pasi tuneli, në ish- rrugën nacionale ka përfunduar dhe punimet po zhvillohen në pjesën e sipëme të tij, ku pritet të jetë edhe pika më e lartë e sheshit.
Firma ndërtuese po vijon me ngritjen e një strukture prej disa metrash mbi sipërfaqen e pikës më të ulët. Edhe arkeologët janë larguar pas testimeve të ndryshme që bënë në zonën arkeologjike A, ku u zbuluan edhe disa varre që i përkisnin periudhave të ndryshme.
Gjykata e Apelit ka vendosur më herët pezullimin e punimeve në zonën arkeologjike A në pjesën mbi rrugë, aty ku edhe kanë dalë zbulime arkeologjike ashtu sikurse vendosi edhe Gjykata e Shkallës së Parë, për punimet në sheshin “Veliera”, shkruan DurresLajm.
Aktualisht punimet në sheshin “Veliera” janë duke vijuar me ritme të shpejta në pjesën para hyrjes së portit detar, dhe në ish-rrugën nacionale që zëvendësohet nga tuneli nëntokësor. Punimet nëntokësore janë mbyllur, dhe po vijojnë me punimet mbi tokë.
Pavarësisht se ky projekt madhor për qytetin e Durrësit ka hasur në shumë kundërshti nga ana e shoqërisë civile, punimet kanë vijuar me intensitet të lartë në pjesën më të madhe të sheshit.